Këta janë kandidatët që u dërguan në Kuvend për anëtarë të bordit në RTK: Shoqëria civile me ankesa
Kuvendi i Kosovës ditën e djeshme ka intervistuar kandidatët për anëtarë të Bordit në RTK.
Si rezultat, janë gjashtë emra që i janë dërguar Kuvendit për votim, prej të cilëve tre do të votohen: Albinot Hamiti, Albinot Maloku, Besa Maxhuni, Arta Berisha, Besnik Boletini dhe Driton Shaipi.
Lëvizja Fol e cila ka monitoruar procesin, ka vlerësuar se intervistimi është shoqërua me jotransparencë dhe proces jomeritor.
Njoftimi:
Intervistimi i kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së: jo transparent, jo meritor dhe pa integritet
Lëvizja FOL sot ka monitoruar fazën e intervistimit të kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, ku 12 kandidatë u intervistuan nga komisioni Ad-Hoc i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Komisioni Ad-Hoc i Kuvendit të Kosovës përbëhej nga deputetët: Agim Veliu, Fitim Haziri, Fidan Jillta, Njazi Isaku, Besim Muzaqi, Valon Ramadani, Isak Shabani, Armend Zemaj dhe Time Kadriaj, Bekim Haxhiu dhe Yllza Hoti.
Kandidatët të cilët i’u nënshtruan intervistës ishin: Shukrije Rama, Besa Maxhuni, Albinot Maloku, Dritan Shaipi, Besnik Boletini, Arta Berisha, Naile Demiri, Albinot Hamiti dhe nga rradhët e komunitetit serb Marijana Simic, Igor Rasic, Nenad Janicevic, si dhe Oliver Vujovic.
Pas përfundimit të procesit të intervistimit, 6 kandidatët të cilët i janë rekomanduar Kuvendit të Kosovës për votim janë:
. Albinot Hamiti (237 pikë)
. Albinot Maloku (234 pikë),
. Besa Maxhuni (206 pikë),
. Arta Berisha (203 pikë) dhe
. Besnik Boletini (203 pikë)
. Dritan Shaipi (183 pikë).
Ndërsa në rradhët e komunitetit serb, për votim Kuvendit i janë rekomanduar këta kandidatë:
. Oliver Vujovic (180 pikë)
. Nenad Janicevic (159 pikë).
Lëvizja FOL konsideron që procesi i intervistimit ka qenë jo transparent sa i përket mënyrës së poentimit të kandidatëve, për shkak se poentimi është bërë në fund të intervisimit të të gjithë kandidatëve dhe jo pas çdo kandidati, si dhe pikët janë mbledhur si total dhe jo të ndara nëpër kategori (arsimi, njohuritë për pozitën, integriteti, si dhe vizioni).
Rrjedhimisht, ne vlerësojmë se një proces transparent dhe i drejtë i intervistimit do të duhej të përfshinte vlerësimin e çdo kandidati menjëherë pas intervistimit të tyre, si dhe të publikonte pikët e tyre të marra në çdo kategori për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie në mënyrën se si u vlerësuan kandidatët, ashtu siç ishte vepruar në proceset rekrutuese të monitoruar nga ekspertët britanik.
Ajo që është shqetësuese dhe indikator i mosrespektimit të parimit të meritokracisë është diskrepanca në poentimin e kandidatëve nga ana e anëtarëve të Komisionit për të njëjtin kandidat. Për shembull, deputetët nuk kanë ofruar asnjë arsyetim për poentimin minimal, gjë që nuk përkon me praktikat e krijuara gjatë proceseve rekrutuese me pjesëmarrjen e ekspertëve britanikë.
Gjithashtu, është vërejtur qartë se deputetët nga rradhët e pozitës kandidatët i kanë poentuar në mënyrë të përafërt, njejtë sikurse kanë vepruar edhe deputetët nga rradhët e opozitës. Rrjedhimisht, Lëvizja FOL vlerëson se mënyra e poentimit të kandidatëve nuk ka siguruar parimet e vlerësimit objektiv dhe të barabartë.
Prandaj, i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të respektojnë parimet e meritokracisë për pozitat e zgjedhura në institucionet me interes publik, siç është Radio Televizioni Publik i Kosovës.