“Hekur deri në 1.5 metra”, KRU “Gjakova” ‘tronditet’ nga ajo çfarë gjeti në pusetat e kanalizimit, apelon për të mos u hedhur mbeturina
KRU “Gjakova” ka njoftuar se, gjatë ndërhyrjes së ekipeve për zhbllokimin e tri pusetave të kanalizimit në Gjakovë, është hasur në një numër të madh mbeturinash që janë hedhur nga njerëz të papërgjegjshëm.
Tutje kanë bërë të ditur se janë larguar gurë, shishe qelqi, plastikë, si dhe hekur me gjatësi deri në 1.5 metra.
Nga KRU “Gjakova” janë shprehur të indinjuar me sjelljen e papërgjegjshme të qytetarëve që hedhin mbeturina në pusetat e kanalizimit.
Njoftimi i plotë:
KRU “Gjakova” Sh.A. njofton opinionin publik se, gjatë ndërhyrjes së ekipeve tona për zhbllokimin e tri pusetave të kanalizimit në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë, është hasur në sasi të mëdha mbeturinash të hedhura në mënyrë të papërgjegjshme në rrjetin e kanalizimit.
Nga pusetat janë larguar kartonë, gurë, shishe qelqi, plastikë, shkopinj, si dhe hekur me gjatësi deri në 1.5 metra. Punëtorët tanë kanë punuar për orë të tëra me mjete të ndryshme për të liruar rrjetin, duke u përballur me vështirësi të mëdha në terren.
Këto veprime janë të papranueshme dhe shkaktojnë dëme serioze në sistemin e kanalizimit, duke rrezikuar funksionimin normal të rrjetit të ujërave të ndotura dhe kolektorëve, me pasoja të drejtpërdrejta për të gjithë qytetarët.
Kjo është hera e dytë brenda një viti që në këtë lokacion hasen mbeturina të tilla në kanalizim, çka tregon për një sjellje të përsëritur dhe të papërgjegjshme.
KRU “Gjakova” Sh.A. u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos hedhin mbeturina në rrjetin e kanalizimit dhe të kontribuojnë në ruajtjen e infrastrukturës publike. Në rast të përsëritjes së këtyre veprimeve, kompania do të ndërmarrë masa ligjore dhe do të paraqesë kallëzime ndaj personave përgjegjës.