Zhvillime dramatike në Hagë: Jep dorëheqje Kryeprokurori i Gjykatës Speciale - NACIONALE

Zhvillime dramatike në Hagë: Jep dorëheqje Kryeprokurori i Gjykatës Speciale

2 javë më parë

nga Flakon Demaku

Ish-prokurori i Departamentit të Drejtësisë Jack Smith është emëruar të premten për të mbikëqyru një nga hetimet penale më të mëdha në botë, atë të mbajtjes së dokumenteve të klasifikuara në resortin Mar-a-Lago të ish-presidentit Donald Trump.

Prokurori i posaçëm Smith ka dhënë dorëheqjen si kryeprokuror i gjykatës speciale në Hagë, ku ishte i ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Hetimet implikojnë sjelljen e Trump, i cili të martën deklaroi kandidaturën e tij në garën presidenciale 2024, duke e bërë atë një rival të mundshëm të Presidentit Joe Biden.

“Bazuar në zhvillimet e fundit, duke përfshirë njoftimin e ish-presidentit se ai do të kandidojë për president në zgjedhjet e ardhshme, dhe synimin e deklaruar të Presidentit në detyrë për të kandiduar gjithashtu, kam arritur në përfundimin se emërimi i një këshilltari special është në interesin publik”, tha Garland në Departamentin e Drejtësisë të premten.

Smith u bë kryeprokuror për gjykatën speciale në Hagë në vitin 2018, i fokusuar në hetimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Kush është Jack Smith?

Jack Smith, tashmë ish-kryeprokurori i gjykatës speciale në Hagë, hetoi krimet e luftës në Kosovë.

Smith "ka ndërtuar reputacionin si një prokuror i paanshëm dhe i vendosur", tha Garland në Departamentin e Drejtësisë të premten.

Shefi i EULEX-it në Kosovë, Larg-Gunnar Wigermark, para pak muajve e kishte emëruar edhe për 4 vjet Jack Smithin si Prokuror të Specializuar të Hagës. Lajm të cilin e kishte konfirmuar gazeta Nacionale nga Gjykata Speciale, nëpërmjet një përgjigje me shkrim.

Ndonëse nuk i zgjati, Jack Smith ishte bërë Prokurori i parë i Specializuar që mori mandatin e dytë në Gjykatën Speciale. Kjo pasi, prokurori i parë që ishte emëruar, David Schwendiman kishte dhënë dorëheqje 2 vjet pasi u emërua.

Smith më parë ishte zëvendëskryetar dhe shef i seksionit të padive në Korporatën Spitalore të SHBA-së, organizata më e madhe joqeveritare e shërbimit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara, post të cilin e mbante që prej shtatorit 2017.

Nga shkurti i vitit 2015 deri në gusht 2017 z. Smith ishte ndihmës prokuror i parë federal dhe ushtrues i detyrës së prokurorit federal për rajonin e mesëm në shtetin Tenësi (Tennessee).

Gjatë periudhës 2010-2015, Smith ishte kreu i seksionit për integritet publik në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së, ku ishte i ngarkuar me mbikëqyrjen e procedimit të çështjeve të ndërlikuara të korrupsionit publik në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Nga viti 2008 deri më 2010 z. Smith ishte koordinator i hetimeve në Zyrën e Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN). Në atë funksion ai mbikëqyri hetime delikate të zyrtarëve të qeverive dhe pjesëtarëve të forcave milicore të huaja për krime lufte, krime kundër njerëzimit, dhe gjenocid.

Përpara se të merrte detyrën në GJPN, Smith punoi në Zyrën e Prokurorit Federal për Rajonin Lindor të Nju Jorkut, ku gjatë nëntë viteve shërbeu në poste të ndryshme, si kreu i zyrës për paditë penale dhe zëvendësshef i Seksionit Penal. Si kreu i zyrës për padi penale, Smith kishte në vartësi rreth 100 prokurorë penalë në një sërë fushash, ndër të cilat korrupsioni publik, terrorizmi, krimet e dhunshme dhe bandat, mashtrimet financiare dhe krime të natyrës ekonomike.

Lajme të ngjashme