Egjipti po përgatit një zonë në kufi me Gazën për strehimin e palestinezëve, thonë burimet
Egjipti është duke përgatitur një zonë afër kufirit me Gazën që do të mund të përdorej për strehimin e palestinezëve në rast se një ofensivë izraelite në qytetin Rafah nxit eksod matanë kufirit, i kanë thënë katër burime agjencisë “Reuters”.
Egjipti, i cili ka mohuar se është duke bërë përgatitje të tilla, vazhdimisht e ka ngritur alarmin për mundësinë që ofensiva shkatërruese izraelite në Gaza mund ta shkaktojë zhvendosjen e palestinezëve në Sinai – diçka që Kajroja thotë se do të ishte tërësisht e papranueshme – duke u bërë jehonë paralajmërimeve nga shtetet arabe si Jordania, raporton agjencia “Reuters”.
Shtetet e Bashkuara disa herë kanë thënë se do të kundërshtonin çfarëdo zhvendosjeje të palestinezëve nga Gaza.
Njëri nga burimet tha se Egjipti është optimist se bisedimet për armëpushim mund të shmangin një skenar të tillë, por se ky shtet po e përgatitur zonën në kufi si masë të përkohshme dhe paraprake.
Tri burime të sigurisë thanë se Egjipti e kishte nisur përgatitjen e një zone shkretinore me disa objekte elementare që do të mund të përdoreshin për strehimin e palestinezëve, duke theksuar se ky është hap për diçka të mundshme.