Bideni i bën thirrje vendit që t’i refuzojë “ekstremizmin dhe tërbimin” pas tentim-vrasjes ndaj Trumpit
Presidenti amerikan, Joe Biden, të dielën e dënoi fuqishëm dhunën politike dhe i bëri thirrje kombit që t’i refuzonte “ekstremizmin dhe tërbimin” pas vrasjes në tentativë të kandidatit për president dhe ish-presidentit Donald Trump.
Në një adresim nga Zyra Ovale, Bideni tha se amerikanët duhet të përpiqen për “unitet kombëtar”, duke paralajmëruar se retorika politike në ShBA ishte bërë “shumë e nxehtë”, përderisa shtohen emocionet në muajt përfundimtarë para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, raporton gazeta “The Guardian”.
“Nuk ka vend në Amerikë për këtë lloj dhune – për asnjë dhunë. Asnjëherë. Pikë. Pa përjashtim. Ne nuk mund të lejojmë që kjo dhunë të normalizohet” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Apel i Bidenit ndaj amerikanëve “për t’u qetësuar” erdhi pasi Trumpi tha se do ta shfrytëzonte fjalimin e tij në konventën kombëtare republikane “për ta bërë bashkë tërë vendin, madje tërë botën”.
“Fjalimi do të jetë shumë më ndryshe se që do të kishte qenë para dy ditëve” – tha Trumpi, duke shtuar se realiteti i asaj që kishte ndodhur “porsa po fillon”.
Bideni tha urdhër për një rishikim të pavarur për të zbuluar se si një person i armatosur ishte në gjendje që të hipte në kulmin e një ndërtese ku kishte pamje nga tubimi i Trumpit në Pensilvani të shtunën dhe që shkrepte disa plumba në drejtim të ish-presidentit nga një “pozicion i ngritur”.
FBI-ja paralajmëroi të dielën se kërcënimet në internet për dhunë politike, tashmë të shtuara, ishin rritur që nga shkrepja e të shtënave në drejtim të Trumpit.