VV përçahet edhe në Mitrovicë, ish-kandidati për kryetar komune e “mallkon” deputeten Fjolla Ujkani - NACIONALE

VV përçahet edhe në Mitrovicë, ish-kandidati për kryetar komune e “mallkon” deputeten Fjolla Ujkani

4 vjet më parë

nga Halim Kafexholli

Edhe një përplasje brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Çarja e re në partinë e udhëhequr nga Albin Kurti është ajo në regjionin e Mitrovicës. E gjitha nisi për shkak të një mbledhjeje partiake, teksa në VV janë duke u zhvilluar zgjedhjet e brendshme.

Kryetari i Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicën e Veriut, dhe njëherësh edhe ish-kandidat nga VV për kryetar të kësaj komune, Erden Atiq, i ka dëshiruar deputetes Fjolla Ujkani, hiç më pak se 'theqafje'.

Në postimin e tij në Facebook, Atiq është treguar paksa enigmatik. Ai ka përdorur inicialet për t’iu referuar zonjës Ujkani, e cila është deputete në Kuvendin e Kosovës.

“Porosi për deputeten: F.U., udha e mbarë në theqafje”, ka shkruar Atiq para se ta fshinte këtë status.

Por, Atiq duket se u pendua për “mallkimin” që i bëri Ujkanit, pasi këtë status, ai tashmë e ka fshirë.

Duket se porosia për theqafje e Atiqit e ka çuditur shumë edhe Ujkanin. Madje, ajo nuk ka arritur ende të kuptojë se pse erdhi deri te ky “mallkim”.

Në një prononcim për gazetën, deputetja Fjolla Ujkani deklaroi se nuk e di pse e ka shkruar atë uratë ogurzezë për të.

"Për besë unë nuk kam mujtë me kuptu, se kam raporte shumë të mira me të kështu që iu kisha sugjeru me thirrë dhe me e pyet, sepse nuk kam kontaktu me të dhe sinqerisht nuk e di pse ai ka shkru ashtu."

Sipas burimeve të gazetës Nacionale, kjo përplasje ka ndodhur për shkak të zgjedhjeve të brendshme në VV, të cilat ende nuk kanë përfunduar.

Nacionale ka mësuar se deputetja Ujkani mori pjesë në një tubim në lagjen “Ilirida” në Mitrovicë, e cila prezencë duket ta ketë irrituar Atiqin, që është edhe mik i kryeministrit Albin Kurti.

Pas hulumtimit, Nacionale mësoi se përplasja e parë ndërmjet dy anëtarëve të VV-së nisi shumë më herët, ndërsa u riaktualizua pas tubimit në lagjen “Ilirida”.

Nga burimet e saj, Nacionale mori vesh se kjo përplasje ekziston që nga koha kur deputeti Armend Muja refuzoi të paraqesë kandidaturën për Kryetar të Mitrovicës, dhe hapi rrugën për Agim Bahtirin.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe aktivistin Erden Atiq, për të marrë një qëndrim në lidhje me statusin e fshirë dhe porosinë që i kushtoi deputetes Ujkani. Mirëpo edhe pas insistimit të vazhdueshëm, Artiq nuk është përgjigjur në telefon dhe deri në momentin e botimit të këtij artikullit, ai nuk ka kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, Ujkani nuk e pohon se tubimi i VV-së mund të jetë shkak i kësaj përplasjeje.

“Nuk e di, ai ka qenë tubim normal, shkojnë krejt deputetët e këtij regjioni 02, krejt në rregull. Nuk e di çka ka pasë, ndoshta e ka me dikë personale, se tash janë bë edhe aktivista shumë”, tha Ujkani për Nacionale.

Kujtojmë që Lëvizja Vetëvendosje tashmë është duke i mbajtur zgjedhjet e brendshme partiake.

Ndryshe, deputetja Ujkani ishte bërë e njohur për qëndrimin e vendosur kundër projekt-kodit civil, i cili parashihte të drejtën e bashkimit civil të seksit të njëjtë.

Lajme të ngjashme