Kryetarja e Gjykatës: Gjyqtari Kuçi e la të mbrohet në liri Sekiraqën pa u konsultuar me anëtarët e Trupit Gjykues
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se gjyqtari Agim Kuçi, kishte vendosur vetë për ta lënë Enver Sekiraqën të mbrohet në liri, pa u konsultuar edhe me dy anëtarët tjerë të trupit gjykues.
Pra, pa u konsultuar me anëtarët të trupit gjykues që janë Medie Bytyqi dhe Ngadhnjim Arrni.
“Në bazë të aktvendimit të datës PKR.nr.170/2020 te dt. 03.05.2024, evidentohet që gjyqtari Kuqi e ka marrë vet si kryetar i trupit gjykues këtë aktvendim, ku edhe e ka cek në hyrje të aktvendimit “duke vendosur sipas detyrës zyrtare jashtë seancës” e nuk është nxjerrë aktvendimi në emër të trupit gjykues e jo siç e kërkon dispozita ligjore e nenit 366 të KPP-së. Ndërsa që aktgjykim burimor nuk ka pas në shkresa të lëndës që të vërtetohet se ka vepruar ndryshe”, thuhet në përgjigjen e Kryetares.
Ndryshe, gjyqtari Agim Kuqi gjatë ditës së martë u suspendua nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, pas arratisjes së Sekiraqës.