I sanksionuari nga ShBA-ja për korrupsion: Kurrë në jetë s'jam dënu për korrupsion e as për marrje rryshfeti
Në një reagim në profilin e tij në Facebook të shtunën, Nexhat Krasniqi, ka shprehur për herë të parë qëndrimin e tij pas sanksionimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Krasniqi ka theksuar se nuk e ka kuptuar arsyen pse është sanksionuar, duke pretenduar se rasti për të cilin akuzohet daton në vitin 2005 dhe, sipas tij, është një rast tashmë i gjykuar.
"Unë edhe mund të jem i papërshtatshëm për Amerikën për të cilën gëzoj shumë respekt. Unë nuk e di arsyen për shkak se rasti është i vitit 2005, e që është rast i gjykuar.Çuditërisht unë kam nënshkruar kontrata me kompaninë prestigjioze amerikane Bechtel në vitin 2010 dhe 2014 për dy autostrada, duke pasur relacione shumë korrekte dhe profesionale me ta." - tha ai.
Krasniqi vazhdoi duke thënë se nuk ka qenë kurrë i dënuar për korrupsion.
"Në Republikën e Kosovës, ku jetoj e punoj prej kur kam lind, KURR në jetë nuk jam dënu për korrupsion e as për marrje rryshfeti…. Jam hetu, jam vezhgu e jam akuzu nga prokuror Amerikan, nga prokuror ndërkombëtar të Eulexit, nga prokuror Shqiptar të të gjitha prokurorive… Jam gjyku e ri-gjyku nga gjykatës Amerikan, nga gjykatës ndërkombëtar te Eulexit, nga gjykates Shqiptarë të të gjitha gjykatave." - tha ai mes tjerash.