Jehona Lushaku-Sadriu pasi u zgjodh kryetare e FGLKD-së: Nder i veçantë
Jehona Lushaku-Sadriu dje u zgjodh kryetare e Forumit të Gruas të LDK-së.
Sot ndërkaq, përmes një postimi në Facebook, ajo shkroi se të sigurojë një pozitë të tillë brenda Lidhjes Demokratike, është një nder i veçantë.
Tutje, Lushaku-Sadriu shtoi se si kryetare e këtij forumi, do të përkujdeset e do të punojë fuqishëm për avancimin e rolit të gruas në parti e shoqëri.
Më poshtë edhe postimi i saj i plotë.
Dje, në Kuvendin e VIII-të Zgjedhor të Forumit të Gruas, mora besimin e plotë të të gjitha delegateve anë e mbanë Kosovës, për kryetare të këtij forumi. Prandaj, falënderoj të gjitha gratë, të rejat që besojnë në vizionin dhe rrugëtimin tonë të përbashkët. Për mua, është përgjegjësi dhe nder shumë i veçantë.
Kryetaren e deritanishme, Lirije Kajtazi e falenderoj e pres ta kem krah në misionin tonë. Falënderoj kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për mbështetjen e tij jo vetëm ndaj meje, por dhe për secilën grua që politikën e sheh si mjet për avancimin e rolit të gruas në shoqëri e avancimin e Republikës në përgjithësi.
Rruga jonë përpara do të jetë me vizion të qartë të mbështetur në platformë konkrete politike; në ideologjinë e qendrës së djathtë, filozofinë rugoviane si dhe kultivimin e vlerave perëndimore me synim integrimet euro-atlantike.
Vizioni ynë do të mbështetet në mobilizim të të gjitha grave me mendjet më të ndritura që ka vendi ynë sot; grave të përgatitura e me përvojë, duke synuar forcimin e lidershipit dhe vendimmarrjes në partinë dhe vendin tonë. Të rejat e forumit do të jenë pjesë e programeve politike për formësim të mendimit politik e ideologjik; ngritjes së kauzave gjinore dhe përfaqësimit ndërkombëtar.
Si kryetare e Forumit të Gruas, do të përkujdesem e do të punojë fuqishëm për avancimin e rolit të gruas në parti, në shoqëri e që zëri i gruas të dëgjohet në të gjitha strukturat, në të gjitha nivelet; që gruaja ta ketë përfaqësimin e saj meritor.

