Amerika vendosi sanksione ndaj zyrtarëve iranianë - NACIONALE

Amerika vendosi sanksione ndaj zyrtarëve iranianë

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj shtatë zyrtarëve iranianë për ndërprerjen e aksesit në internet dhe shtypjen e protestave paqësore pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgimin e policisë fetare.

Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Ministrit të Brendshëm të Iranit, Ahmad Vahidi, Ministrit të Komunikimit Eisa Zarepour dhe Vahid Mohammad Nasser Majid, kreut të policisë kibernetike të Iranit, thuhet në deklaratë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë mbylljen e aksesit në internet me urdhër të qeverisë iraniane dhe shtypjen e dhunshme të protestave paqësore”, tha zëvendëssekretari i Thesarit, Brian Nelson. SHBA nuk do të hezitojë të vendosë sanksione ndaj atyre që menaxhojnë dhe mbështesin aktivitete të tilla, shtoi ai.

Shoqatat: Më shumë se 150 njerëz u vranë në trazirat

Trazirat anembanë Iranit të shkaktuara nga vdekja e Amini-t janë shndërruar në një sfidë të madhe për udhëheqësit klerikë të Iranit, me protestuesit që bëjnë thirrje për rënien e Republikës Islamike, të themeluar në vitin 1979.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se mijëra janë arrestuar dhe qindra të plagosur në një goditje ndaj protestave nga forcat e sigurisë, duke përfshirë Basij, një njësi paraushtarake vullnetare e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit. Shoqatat vlerësojnë se mbi 150 njerëz u vranë.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj policisë fetare të Iranit në lidhje me akuzat për abuzim të grave iraniane, duke thënë se ajo e konsideron policinë përgjegjëse për vdekjen e Amini, një gruaje kurde iraniane e cila vdiq pasi u arrestua në Teheran më 13 shtator për dyshimin se kishte veshur veshje të papërshtatshme. /Nacionale/

Lajme të ngjashme