Pamje të rënda pas bombardimit të një zone banimi në rajonin Donetsk të Ukrainës - NACIONALE

Pamje të rënda pas bombardimit të një zone banimi në rajonin Donetsk të Ukrainës

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një video e policisë ukrainase, e publikuar ditën e shtunë tregon tymin në qiell ndërsa punëtorët e urgjencës nxitojnë për t’i trajtuar banorët e plagosur pas një sulmi me raketa në rajonin e Donetsk-ut të Ukrainës.

Krei i policisë së Donetsk ka bërë të ditur se sulmi ka goditur një zonë banimi në qytetin e Pokrovsk, duke vrarë dhe plagosur rëndë banorë vendas.

"Në intervale prej një ore, agresori bombardoi qytetin e Pokrovsk me raketa të shumta. Një zonë banimi u godit," ka thënë policia, duke shtuar se gjatë sulmit janë dëmtuar të paktën 27 shtëpi.

Ndërsa numri i viktimave nuk është përcaktuar ende, Rusia ka thënë se forcat e saj do të rrisin operacionet ushtarake në Ukrainë në "të gjitha zonat operacionale".

"Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu dha udhëzimet e nevojshme për të rritur më tej veprimet e grupeve në të gjitha zonat operative, në mënyrë që të përjashtohet mundësia e regjimit të Kievit për të kryer sulme masive me raketa dhe artileri mbi infrastrukturën civile dhe banorët e vendbanimeve në Donbas dhe rajone të tjera”, thuhej në deklaratën e dhënë nga ministria ruse.

Kjo deklaratë nga Moska vjen pas disa sulmesh me raketa të ditëve të fundit ku Kievi thotë se kanë vrarë dhjetëra civilë dhe si përgjigje ndaj një rritjeje të mprehtë të sulmeve ukrainase shumë prapa vijës së frontit duke përdorur obuset dhe artilerinë perëndimore të blera së fundmi.

Kujtojmë se, për disa javë me radhë, ushtria ruse e ka mbajtur rajonin në një breshëri të vazhdueshme sulmesh artilerie dhe raketash. Kremlini thotë se qëllimi i atij që e quan "operacioni special ushtarak" është të marrë kontrollin e Luhanskut dhe Donetsk. Aktualisht, rreth 45% e Donetsk-ut, një rajon i industrisë së rëndë i ndërthurur me tokë bujqësore, ende mbahet nga ukrainasit.

E ndërsa lufta në Ukrainë po afron pesë muaj dhe të dyja ushtritë po pësojnë humbje të mëdha, zyrtarët perëndimorë thonë se Ukraina "absolutisht" beson se do të rimarrë territorin nga Rusia dhe do të fitojë luftën.

Lajme të ngjashme