Drejtori Ekzekutiv i Apple, Tim Cook, tërhiqet nga detyra pas më shumë se një dekade
Tim Cook, drejtuesi që e udhëhoqi Apple-in të bëhej një kompani me vlerë 4 trilionë dollarë dhe që përcaktoi identitetin e saj në epokën pas Steve Jobs-it, po largohet nga posti i CEO-s, njoftoi Apple të hënën.
John Ternus, zëvendëspresidenti i lartë i inxhinierisë së pajisjeve (hardware) në Apple, do të marrë detyrën e Drejtorit Ekzekutiv duke filluar nga 1 shtatori. Cook do të bëhet kryetar ekzekutiv i bordit të drejtorëve të Apple dhe do të mbetet si CEO gjatë verës për të siguruar një tranzicion të qetë, tha kompania.
"Ka qenë privilegji më i madh i jetës sime të jem CEO i Apple dhe t'më besohet drejtimi i një kompanie kaq të jashtëzakonshme," tha Cook në një deklaratë për shtyp.
Ky lajm vjen mes një sërë ndryshimesh në radhët drejtuese të Apple në fund të vitit 2025, duke përfshirë largimet e shefit të saj të Inteligjencës Artificiale, kreut të politikave dhe një prej drejtuesve kryesorë të dizajnit.
Cook, i cili u bë CEO i Apple në vitin 2011 pasi shërbeu si shef operativ i saj, ishte përgjegjës për të shtyrë Apple përtej një grushti produktesh për të cilat kompania njihej fillimisht, si Mac, iPod dhe iPhone.
Ai gjithashtu e udhëhoqi kompaninë përmes momenteve vendimtare në historinë botërore që patën një ndikim të thellë tek ajo, siç ishte pandemia e COVID-19, si dhe politikat e tarifave të Presidentit Donald Trump dhe lufta tregtare me Kinën.