Kurti në Madrid: Me Serbinë kemi armëpushim, jo tamam paqe
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e 26-të të Internacionales Socialiste të zhvilluar në Madrid, ku kryetar i ri u zgjodh kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.
Fjalimin e tij drejtuar pjesëmarrësve në këtë Kongres, Kurti e ka nisur me mbajtjen e një ligjerate mbi esenë e Kantit, me anë të së cilës ka folur për republikat demokratike dhe rëndësinë e tyre për paqe, ndërkohë që ka vënë në fokus raportet e Kosovës me Serbinë e lidhjet e kësaj të fundit me Kremlinin.
“Përbërësi i munguar për paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor është Serbia demokratike. Fatkeqësisht, fqinji ynë në veri, dhe njëri me të cilin Republika e Kosovës ndan kufirin më të gjatë, është ende një vend autoritar me aspirata territoriale ndaj nesh, dhe lidhje të gjera e të ngushta me Kremlinin,” është shprehur Kurti, ndërsa ka vazhduar duke treguar edhe për operacionet ushatarake të Serbisë në kufi me Kosovën.
“Deri më sot, ata mirëmbajnë 48 instalime ushtarake dhe të xhandarmërisë përreth kufirit të tyre me Kosovën. Për më tepër, që nga shpallja jonë e pavarësisë në vitin 2008, ajo është angazhuar vazhdimisht në fushata që kërkojnë të minojnë shtetndërtimin tonë. Edhe pse në vitin 2010 Serbia kërkoi mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë sonë, ajo ka zgjedhur të mos respektojë gjetjet e gjykatës. Së fundmi, është përpjekur të përdorë ndikimin e saj në pjesën veriore të vendit tonë për të minuar sundimin e ligjit në atë rajon,” ka thënë më tej Kurti.
Duke e quajtur periudhën 23 vjeçare një armëpushim mes Kosovës e Serbisë, dhe jo një paqe të mirëfilltë, Kurti ka bërë thirrje për demokratizimin e Serbisë.
“Unë besoj se forcimi i demokracisë në Serbi është përgjigja. Kjo mund të duket si një e rrugë e gjatë për disa, dhe klishe për të tjerë - megjithatë, është mënyra e vetme që ne dimë për krijimin e kushteve për paqe afatgjatë,” është shprehur Kurti.
Përveç raporteve me Serbinë e propozimeve të tij, duke thënë se Kosova është një ndër vendet më demokratike në rajon, Kurti në këtë Kongres ka folur edhe për zhvillimin ekonomik në Kosovë, që nga ardhja e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.
“Që nga ngjitja e partisë sonë në pushtet, dhe pavarësisht efekteve të pafavorshme nga pandemia globale COVID-19, ekonomia jonë ka arritur disa rezultate të dukshme. Për shembull, vitin e kaluar patëm një rritje dyshifrore prej 10.7% të PBB-së. Një pjesë domethënëse e kësaj rritjeje u nxit nga besimi më i madh i njerëzve në qeverinë tonë. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur 22% rritje të investimeve të huaja direkte, këtë vit deri më tani është 47%, ndërsa eksportet në vitin 2021 janë rritur për 83%, këtë vit për 29%. Pa bërë asnjë ndryshim në politikën fiskale, të ardhurat tona tatimore u rritën me 34%,” ka thënë Kurti.
Ndërsa ka përmendur edhe reformimin e sistemit të drejtësisë dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, kryeministri e ka përfunduar fjalën e tij duke thënë se, “botës i duhen antifashistë jo më pak se sa i duheshin një shekull më parë”.

