Avokati i Gogajt: Ministrja Haxhiu është juristja më e dobët në Kosovë
Avokati Besnik Berisha, i cili është avokat i tashmë të dënuarit me 7 vjet e 6 muaj burgim, për vrasjen e Agonis Tetajt, i ka reaguar ministres Haxhiu, për deklaratën e saj se “kjo nuk është drejtësi”, meqenëse klienti i Berishës u dënua vetëm 7 vjet e gjysmë.
Berisha në një intervistë dhënë në Frontal T7, ka thënë se Haxhiu është juristja më e dobët në Kosovë.
“Ditën kur ministrja e Drejtësisë mësohet me nda drejtësi, unë e lë avokatinë dhe shkoj e merrem me bujqësi. Ajo është juristja më e dobët që ka pasë Kosova. Ministrja s’është kryegjyqtarë, s’është KGJK, është një qytetare që është vetë e dënuar”, ka thënë Berisha në Frontal.
“Po të ishte juriste ajo s’do t’i komentonte vendimet e gjykatave. Pse s’e komentoi vendimin ndaj saj për gaz”, ka shtuar tutje.
“Për veprimin që Shabani sot mori 3 vjet, ministrja ka marrë dënim me kusht. Deklarimet e ministres e ka sjellë rastin këtu ku është sot”, ka theksuar Berisha.”
Agonis Tetaj u vra në vitin 2018, nga Shaban Gogaj, e ky i fundit u dënua sot, me vetëm 7 vjet e gjysmë burgim për vrasje nga pakujdesia.