Aleanca i reagon Rizvanollit: Qeveria Haradinaj është votuar pesë muaj pas atij dokumenti që iu referuat, do të jepni përgjegjësi
Aleanca i ka reaguar deputetes së Vetëvendosjes, Artane Rizvanollit, e cila tha se praktika e riparimit të vagonëve të trenit në Zrenjanin është bërë edhe nga Qeveria Haradinaj më 2017.
“Dokumenti që deputetja Rizvanolli ka publikuar në profilin e saj zyrtar i takon datës 17 prill 2017, ndërsa Qeveria Haradinaj është votuar më 9 shtator 2017, plot pesë muaj pas dokumentit të cilit ajo po i referohet,” reagoi Alenca.
Postimi i plotë:
Deputetja Rizvanolli, e cila jashtëligjshëm ka uzurpuar postin e Ministres, për të cilën do të japë përgjegjësi, po përpiqet t’i fshehë skandalet e saj aktuale të bashkëpunimit me Serbinë.
Dokumenti që deputetja Rizvanolli ka publikuar në profilin e saj zyrtar i takon datës 17 prill 2017, ndërsa Qeveria Haradinaj është votuar më 9 shtator 2017, plot pesë muaj pas dokumentit të cilit ajo po i referohet.
Në vend që të merret me dështimet dhe bashkëpunimet e saj skandaloze, ministrja duhet t’u përgjigjet qytetarëve se edhe sa punëtorë të tjerë të ndërmarrjeve publike po i kërcënojnë me largim nga puna, vetëm pse po ua shfaqin skandalet dhe po guxojnë të thonë të vërtetën në rrjete sociale, siç është rasti i fundit në Trainkos.
Tregojini opinionit se pse edhe sot e kësaj dite, këta ekspertë nga Serbia gjenden dhe operojnë lirshëm brenda hapësirave të Trainkos.
Nuk pritet asgjë përpos gënjeshtrave prej njerëzve që ilegalisht i kanë uzurpuar institucionet e shtetit dhe për të cilët, e ritheksojmë edhe një herë, se do të japin përgjegjësi.