Kurti pyetet për raportet me ShBA-në: Këtu jemi në Urologji, pastaj do të shkoj në Malishevë - NACIONALE

Kurti pyetet për raportet me ShBA-në: Këtu jemi në Urologji, pastaj do të shkoj në Malishevë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën e vizitoi QKUK-në për të marrë pjesë në një përurim të renovimeve në Klinikën e Urologjisë. Sidoqoftë, një gazetar e pyeti Kurtin për një temë që nuk lidhej me shëndetësinë e kjo nuk i pëlqeu kryeministrit.

Pas një deklarimi të shkurtër të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, që ishte para gazetarëve krahas kryeministrit, një gazetar e pyeti Kurtin: “Kryeministër, cili është raporti yt me amerikanët, sepse ka vlerësime që më shumë po i besojnë presidentes [Vjosa Osmani] për bashkëpunim, sesa me juve?”

Kurti u përgjigj, por jo drejtpërdrejt në pyetjen e gazetarit, duke e ndërruar tërësisht temën: “Këtu jemi në Klinikën e Urologjisë. E kam përshtypjen që nuk ka lidhje kjo [pyetje] me Klinikën e Urologjisë...”

“Ka lidhje me juve si kryeministër...” – ndërhyri gazetari që ia kishte shtruar pyetjen Kurtit.

Megjithatë, kryeministri vazhdoi: “Pas këtu, do të shkoj në Malishevë. Atje do të vizitoj një fermer jashtëzakonisht të suksesshëm. Kam përshtypje që [pyetja] nuk ka lidhje as me të. Pasdite do të kemi një mbledhje të Qeverisë e mbase atje do të mund të jetë vendi për pyetje të tjera. Urime edhe një herë për këtë përurim të Klinikës së Urologjisë, të transformuar në mënyrë rrënjësore e moderne!”

Lajme të ngjashme