Abdixhiku: Përgjegjësia e LDK-së është të gjejmë rrugdalje nga kjo krizë dhe jo të ushqejmë
Kryetari i LDK-së ka dalë në konferencë për media pas një mbledhjeje disaorëshe, ku është diskutuar për situatën dhe krizën në të cilën gjendet Kosova.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja është e interesuar të gjejë rrugëdalje nga kjo krizë dhe jo ta ushqejë atë.
“Përgjegjësia jonë si LDK nuk është të ushqejmë krizën, por të ofrojmë rrugëdalje nga kjo krizë e tanishme. Ky është qëllimi përmbajtësor dhe identitar i LDK-së.Republika e Kosovës po kalon në njërën prej periudhave më të rënda të pasigurisë politike dhe institucionale. Tensionet e vazhdueshme politike, përplasjet e papranueshme dhe gjuha që nxit urrejtje e ndarje po e dëmtojnë rëndë jetën publike, ndërsa institucionet që duhet të garantojnë rendin, stabilitetin dhe përfaqësimin demokratik vazhdojnë të mbeten jofunksionale. Në këtë vijë, edhe ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës shfaqin më së rëndi gjendjen në të cilën është Republika e Kosovës. Zvarritja e Kuvendit dhe e afateve kushtetuese nuk janë vetëm mosmarrëveshje politike, por përbëjnë një papërgjegjësi të rëndë kushtetuese dhe po e fusin vendin në një terren të rrezikshëm të sigurisë juridike. Për LDK-në, Kosova nuk mund të mbetet peng i ambicieve të partive politike, as i protagonizmave individualë dhe betejave për pushtet të pafund. Për LDK-në, kapërcimi i kësaj gjendjeje kërkon maturi politike, respektim të rendit kushtetues dhe angazhim serioz për rikthimin e funksionalitetit institucional. Përgjegjësia jonë si LDK nuk është të ushqejmë krizën, por të ofrojmë rrugëdalje nga kjo krizë e tanishme. Ky është qëllimi përmbajtësor dhe identitar i LDK-së”, tha ndër të tjera.
Abdixhiku ka bërë të ditur se LDK-ja ka kontaktuar me të gjitha subjektet politike gjatë ditës së djeshme, për shkak të përgjegjësisë ndaj shtetit.