Lista Serbe mbron Radojçiqin, kërkon sqarime nga Kurti
Lista Serbe i ka reaguar deputetit të Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, i cili pas video-adresimit të Radojçiqit, ka thënë se ky i fundit po dëshiron të martirizohet ose të arrestohet.
Përmes një komunikate, LS ka kërkuar sqarime nga Kurti, ndërsa ka mbrojtur Radojçiqin, për siç thuhet, deklaratën e sinqertë.
“Deklarata e nënkryetarit Radojçiq është e shkurtër dhe e qartë, e sinqertë dhe me peshë, pasi ai është njëri që mban fjalën. Për këtë, te serbët ka ngjallur trimëri dhe përkrahje, kurse në Prishtinë, tek ata që duan t’i dëbojnë serbët ka nxitur nevojë për ta kërcënuar me vdekje”, thuhet ndër tjerash në reagimin e Listës Serbe.
Kujtojmë se i kërkuari nga Prokuroria e Kosovës për rastin Brezovica, Milan Radojçiq, mbrëmë me një video u paraqitë nga një kodër e Leposaviqit.
