Drejtori i CIA-s thotë se qendrat bërthamore të Iranit u dëmtuan rëndë nga sulmet amerikane
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ka thënë se sulmet e forcave amerikane “i dëmtuan rëndë” qendrat bërthamore të Iranit dhe i kthyen prapa me vite, duke dhënë vlerësim më ndryshe në krahasim me një raport të rrjedhur të inteligjencës që e ka zemëruar presidentin Donald Trump duke e minimizuar ndikimin e fushatës ushtarake.
Sipas drejtorit të CIA-s, qendra kyçe në Iran janë shkatërruar, edhe pse nuk deklaroi se programi bërthamor i Iranit është shkatërruar plotësisht, raporton televizioni BBC.
Fjalët e drejtorit të CIA-s erdhën një ditë pasi në një vlerësim preliminar të rrjedhur nga një agjenci e inteligjencës e Pentagonit sugjerohej se pjesë kyçe të programit bërthamor të Iranit mbeten të paprekura pas sulmeve amerikane.
Në deklaratën e Ratcliffe-t, i cili është emëruar nga Trumpi, thuhet se në të dhënat e CIA-s përfshihen “të dhëna të reja të inteligjencës nga një burim/metodë historikisht e besueshme dhe e saktë se disa objekte kyçe bërthamore iraniane ishin shkatërruar dhe do të duhej të rindërtoheshin gjatë rrjedhës së viteve”.
Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, gjithashtu ka dalë në mbështetje të vlerësimit të Trumpit për dëmin e shkaktuar ndaj qendrave bërthamore të Iranit.
Në operacionin amerikan u përfshinë 125 aeroplanë ushtarakë, duke i vënë në shënjestër tri qendrat kryesore bërthamore të Iranit të shtunën.
Në pamje të reja satelitore shfaqen gjashtë gropa përreth dy pikave hyrëse në qendrën bërthamore “Fordo”. Gropa të ngjashme janë vërejtur edhe në Isfahan, por nuk është e qartë nëse janë shkatërruar objektet bërthamore që ndodhen thellë nën tokë.