Azemi i LDK-së: VV po ka frikë nga kutitë e votimit, demokracia nuk është “aheng privat” në sallë dasmash
Visar Azemi i Lidhjes Demokratike të Kosovës pas vendimit të PZAP-së për të rrëzuar vendimin e Vetëvendosjes në KQZ që të përdoren restaurane dhe objekte fetare për të votuar në diasporë, tha se demokracia nuk është “aheng privat”.
Postimi i plotë:
Si duket, disa kanë aq shumë frikë nga kutitë e votimit, sa që po kërkojnë t’i shpërndajnë si dhuratat në dasma në salla dasmash.
Por, demokracia nuk është “aheng privat”.
Në vend që të merremi me planet e së ardhmes e të zhvillimit, ne sot po diskutojmë ide absurde për proceset zgjedhore.
Kjo është pasojë e keqqeverisjes, jo e krizave imagjinare.
Kemi një parti e një qeveri që trembet nga vota e lirë dhe nuk ka më besim as te vetja, prandaj edhe kërkon rrugë të çuditshme, të rrezikshme e të papranueshme.
Asnjëherë demokracia e një vendi nuk rrezikohet nga opozita, por nga qeveritë që harrojnë kufijtë e përgjegjësisë dhe këtë po e shohim çdo ditë.
Sa herë që institucionet devijojnë nga standardet, humbësi i vetëm është qytetari.