Kosova fiton në arbitrazh ndaj IuteCredit, Kurti: Janë shpëtuar mbi 30 milionë euro të taksapaguesve
Kosova ka fituar në arbitrazhin ndërkombëtar ndaj kompanisë mikrofinanciare IuteCredit, ku kjo e fundit kishte paditur shtetin tonë në arbitrazh me pretendimin që revokimi i licencës nga Banka Qendrore e Kosovës ishte arbitrar dhe i paligjshëm, pretendime këto që u hodhën poshtë në tërësi nga Tribunali i Arbitrazhit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas kësaj, ku ka thënë se republika jonë ka krijuar ambient të përshtatshëm për investime të huaja dhe marrëdhënieve me investitorë i qaset me përkushtim e seriozitet të plotë.
“Paneli i arbitrave vërtetoi që institucionet tona nuk kanë shkelur ndonjë nga obligimet e parapara sipas Ligjit për Investime të Huaja, duke konfirmuar ligjshmërinë e tyre. Ministria e Drejtësisë, së bashku me Avokaturën Shtetërore, janë siguruar që Kosova të përfaqësohet dhe mbrohet denjësisht gjatë gjitha fazave të procedurës në arbitrazh, duke ia përkushtuar të gjitha resurset e nevojshme ekipit mbrojtës për ta bërë të mundur këtë rezultat”, ka shkruar Kurti.
I pari i Qeverisë tutje ka thënë se si pasojë e kësaj fitore, Ministria e Drejtësisë, i ka shpëtuar buxhetit të taksapaguesve mbi 30 milionë euro.
“Gjatë këtij mandati qeverisës, kjo është fitorja e dytë e Kosovës në arbitrazhin e investimeve, pas rastit Selmani në padinë ndaj shtetit me vlerë të pretenduar rreth 65 milionë euro”, është shprehur Kurti.
