Kërcënimi i ekipit të Nacionales dhe gazetarit të Betimit për Drejtësi: Aktakuzë ndaj të dyshuarit
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.I.
Ky i fundit ngarkohet se ka kanosur ekipin e Nacionales, gazetaren Eriola Cacaj e kameramanin Drilon Namani, dhe gazetarin e Betimit për Drejtësi, Flamur Kabashi.
Gazetari i “Betimi për Drejtësi”, Flamur Kabashi, si dhe gazetarja dhe kameramani i “Nacionales”, Eriola Cacaj dhe Drilon Namani, ishin kanosur pas përfundimit të një seance për kontest pronësor. Kanosja ka ardhur nga i dyshuari- si pjesëtar i njërës prej familjeve në kontest, i cili ka bërë gjestin e nënkuptimit “prej kokës” drejt gazetarëve.
“Sipas aktakuzës, më datë 30 janar 2026, rreth orës 14:30 minuta, në Gjykatën Themelore në Gjilan-Dega në Viti, i pandehuri A.I, me dashje dhe me qëllim frikësimi i ka kanosur me veprime serioze të dëmtuarit E.C gazetare, D.N kameraman që të dy nga gazeta “Nacionale”, dhe të dëmtuarin F.K gazetar hulumtues i “Betimi për Drejtësi”, për shkak të ushtrimit të detyrës profesionale si gazetar, në atë mënyrë që pas përfundimit të një seance gjyqësore në procedurë civile që ishte duke u zhvilluar në një nga sallat e gjykatës në Viti, derisa të dëmtuarit ishin duke e kryer punën e tyre si gazetar dhe kameraman, i pandehuri ju drejtohet para kamerës, dhe kryen veprimin kanosës duke vendosur dorën e tij tek fyti i tij në formë kanosëse, që nënkupton një mesazh të qartë se personi rrezikon jetën ose integritetin trupor, me çka me këto veprime të kundërligjshme tek të dëmtuarit ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetë”, thuhet në njoftim.