Projekt-Kodi Civil: A ka premtuar Kurti ndryshimin e nenit për bashkëjetesat e seksit të njëjtë? - NACIONALE

Projekt-Kodi Civil: A ka premtuar Kurti ndryshimin e nenit për bashkëjetesat e seksit të njëjtë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Projekt-kodi civil vazhdon të jetë një nga temat e nxehta në Kuvendin e Kosovës. Përçarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe të koalicionit qeverisës, vazhdon të jetë e madhe mbi këtë temë. Krahas kësaj, një konfuzion ka lindur në VV në lidhje me përmbajtjen e projekt-kodit civil, që pritet të vijë përsëri në Kuvend për votim. Por, një dilemë e madhe është hapur së fundi pavërejtshëm në publik: ka premtuar Kurti ndryshimin e nenit për bashkëjetesat e seksit të njëjtë apo kanë premtuar ndryshimin e votës deputetët e tij konservatorë?

Një pjesë e grupit konservator brenda grupit parlamentar të LVV-së, është duke pritur që neni që lejon bashkësitë civile të seksit të njëjtë të largohet, ndërsa janë dhënë indikacione se disa prej tyre e kanë ndryshuar qëndrimin.

E sot për këtë çështje janë deklaruar disa deputetë të partive opozitara, më saktësisht Mërgim Lushtaku i PDK-së dhe Pal Lekaj i AAK-së, të cilët kanë konfirmuar se përsëri nuk do ta votojnë projekt-kodin civil më të njëjtën përmbajtje.

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu vazhdimisht ka përsëritur të njëjtën fjali se Projekt-Kodi Civil, me të njëjtën përmbajtje, do të kthehet në Kuvend.

E në mes janë ambasadorët, posaçërisht ai i ShBA-së e Britanisë së Madhe, që vazhdojnë të ngulmojnë në votimin e projekt-kodit civil, duke lejuar bashkësitë civile të seksit të njëjtë.

Premtimi?

Vetëm 26 nga 59 deputetët e Vetëvendosjes që janë në Kuvendin e Kosovës kishin votuar PRO Projekt-Kodit Civil në marsin e këtij viti, në një seancë të nxehtë të përshkuar edhe nga shumë fjalime homofobe.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me një pjesë të madhe të deputetëve që në mars të këtij viti votuan kundër ose abstenuan gjatë votimit, duke bërë që nisma ligjore e Ministrisë së Drejtësisë të mos kalojë.

Shumica nga ta kanë refuzuar të theksojnë nëse ende vazhdojnë të kenë të njëjtin qëndrim në lidhje me këtë pikë të Projekt-Kodit Civil.

Nacionale ka kontaktuar me deputetët Gazmend Gjushinca, Driton Hyseni, Valon Ramadani, Eman Rrahmani, Nijazi Isaku, Alban Bajrami, etj., për të kuptuar nëse kanë rimenduar pozicionin e tyre për këtë çështje.

Kurdo që vjen në Kuvend, aty do ta bëjë të qartë mendimin tim,” - ishte refreni që disa deputetë anti Projekt-Kod i deklaruan Nacionales, gjersa të tjerë nuk kthyen përgjigje.

Por, njëri nga deputetët në kushte të anonimitetit deklaroi se grupi konservator ka marrë një premtim nga kryeministri Albin Kurti, se ky i fundit do ta rishikojë Projekt-Kodin Civil, duke ndryshuar nenin për bashkësitë civile të seksit të njëjtë.

Po besoj që ndryshim diçka në projekt-kod civil ka, jo si ka qenë më herët, kështu na ka thënë kryeministri që ndryshon. Po presim kur të vijë në Kuvend”, i tha Nacionales deputeti që dëshiroi të mos citohej me emër.

Ndryshe, dje në një intervistë për gazetën Nacionale, deputetja Duda Balje, konfirmoi se do të votojë përsëri kundër Projekt-Kodit Civil, edhe në kurriz të sakrifikimit të postit të dputetes.

Nëse dëshirojmë me mbrojtë të drejtat e njeriut, duhet të fillojmë diku tjetër, jo me komunitetin LGBTQ+. Sepse komunitetit LGBTQ+ kurrë nuk ka pasur problem me jetu në Kosovë,” - tha ajo, ndër të tjera.

Deputetja Balje për Nacionalen po ashtu u shpreh se mund të kishte deputetë të cilët e kishin ndryshuar qëndrimin për këtë çështje. Ndërkohë, edhe deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu Hyseni kishte dhënë këto indikacione.

“Nuk mund të flas në emër të asnjë deputeti tjetër... nuk mund të them se cili mund të jetë qëndrimi i deptuetëve... Unë kam pa që një pjesë e deputetëve e kanë ndryshu qëndrimin e tyre, dhe kanë deklaruar se do ta votojnë Kodin Civil,”

Por, shenja të zmbrapsjes nuk duken te disa deputetë më të njohur konservatorë brenda VV-së. Ata së fundi duket se kanë gjetur gjuhë të përbashkët edhe me disa deputetë të partive opozitare.

Mërgim Lushtaku, deputet i PDK-së, deklaroi për EO se nuk ka ndryshuar mendim sa i përket çështjes së bashkësisë civile të seksit të njëjtë.

Unë besoj që kodi civil është shumë i rëndësishëm dhe besoj që duhet të votohet një Kod Civil. Sigurisht që ne i dimë qëndrimet e secilit dhe janë publike derisa nuk ka një ndryshim në atë aspekt unë e kam dhënë qëndrimin,” - ka thënë Lushtaku.

Qëndrimin e njëjtë vazhdon ta mbajë edhe Pal Lekaj, deputet i AAK-së.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë mjaft i qartë. Nuk do ta votojmë Kodin Civil. I kemi arsyet dhe kemi konsultuar elektoratin dhe kemi marrë përgjigje që ne nuk duhet ta votojmë Kodin Civil. Ashtu siç e kanë sjellë në Kuvend nëse ndryshohet atëherë ne mund të bisedojmë, por me këtë ofertë që e kanë bërë Qeveria ne nuk do ta votojmë Kodin Civil”, theksoi Lekaj.

Ambasadorët

Gjatë javës që po ikën, dy ambasadorë folën publikisht në lidhje me rëndësinë e votimit të projektit-kodit civil nga ana e dpeutetëve të Kuvendit të Kosovës.

Jeffrey Hovenier, ambasador i ShBA-së në Kosovës, në ATV tha se pret që projekt-kodi civil të miratohet në Kuvend.

Është ligj i nevojshëm sepse ky vend ka nevojë për një Kod Civil të shekullit XXI, të cilin nuk e ka momentalisht. Kur doli për herë të parë në Kuvend, ishim të zhgënjyer nga një pjesë e retorikës që e dëgjuam, veçanërisht lidhur me disa qytetarë të Kosovës që janë homoseksualë. Nuk menduam se ajo ishte gjuhë e përshtatshme për një Kuvend dhe do të shpresonin që gjuha në të ardhmen të jetë më e kujdesshme. Gjithashtu, shpresojmë që Kodi Civil të miratohet. Do të ishte e rëndësishme për këtë vend dhe përparimin e tij.”, tha ai.

Ndërsa, ambasadori britanik, Nicholas Abbott, shkoi në Kuvend, më saktësisht në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, për t’ua shpjeguar deputetëve pse është e nevojshme votimi i kësaj nisme ligjore.

Ju jeni pjesë e Evropës, jeni pjesë e vlerave të Evropës. Ju doni të bëheni pjesë e Këshillit të Evropës. Ne për momentin e kemi një pozicion shumë të qartë, se Kosova duhet të jetë pjesë e Këshillit të Evropës – dhe jemi gati që të dërgojmë instruksione te ambasadat tona në vendet anëtare të Këshillit të Evropës, që të mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për anëtarësim. Por, kjo do të sjellë me vete edhe shumë pyetje dhe tash është koha që t’i mendoni këto pyetje. Po e përsëris, nuk po iu kërkoj që të vendosni tash, jo, duhet të jeni vetja. Por, ajo që më dhemb shumë është se Kosova nuk diskuton çështjet sociale. Dhe kjo – frikësohem – se është problem. Ju si deputetë e keni detyrën që të krijoni diskutime për këtë çështje... Ka shumë çështje që duhen diskutuar. Dhe parlamenti duhet të jetë vendi ku ndodh ai diskutim. – u shpreh z. Abbott.

Ndryshe, gjatë këtij diskutimi, aty merrnin pjesë edhe disa prej deputetëve kundërshtues të si Duda Balje, Labinotë Demi-Murtezi (VV), Alban Bajrami (LVV), Albana Bytyqi (AAK) etj.

Lajme të ngjashme