Qortimi që s'e pamë: Pse ambasadori britanik shkoi i 'paftuar' në Kuvend dhe iu foli deputetëve si fëmijëve filloristë?
Projekt-Kodi Civil është rikthyer sërish në debatin publik falë fjalëve të ambasadorit Nicholas Abbott gjatë ditës së sotme. Pse këto fjalë mund të jenë nisja e një procesi të gjatë e mjaft problematik politik?
Në Kuvendin e Kosovës sot u mblodh Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Për vizitë kishte ardhur – i paftuar, me kërkesë të tij siç bëjnë të ditur burimet e Nacionales – ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott. Ai do të avokonte kryesisht për një çështje: Projekt-Kodin Civil. Që të jemi edhe më konkretë: për të drejtat dhe liritë që iu takojnë personave të seksit të njëjtë.
Abbott kishte përballë disa deputetë me bindje të njohura konservatore, të emëruar nga partitë tona politike. Kryetare e këtij Komisioni është hiç më pak e as më shumë se Duda Balje. Anëtarët ndërkohë, janë edhe më ‘problematikë’: Alban Bajrami, Labinotë Demi Murtezi e Drita Millaku.
Abbotti si mësues
Ambasadori Abbott ishte shumë i qartë në fjalët e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Jam shumë i interesuar të dëgjojë me shumë se çfarë mendoni se ne mund të ofrojmë. Dua të flasim pak edhe për Kodin Civil dhe si mendoni që do të zgjidhet kjo gjatë muajve të ardhshëm,” – u shpreh fillimisht Abbott.
Ai foli edhe në mënyrë mjaft interesante për një diplomat, me deputetët që i merrte si nxënës filloristë.
“Ju jeni pjesë e Evropës, jeni pjesë e vlerave të Evropës. Ju doni të bëheni pjesë e Këshillit të Evropës. Ne për momentin e kemi një pozicion shumë të qartë, se Kosova duhet të jetë pjesë e Këshillit të Evropës – dhe jemi gati që të dërgojmë instruksione te ambasadat tona në vendet anëtare të Këshillit të Evropës, që të mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për anëtarësim. Por, kjo do të sjellë me vete edhe shumë pyetje dhe tash është koha që t’i mendoni këto pyetje. Po e përsëris, nuk po iu kërkoj që të vendosni tash, jo, duhet të jeni vetja. Por, ajo që më dhemb shumë është se Kosova nuk diskuton çështjet sociale. Dhe kjo – frikësohem – se është problem. Ju si deputetë e keni detyrën që të krijoni diskutime për këtë çështje... Ka shumë çështje që duhen diskutuar. Dhe parlamenti duhet të jetë vendi ku ndodh ai diskutim. – u shpreh z. Abbott.
Ai nuk përtoi të merrte edhe rol ‘mësuesi’ para deputetëve anëtarë të këtij komisioni duke ndarë edhe përvoja personale duke folur për një mik të tij që e kishte njohur tash e 35 vjet më parë, dhe i cili ishte martuar me partnerin e tij të seksit të njëjtë dhe me të cilin kanë tre fëmijë.
Po ashtu, Abbott u duk derisa merrte edhe ton qortues në lidhje me mënyrën e diskutimit - pasi në seancën e fundit ishin raportuar edhe shumë fjalime fyese e homofove.
"Ajo që është e rëndësishme është natyra e këtij diskutimi. Dhe ju, posaçërisht në këtë komision e keni përgjegjësinë që ai debat e ai diskutim bëhet në mënyrë të civilizuar. I tillë që respekton dhe nuk denigron e nuk ofendon njerëzit.” - tha ai.
Abbott thotë se e mbështesin komunitetin LGBTI dhe të drejtën për krijimin e familjes from Ekonomia Online on Vimeo.
Kush janë këta ‘nxënës filloristë’?
Përbërja e Komisionit për të Drejta të Njeriut nuk mund të ishte më e çuditshme.
Nga dhjetë deputetë sa janë anëtarë, vetëm Tinka Kurti e pushtetit (VV) është përkrahëse e bashkësive të regjistruara civile të seksit të njëjtë.
Duda Balje – edhe pse kryetare – është hapur kundërshtuese. Njësoj edhe Alban Bajrami (VV), Labinotë Demi Murtezi (VV) dhe Drita Millaku (VV).

Deputetët tjerë janë opozitarë, siç është rasti me Eliza Hoxhën (PDK), Albana Bytyqin (AAK, po ashtu kishte votuar kundër), Marigona Gecin (LDK), Milosh Peroviq (LS).
Vetë Balje, nuk ngurroi të shprehte edhe në mbledhjen e sotme të komisionit qëndrimet e saj:
“Brenda komisionit jemi të ndarë sa i përket Kodit Civil. Jemi komision për të drejtat e njeriut dhe jemi adresa e parë për të drejtat e njeriut. Jemi një shtet i vogël duhet të kuptoni dhe te gjithë deputetët, brenda dhe jashtë, kemi traditën tonë, kulturën tonë dhe mendoj qe ndoshta nuk jemi ende të gatshëm të bëjmë një gjë të tillë. Unë isha kundër Kodit Civil edhe tani e kam ketë qëndrim.”
Po ashtu, ngjashëm u shpreh edhe deputetja Labinotë Demi Murtezi:
“Është i nevojshëm një sqarim çka nënkupton bashkësia e regjistruar civile. Kur bëhet fjale për familjen jam shumë e rezervuar sepse kemi parë se nëse kjo quhet familje atëherë shkon drejt adaptimit të fëmijëve e këtu i kam rezervat e mija. Jo pse duhet të jemi linçues, ndjehem keq për cdo ofendim qe marrin personat e komunitetit të tillë. Kur bëhët fjale vetëm per regjistrim dhe te drejta elementare nuk është diçka që ne tentojmë ta censurojmë”,
Nuk dihet se për çfarë arsyesh pushteti (VV) ka vendosur për një përbërje të tillë në një komision kaq të rëndësishëm.
Sidoqoftë, ministrja Albulena Haxhiu për gazetën Nacionale pas dështimit të Projekt-Kodit në muajin mars ishte shprehur qartazi e bindur se ai do të procedohej shpejt.
“Jemi duke parë mundësitë e procedimit të tij. Patjetër që do ta procedojmë... Unë mendoj që qasja që ka pasur Kuvendi i Kosovës me Kodin Civil nuk i ndihmon Kosovës. Në këtë drejtim i ftoj deputetët që të kryejnë rolin e tyre emancipues.” – kishte thënë ajo gjatë Paradës së Krenarisë për gazetën Nacionale.
Përkundër këtij zotimi, Projekt-Kodi Civil nuk ishte proceduar në Kuvend të Kosovës ndërkohë që ishte raportuar për krijim të ndasive brenda subjektit më të madh politik në vend.