Franca do ta thërrasë në takim ambasadorin amerikan shkaku i pretendimeve për antisemitizëm - NACIONALE

Franca do ta thërrasë në takim ambasadorin amerikan shkaku i pretendimeve për antisemitizëm

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Franca thotë se do ta thërrasë në takim ambasadorin amerikan në Paris, Charles Kushner, për ato që thotë se janë pretendime të papranueshme se gjoja shteti evropian ka dështuar që ta frenojë shtimin e antisemitizmit.

Kushneri, i cili është hebre dhe biri i të cilit është i martuar me bijën e presidentit amerikan, Donald Trump, i bëri këto komente në një letër të hapur drejtuar presidentit francez, Emmanuel Macron, botuar në gazetën e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”.

Duke u dhënë jehonë kritikave të Izraelit ndaj Francës të para disa ditëve, Kushneri tha se ka pasur “shpërthim” të urrejtjes ndaj hebrenjve në Francë që nga fillimi i luftës në Gaza, raporton televizioni BBC.

“Franca në mënyrë të vendosur i hedh poshtë pretendimet e fundit”, të cilat janë “të papranueshme”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, duke shtuar se ambasadori amerikan pritet të paraqitet në takim të hënën.

Në letrën e tij, Kushneri i bëri thirrje presidentit francez që t’i zbusë kritikat ndaj izraelit dhe përmendi shembuj të antisemitizmit për të cilin tha se “për një kohë të gjatë i ka lënë vragë jetës franceze”.

“Në Francë, as një ditë nuk kalon pa u sulmuar hebrenj në rrugë, pa u vandalizuar sinagoga ose shkolla ose biznese me pronarë hebrenj. Ministria juaj e Brendshme ka raportuar incidente antisemite edhe në kopshte fëmijësh” – tha ambasadori amerikan në letrën e tij.

Ai gjithashtu tha se qëndron i gatshëm për të punuar me Macronin dhe me udhëheqës të tjerë francezë që të “hartohet në plan serioz” për ta luftuar këtë dukuri.

Sidoqoftë, Ministria e Jashtme e Francës theksoi se që nga Konventa e Vienës e vitit 1961, ambasadorëve nuk u lejohet që të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të një vendi.

Franca planifikon që formalisht ta njohë Palestinën në shtator dhe ky vendim e ka irrituar Izraelin./Nacionale

Lajme të ngjashme