Itali: Brenda 24 orëve arrijnë me varka gati 1,200 emigrantë
Autoritetet italiane kanë thënë se brenda 24 orëve gati 1200 emigrantë pa dokumente kanë mbërritur në Itali.
Është bërë e ditur se emigrantët kishin ardhur nga vendet afrikane dhe të Lindjes së Mesme, duke zbarkuar në disa porte në Siçili.
Ndërkohë, zyrtarët kanë njoftuar edhe për 647 njerëz të shpëtuar nga një varkë e mbipopulluar dhe pesë trupa të pajetë.
Anijet ishin nisur nga Libia dhe Tunizia, duke arritur në një nga portet kryesore për njerëzit që duan të arrijnë Evropën, Lampedusa.
U njoftua po ashtu se në mes të të shpëtuarve kishte emigrantë nga Afganistani, Pakistani, Sudani, Etiopia dhe Somalia.
Sipas mediave italiane, javëve të fundit qendra e emigracionit në ishull është mbingarkuar nga një rritje e madhe e zbarkimeve.
Mesdheu është një nga rrugët më të rrezikshme për migrimin klandestin, ku sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) vetëm gjatë vitit 2021 rreth 3,231 persona janë regjistruar si të vdekur ose të zhdukur në Mesdhe dhe në Atlantikun veriperëndimor.
Ndërsa zbarkimi i fundit i emigrantëve vjen përpara zgjedhjeve italiane të kontestuara ashpër, me sondazhet që sugjerojnë se Vëllezërit e Italisë së ekstremit të djathtë mund të fitojnë vende të mjaftueshme për të udhëhequr një koalicion me prirje të djathtë. Ku Giorgia Meloni, udhëheqësja e partisë, është zotuar të shtypë migrimin.
Meloni edhe në të kaluarën ka shkaktuar polemika duke mbrojtur një bllokadë të bregdetit libian për të ndaluar kontrabandistët e njerëzve që nisen drejt brigjeve italiane.
