Forcat izraelite vrasin 67 palestinezë që po prisnin për ndihma në veri të Gazës, thotë ministria
Ushtria izraelite ka vrarë të paktën 67 njerëz që po prisnin për arritjen e kamionëve me ndihma të OKB-së në pjesën veriore të Gazës, thotë Ministria e Shëndetësisë, e cila drejtohet nga Hamasi.
Programi Botëror i Ushqimit tha se autokolona e tij me 25 kamionë “u ballafaqua me turma masive të civilëve të uritur, të cilët u përballën me zjarrin e armëve”, pak pasi kamionët hynë nga Izraeli dhe i kaluan pikat e kontrollit, raporton televizioni BBC.
Ushtria izraelite tha se kishte “shkrepur të shtëna paralajmëruese” për të “larguar një kërcënim të menjëhershëm”. Ushtria e vuri në dyshim numrin e vdekjeve të raportuara.
Të shtunën, Ministria e Shëndetësisë paralajmëroi se uria ekstreme ishte duke u shtuar në Gaza si dhe kishte numër në rritje të njerëzve që po arrinin në qendrat e saj “në gjendje të dërrmimit dhe plogështisë ekstreme”.
Të dielën, kjo ministri tha se kishte regjistruar 18 vdekje “për shkak të urisë” gjatë 24 orëve të fundit.
Jashtë spitalit “Shifa” në Qytetin Gaza, një grua i tha shërbimit të BBC-së në gjuhën arabe se “e tërë popullsia është duke vdekur”. “Fëmijët po vdesin nga uria, sepse nuk kanë asgjë për të ngrënë. Njerëzit po mbijetojnë me ujë e kripë… vetëm ujë e kripë” – tha ajo.