Krasniqi i bindur se PDK do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme: Kemi rritje të vazhdueshme
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur për sondazhet e fundit të publikuara.
Në një intervistë për Nacionalen, ai ka thënë se rritje e PDK-së është e vazhdueshme.
“Disa sondazhe tashmë janë publikuar. Por, mua me gëzon fakti që trendi i rritjes së PDK-së është i vazhdueshëm dhe nuk është stagnues. Kjo për neve është një përgjegjësi shtesë për të vazhduar punën dhe për të qenë afër qytetarëve për t’i biseduar dhe diskutuar të gjitha çështjet që janë preokupim i tyre, në mënyrë që pastaj ne të jemi zëri i tyre në Kuvendin e Kosovës”, theksoi Krasniqi.
Prandaj, ai është i bindur që PDK do të rikthehet në qeverisje.
“Unë jam 100 për qind i bindur se PDK-ja do të rikthehet në qeverisje, do të rimarrë besimin e qytetarëve”, deklaroi Krasniqi.
Madje, ai ka dhënë arsye se pse mendon që PDK do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme.
“Përtej angazhimeve tona të rregullta, si kryesi e PDK-së, në organizimin tonë strukturor, në komunikimin direkt me qytetarët, me aktivitetin e grupit parlamentar dhe me prezantimin e alternativës qeverisëse të PDK-së, e cila do të prezantohet nga Kabineti për Qeverisje të Mirë, do t'ia arrijmë këtij qëllimi. Gjithashtu, puna e mirë që po bëjnë komunat e udhëhequra nga PDK-ja do të jenë shtyllat qendrore që do të rikthejnë besimin e qytetarëve. Kështu që, kurdo që mbahen zgjedhjet e ardhshme, ne do të jemi në pozicion për t’i fituar ato zgjedhje”, tha ai.
