Kurti merr pjesë në konferencën ku trajtohen martesat e seksit të njëjtë, flet prapa 'drag queen'-s Adelina Rose
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë gjatë ditës së sotme në një konferencë të titulluar “Obligimet e Shtetit ndaj të drejtave të njeriut” të organizuar nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut (YIHR KS).
Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje është veçanërisht e rëndësishme marrë parasysh diskutimet e shumta në lidhje me martesat e seksit të njëjtë dhe me bashkëjetesat e personave të seksit të njëjtë. Kjo çështje raportohet se ka prodhuar përçarje në partinë e tij, e njëkohshëm e ka ndalur Projekt-Kodin Civil.
“Qëllimi kryesor i kësaj konference ishte që të diskutohet rreth trajtimit të çështjeve të dhunës në bazë gjinore, gjuhës së urrejtjes ndaj grupeve të margjinalizuara, martesat e të njëjtit seks dhe dhstimin e shtetit për të përmbushur detyrimet e tij ndaj të drejtave të njeriut.” – thotë organizata.
Kurti po ashtu shihet duke mbajtur një fjalim, derisa prapa tij ndodhet një ‘Drag Queen’ me emrin Adelina Rose.
Për fat të keq, në seancën e muajit mars për Projekt-Kodin Civil kishte pasur gjuhë të urrejtjes ndaj këtij grupi të margjinalizuar edhe nga vetë deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Deri tash, Kurti nuk ka postuar asnjë fotografi në lidhje me praninë e tij në këtë ngjarje.


