Projekt-kodi civil, a do t'i përjashtojë VV-ja e Kurtit deputetët myslimanë?
Që nga përpilimi i listës për deputetë të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, Lëvizja Vetëvendosje ishte nën thumbin e kritikave se po qëndron në përcaktimin ideologjik. Kjo pasi brenda saj ka integruar njerëz me pikpamje prerazi konservatore, e të cilët i ‘eliminoi’ nga gara e brendshme partiake.
Një vit pasi Albin Kurti u mandatua si kryeministër, deputetët e tij myslimanë do ta kundërshtonin në lidhje me projekt-kodin civil, që njihte bashkësitë civile të seksit të njëjtë.
Tash pasi grupi konservator u “spastrua” nga gara e brendshme, në publik po përflitet për një ndarje të mundshme, e mospërfshirje në listë për deputet në zgjedhjet e ardhshme.
Çarja për seksin
Visar Korenica, njëri nga deputetët e VV-së që nuk votoi “Pro” këtij Ligji, i njohur edhe për bindje të theksuara fetare, nuk e ka mohuar mundësinë se brenda VV-së dikush mund të përjashtohet.
“Ka me pasë zgjedhje të kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, mundet me u marrë vendim në kryesi të Vetëvendosjes që personat që kanë votu kundër Kodit Civil nuk do të jenë më pjesë e listës, dhe krejt në rregull jemi”, thoshte Korenica.
Madje, tërthorazi, një gjë të tillë e kishte paralajmëruar edhe kryetari i Vetëvendosjen Albin Kuriti në mbledhjene 48 të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Në fjalimin e gjatë para anëtarëve të VV-së, Kurti u kishte bërë thirrje deputetëve që ta mbështesin qeverinë, në të kundertën nuk e kanë të garantuar përfshirjen në listat e ardhshme.
“E keni mundësinë të shkëlqeni, por mirë nuk është shkëlqyeshëm. Por, nëse nuk përkushtoheni tash e këtu, në maksimum për programin e Lëvizjes, nëse nuk tregoni modesti në jetën e përditshme, nëse nuk e ndihmoni qeverinë, gjasat janë që deputetët që janë në mesin tonë, do të jenë ata që nuk do të jenë në listat e ardhshme”, thoshte Kurti.
Mirëpo, pavarësisht se edhe partitë më të mëdha opozitare nuk e kishin mbështetur në shumicë përmbajtjen e Kodit Civil, kritikat më të mëdha janë adresuar nga mazhoranca për shkak të deklarimit të tyre se janë parti e majtë dhe progresiste.
Një fotografi e dy deputetëve, Eman Rrahmani e Gramoz Agusholli, të cilët u ulën në pjesën opozitare në Kuvend gjatë së premtës që shkoi, u interpretua si sinjal për largimin e tyre nga grupi parlamentar i VV-së.
E (sh)majta Vetëvendosje
Politologu, Shkodran Ramadani, në një prononcim për Nacionalen, thotë se “refuzon” ta quaj Vetëvendosjen si subjekt i majtë e progresiv, dhe sipas tij, ky subjekt nuk është e profilizuar në këtë linjë.
“Është parti populiste “catch-all party”, (Partia e të gjithëvë), si tendë e madhe brenda të cilës akomodohen të gjitha grupacionet dhe interesat e mundshme. Partitë e tilla bëhen strehë e të gjitha grupacioneve të pakënaqura: islamistë, feministë, komunistë, enveristë, socialistë, populistë, nacionalistë... është pakënaqësia dhe pamundësia për t’i realizuar ambiciet e tyre veç e veç ajo që i bën bashkë në një parti të vetme”, thotë Ramadani.
Duke e quajtur VV-në “kazan me shumë gjella”, Ramadani thotë se të duke besuar se mund të avansohet secila agjendë, të pakënaqurit bëhen pjesë e një projekti të njejtë politik.
“Në momentin që fitohet pushteti dhe secili fraksion kërkon që t’i avancohet kauza e vet. Fraksionet, ose duhet të heqin dorë nga kërkesat e veta, ose duhet t’i shfaqin mospajtimet. Nëse heqin dorë nga kërkesat e veta, atëherë e humbasin mbështetjen e bazës së tyre elektorale. E nëse nuk heqin dorë, fillojnë mosmarrëveshjet, përçarja, margjinalizimi dhe të gjitha format tjera të luftës së brendshme politike”, mendon Ramadani, që sipas tij këtë herë po e pëson “grupi islamist në VV”, për të cilët ai thotë se Kurti ua mori votat mbi premtimet e caktuara ndaj tyre.

“Tash, në vend të realizimit të premtimeve, po ndodhë margjinalizimi dhe shpejtë do të ndodhë edhe përjashtimi, dorëheqjet e largimet”, shprehet Ramdani.
Kurse sipas zyrtarës së Partisë Socialdemokrate, Teutë Rrusta, Kurti i ka ditur pozicionet dhe bindjet e këtyre deputetëve edhe pa u bërë ata pjesë e Parlamentit. Sipas saj, ky polarizim për Kodin Civil, po ndodhë për shkak sepse besimet e disa deputetëve janë trajtuar si “të parëndësishme”.
“Madje përfshirja e tyre është bërë pikërisht duke u munduar që t’i marrin përbrenda qytetarët me besime të tilla religjioze, të kundërta me besimet politike të VV-së. Kështu ndodhë kur i trajton besimet e tjerëve si të parëndësishme”, thotë Rrusta për Nacionalen.
Ish-aktivistja e Vetëvendosjes thotë se kryeministri Kurti mendon që “madhësia e tij” ka kapacitet ta konvertoj çdo njeri që është në shërbim të pushtetit të tij.
“Befasia dhe ndëshkimi i tyre (deputetëve) tani është hipokrizi”, mendon Rrusta, e cila thekson se Kurti po manipulon edhe me emrin “Lëvizje’, referuar emertimit të partisë.

“Madje, duke e ruajtur emrin Lëvizje, ai e ka ruajtur më tepër manipulimin në emër të saj. Gjoja se kemi një armik kundër të cilit duhet të shuhen të gjitha dallimet. Por duke qenë argument i brisht, mobilizimin rreth parullës “qe 20 vite” doli se nuk është i bollshëm për ta rritur pushtetin”, thotë Rrusta për Nacionalen.
Sidoqoftë, këtë deputetë sërish këta deputetë do të “përballen” me Kodin Civil i cili pritet që të ri-dërgohet në Kuvend për miratim. Ky projektligj pritet të vjen me disa ndryshime, por jo edhe tek pika ku kanë kundërshtuar kët deputetë.

