Britania thotë se ka ngrirë pasuri ruse me vlerë të 18 miliardë funteve
Qeveria britanike tha të enjten se ka ngrirë pasuri me vlerë të përgjithshme prej 18 milionë funtesh, prona të oligarkëve rusë, individëve të tjerë e entiteteve të sanksionuara për pushtimin rus të Ukrainës.
Rusia i ka tejkaluar Libinë dhe Iranin për t’u bërë shteti më i sanksionuar nga Britania, sipas Zyrës për Zbatimin e Sanksioneve Financiare, që është pjesë e Ministrisë së Financave.
Pasuritë e ngrira ruse vlejnë gjashtë miliardë funte më shumë se sasia e raportuar nga të gjitha sistemet e tjera britanike të sanksioneve, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne ia kemi vendosur Rusisë sanksionet më të ashpra ndonjëherë dhe ato po e gjymtojnë makinën e saj luftarake. Porosia jonë është e qartë: ne nuk do ta lejojmë Putinin që të shënojë sukses në këtë luftë brutale”- tha Andrew Griffith, ministër qeveritar britanik në Thesar.
Deri më tani, Britania u ka vënë sanksione mbi 1.200 individëve e më shumë se 120 entiteteve në Rusi, përfshirë disa biznesmenë e kompani të profilit të lartë si dhe disa figura të rëndësishme politike.
Qeveria britanike i filloi vendosjen e ndalimit të udhëtimeve, ngrirjen e aseteve dhe sanksionet e tjera që më 24 shkurt, ditën kur Rusia i futi ushtarët e saj në Ukrainë.