Çadi e paralajmëron Sudanin për hakmarrje pas vrasjes së 17 personave që po merrnin pjesë në një varrim - NACIONALE

Çadi e paralajmëron Sudanin për hakmarrje pas vrasjes së 17 personave që po merrnin pjesë në një varrim

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Çadit e ka urdhëruar ushtrinë që të hakmerret kundër sulmeve të ardhshme nga Sudani pas një sulmi me dron që la të vrarë të paktën 17 njerëz e disa të lënduar gjatë pjesëmarrjes së tyre në një funeral.

I veshur në uniformë ushtarake, presidenti Idris Mahamat Deby thirri një takim urgjent të sigurisë të mërkurën në mbrëmje, para se ta urdhëronte ushtrinë për të qëndruar në gjendje të lartë vigjilence. Ai gjithashtu urdhëroi mbyllje të plotë të kufirit me Sudanin, raporton televizioni BBC.

Deby e përshkroi sulmin në qytezën kufitare Tine si “mizor dhe agresion flagrant” kundër integritetit territorial të Çadit.

Ai tha se sulmi ndodhi pavarësisht paralajmërimeve ndaj dy palëve që po luftojnë mes vete në Sudan dhe një mbylljeje të mëparshme të kufirit.

Muajin e kaluar, Çadi e mbylli kufirin e vet me Sudanin “deri në njoftimin e radhës” për t’i ndalur shkeljet e përsëritura të kufirit nga grupet e armatosura sudaneze.

Banorët e qytezës Tine thanë se viktimat e sulmit të së mërkurës ishin pjesëmarrës në varrim. Njëri nga banorët u citua nga agjencia “Reuters” të ketë thënë se ata ishin mbledhur në një shtëpi për ceremoninë e funeralit që e përfshinte leximin e Kuranit.

Sulmi u dënua nga Asambleja Kombëtare dhe disa deputetë të partisë në pushtet.

Lajme të ngjashme