Ukraina shton sulmet me artileri perëndimore, Rusia jep urdhër për parandalimin e tyre - NACIONALE

Ukraina shton sulmet me artileri perëndimore, Rusia jep urdhër për parandalimin e tyre

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ndërsa beteja e përgjakshme për kontroll në rajonin lindor të Donbasit po vazhdon, ushtria ukrainase ka kundërshtuar përparimet ruse në Donetsk gjatë fundjavës.

Nga e shtuna deri të dielën, CNN shkruan se të paktën tetë vendbanime në pjesën lindore të Donetsk janë vënë nën zjarr, ndërsa Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se: "Ushtarët ukrainas zmbrapsën me kompetencë një tjetër përpjekje ruse pranë Berestove dhe Bilohorivka," duke shtuar se forcat ruse "u zbrapsën fuqishëm, pësuan humbje dhe u tërhoqën".

E ndërsa forcat ruse janë duke sulmuar pozicionet ukrainase në Donetsk në përgatitje për fazën tjetër të luftimeve në shkallë të plotë, ministria e Mbrojtjes e vendit në Moskë të shtunën urdhëroi komandantët të ndërmarrin veprime për të parandaluar sulmet ukrainase në territorin e kontrolluar nga Rusia.

Urdhri i fundit i Moskës vjen si përgjigje ndaj një rritjeje të mprehtë të sulmeve ukrainase shumë prapa vijës së frontit duke përdorur obuset dhe artilerinë perëndimore të blera së fundmi.

Kujtojmë se për disa javë me radhë, ushtria ruse e ka mbajtur rajonin në një breshëri të vazhdueshme sulmesh artilerie dhe raketash. Kremlini thotë se qëllimi i atij që e quan "operacioni special ushtarak" është të marrë kontrollin e Luhanskut dhe Donetsk. Aktualisht, rreth 45% e Donetskut, një rajon i industrisë së rëndë i ndërthurur me tokë bujqësore, ende mbahet nga ukrainasit.

Lajme të ngjashme