Këta janë 14 deputetët e VV-së që votuan kundër Kodit Civil - NACIONALE

Këta janë 14 deputetët e VV-së që votuan kundër Kodit Civil

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pas një debati të gjatë parlamentar me diskurs të papërmbajtshëm nuk e kanë miratuar projekt-kodin civil, në të cilin parashihet lejimi i martesave me seks të njëjtë. Nga 61 deputetë që votuan, 28 ishin për, 29 kundër dhe katër prej tyre abstenuan.

Krahas disa partive opozitare që kanë deklaruar javë më parë që nuk e përkrahin një kod të tillë, nëpërmjet së cilit lejohet edhe martesa mes personave me gjini të njëjtë, edhe deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk votuan pro këtij projekt-kodi, bile disa zgjodhën fjalët më ofenduese ndaj komunitetit LGBTI+.

Përveç deputetëve, në seancë foli edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në fjalimin e tij relatvisht të gjatë, Kurti tha se ky projekt-kod nuk njeh martesat ndërmjet seksit të njëjtë.

Tutje, ai e bëri të qartë se është në favor të miratimit në shqyrtim të parë.

“Sa i përket një neni, apo një gjysëm neni, duhet të bëj 3 sqarime. Sqarimi i parë është që nuk bëhet fjalë, as për martesë as për adoptim të fëmijëve. Le t’i heqim të gjitha dilemat sa i përket nenit 1138”, ka thënë Kurti në seancë.

Në sallën e Kuvendit gjatë votimit të këtij projekt-kodi ishin të pranishëm 77 deputetë, por vetëm 61 prej tyre shfrytëzuan të drejtën e votimit.

Ndërkohë që kryetari i Kuvendit, Glauk Kojufca, pas dështimit të miratimit të këtij projekt-kodi deklaroi:

“Moti nuk ka pasur votim më të larmishëm në Kuvendin e Kosovës.”

Tutje ai shtoi se nuk është diçka e pazakontë dhe se kudo në botë ka ndodhur kështu.

Disa nga deputetët e e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) e në veçanti njëra ndër, përdorën edhe terma ofendues kundrejt komunitetit LGBTI+.

Labinotë Demi – Murtezi deklaroi se me votën e saj kundër këtij projekt-kodi synon “ta mbrojë moralin publik”.

Kundër projekt-kodit civil u shpreh edhe deputeti i VV-së, Eman Rrahmani. Sipas tij angazhimi i tij politik ka domethënie në momentin kur ai del kundër të drejtave të komunitetit LGBTI.

Edhe Gazmend Gjyshinca i VV-së u deklarua se do të abstenojë kur ky kod të hidhet në votim.

“Për këtë çështje e shoh të nevojshme të shteren në atë mënyrë që asnjë ligj mos të kontestohet nga shoqëria. Mbështetur në këtë, unë sot do të abstenoj. S’kam votë kundër Qeverisë Kurti. I kam besuar vizionit, programit të saj që në fillim”, ka thënë ai.

Projekt-kodi Civil e definon martesën ndërmjet personave me gjini të ndryshme, si dhe në veçanti për Nenin 1138, paragrafi 2, i cili parasheh “bashkësitë e regjistruara civile me seks të njëjtë”.

Në Projekt-kodin Civil thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Por, në nenin e radhës thuhet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Në Kushtetutën e Kosovës shkruan se “në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Në Projekt-kodin Civil nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”. Por, megjithatë, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të ligjit.

Më poshtë gjeni listën e deputetëve që votuan kundër këtij projekt-kodi, si dhe të atyre që abstenuan:

Kundër:

Labinotë Demi – Murtezi (LVV), Eman Rrahmani (LVV), Burim Karameta (LVV), Gramoz Agusholli (LVV), Visar Korenica (LVV), Driton Hyseni (LVV), Fitim Haziri (LVV), Drita Millaku (LVV), Fjolla Ujkani (LVV), Ekrem Mustafa (LVV), Alban Bajrami (LVV), Valon Ramadani (LVV), Milazim Salijaj (LVV), Nijazi Isaku (LVV), Besnik Tahiri (AAK), Time Kadrijaj (AAK), Pal Lekaj (AAK), Bekë Berisha (AAK), Albana Bytyçi (AAK), Mërgim Lushtaku (PDK).

Kundër kanë votuar edhe deputetët e komuniteteve jo-shumicë.

Abstenim:

Gazmend Gjyshinca (LVV), Hydajet Hyseni (LVV), Mirlinda Tishukaj – Sadiku (LVV), Driton Hyseni (LVV).

Kurse pro Projekt – Kodit Civil votuan:

Glauk Konjufca (LVV), Mimoza Kusari-Lila (LVV), Vasfije Krasniqi (LVV), Armend Muja (LVV), Fatmire Mulhaxha-Kollçaku (LVV), Avni Dehari (LVV), Artan Abrashi (LVV), Fitore Pacolli (LVV), Jahja Koka (LVV), Haki Abazi (LVV), Ardian Gola (LVV), Arbër Rexhaj (LVV), Dimal Basha (LVV), Mirsat Shkreta (LVV), Doarsa Kica-Xhelili (LVV), Besim Muzaqi (LVV), Arjeta Fejza (LVV), Jeta Statovci (LVV), Shqipe Selimi-Mehmeti (LVV), Gani Krasniqi (LVV), Tinka Kurti (LVV), Enver Haliti (LVV), Yllza Hoti (LVV), Agon Batusha (LVV), Salih Zyba (LVV), Venedis Lahu (LVV).

Lajme të ngjashme