Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, sot është dënuar me dy vjet burgim dhe gjobë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë. Lidhur me këtë ka reaguar edhe ish-bashkëpunëtori dhe ish-bashkëpartiaku i tij, Haki Abazi, me akuza të rënda ndaj tij.
Abazi, përmes një shkrimi të gjatë, ka folur për karrierën e Ahmetit, si dhe për atë që i ka quajtur “aventurat” e tij gjatë dy mandateve në krye të Prishtinës.
Ai ka qenë i ashpër me ish-studentin e Harvardit, Shpend Ahmetin, duke i atribuar tri epitete: “gënjeshtar, hajn dhe frikacak”.
“FENOMENI SHPEND AHMETI: SI E VRAMË VETË SHPRESËN QË E KRIJUAM. Një diplomë nga Harvardi nuk mund të zëvendësojë guximin për të vdekur për qytetin, për vendin. E kam themeluar GAP-in me të, sot më ka borxh me mijëra euro të marra hua dhe të pakthyera kurrë! Hajn, gënjeshtar dhe frikacak!”, ka shkruar Abazi.
Sipas Abazit, tatëpjeta, ose siç e quan ai “stërkeqja”, e Ahmetit kishte nisur në mandatin e dytë si kryetar i Prishtinës, pasi aty, sipas tij, kishte filluar të “korruptohej”.
“Fenomeni Shpend Ahmeti nuk ishte njeriu. Ishte projeksioni ynë qytetar! Prishtina e vitit 2013 ishte një qytet i lodhur. Ne nuk votuam për Shpendin. Ne votuam një shpresë! Dhe ai, në mandatin e parë, sikur e luajti rolin perfekt. Ndaloi pak betonizimin në qendër, solli autobusët e rinj, hapi komunën për qytetarët, ishte cool, ishte ndryshe.
Por në mandatin e dytë, diçka ndryshoi. Kur e sheh qytetin çdo ditë nga zyra e kryetarit, fillon ta shohësh jo si plan urbanistik, por si bilanc. Çdo ndryshim i planit rregullues nga 6 në 12 kate është një milion euro. Çdo leje ndërtimore në Mati 1, në Lakrishte, në Sofali, është një pazar. Urbanizmi pushoi së qeni profesion dhe u bë biznes. Dhe aty fillojnë paratë. 172,600 ARSYET PSE U RRËZUA SIMBOLI. 172,600 euro për vete, fëmijëve kifle, ndërsa qytetit kunjat!”
Duhet theksuar se Ahmeti është dënuar për veprën penale të mosdeklarimit të pasurisë. Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ai akuzohet se nuk ka deklaruar mjete financiare në vlerë prej 54 mijë e 400 euro, të pranuara në llogaritë personale të nënës së tij, si dhe 118 mijë euro
të tjera. Sipas aktakuzës së Prokurorisë, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin në 172 mijë e 600 euro.
Postimi i plotë i Abazit:
Një diplomë nga Harvardi nuk mund të zëvendësojë guximin për të vdekur për qytetin, për vendin.
Hajn, gënjeshtar dhe frikacak!
E kam themeluar GAP-in me të, sot më ka borxh me mijëra Euro të marra hua dhe të pakthyera kurrë!
Në vitin 2007, në Prishtinë, me dy kompjutera. Ideja ishte heretike për Kosovën e asaj kohe: politika mund të matet me fakte. Buxhetet mund të lexohen. Pushteti mund të kontrollohet me Excel, jo vetëm me flamur. Vizioni zhvillimor duhet ta bëjë Prishtinën Evropiane, ndryshe nga çfarë ka qenë ndonjëherë. Republikës i duhet një kryeqytet i vërtetë!
Shpendi ishte njeriu ideal për atë ide.
I ri. I shkolluar në Harvard. Me anglishte të përsosur. Flisiste për taksa progresive, për transport publik, për zona ekonomike, kur të gjithë të tjerët flisnin për luftë, tradhti dhe patriotizëm. Nuk ishte nga lufta. Nuk ishte nga klanet. Ishte i pastër.
E bëmë simbol qytetare , simbolit anti-korrupsion, dhe në vitin 2013 u bë kryetar i kryeqytetit me një fjali që sot më tingëllon si mallkim:
"Një djalë nga Harvardi ka me i dalë zot urbanizmit."
Këtë fjali nuk do të guxoja kurrë ta thosha përballë Rexhep Lucit.
Rexhep Luci nuk kishte ardhur nga Harvardi. Kishte ardhur nga Prishtina.
Arkitekt, urbanist, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit pas luftës. Në vitin 2000, kur Prishtina ishte kthyer në xhunglën më të egër të Ballkanit, ku çdo komandant, çdo biznesmen, çdo kriminel ndërtonte nga pesë kate pa leje në mes të qytetit, Rexha tha: MJAFT.
Dosja e Rexhep Lucit nuk kishte 172,600 euro të padeklaruara. Kishte një plan urbanistik dhe një listë objektesh për rrënim. Ai nuk kishte depozita cash përmes ATM-ve. Kishte kërcënime me vdekje çdo ditë. Dhe vdiq i varfër.
Ky është kontrasti që e vret çdo krahasim.
FENOMENI QË ISHTE PROJEKSION YNI
Fenomeni Shpend Ahmeti nuk ishte njeriu. Ishte projeksioni ynë qytetarë!
Prishtina e vitit 2013 ishte një qytet i lodhur. Ne nuk votuam për Shpendin. Ne votuam një shpresë!
Dhe ai, në mandatin e parë, sikur e luajti rolin perfekt. Ndaloi pak betonizimin në qendër, solli autobusët e rinj, hapi komunën për qytetarët, ishte cool, ishte ndryshe.
Por në mandatin e dytë, diçka ndryshoi.
Kur e sheh qytetin çdo ditë nga zyra e kryetarit, fillon ta shohësh jo si plan urbanistik, por si bilanc. Çdo ndryshim i planit rregullues nga 6 në 12 kate është një milion euro. Çdo leje ndërtimore në Mati 1, në Lakrishte, në Sofali, është një pazar. Urbanizmi pushoi së qeni profesion dhe u bë biznes.
172,600 ARSYET PSE U RREZUA SIMBOLI, 172,600 euro për vete, femijëve kifle ndërsa qytetit kunjat!
Sot, Prokuroria Speciale e akuzon Shpend Ahmetin për 172,600 euro të padeklaruara.
Sipas aktakuzës zyrtare të konfirmuar nga Apeli:
- 118,200 euro CASH të depozituara personalisht nga vetë ai, dorazi dhe përmes ATM-ve, në Bankën Ekonomike dhe BKT.
- 54,400 euro të ardhura nga llogaria personale e nënës së tij L.A.
Periudha: 2018-2022. Pikërisht vitet kur ishte kryetar.
Një njeri nga Harvardi e di që çdo depozitë cash mbi 1,000 euro lë gjurmë. E di që mënyra e depozitimit me nga 500-1,000 euro në ATM quhet "structuring", mënyrë klasike për të shmangur raportimin në Njësinë e Inteligjencës Financiare. Një njeri që mësoi në GAP si të lexojmë deklaratat e pasurisë, nuk paska ditur të deklarojë pasurinë e vet?
Deklarata e tij zyrtare në vitin 2019 ishte: 4,200 euro në bankë, një veturë Skoda 8,000 euro, banon në shtëpinë e vëllait ( me shumë pikpyetje si).
Ndërkohë, në prapavijë, 118 mijë euro cash po futeshin ngadalë në bankë. A janë të gjitha?
Nëse ato para janë të pastra - honorare nga AUK, nga Banka Botërore, nga USAID, kursime familjare - pse nuk u deklaruan kurrë? Pse u mbajtën cash në shtëpi si në vitet '90? Pse u transferuan nga llogaria e nënës dhe jo me një burim të dokumentuar?
Dhe këtu është thelbi moral:
Rexhep Luci vdiq sepse nuk pranoi të marrë para nga urbanizmi. Shpend Ahmeti po gjykohet sepse nuk po di të shpjegojë paratë gjatë kohës sa ishte shef.
Njëri la pas një emër rruge. Tjetri po lë pas një aktakuzë.
DËNIMI I BUTË QË E LEGALIZON KORRUPSIONIN
Dhe tani vjen pika ku e gjithë drejtësia bëhet teatër: dënimi.
Nëse e vërteta që po qarkullon del e saktë - 2 vite burg me kusht dhe pa konfiskim të pasurise- atëherë ne nuk kemi dhënë drejtësi. Kemi dhënë çmimore për korrupsionin e ardhshëm.
Le ta llogarisim si dikur në GAP:
Fitimi i padeklaruar: 172,600 euro.
Dënimi: 0 ditë burg efektiv (sepse me kusht nuk hyn askush brenda) + 0 euro konfiskim.
Ekuacioni i krimit bëhet:
Rrezik = 0. Profit = 172,600 euro.
Kjo nuk është dënim. Kjo është tarifë. Është leje.
Ligji Nr. 08/L-121 për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, neni 19, thotë qartë: nëse pasuria nuk përputhet me të ardhurat e ligjshme, konfiskohet edhe pa pasur nevojë për dënim penal shtesë. Është bërë pikërisht për raste si ky.
Sepse në Kosovë akoma kemi mentalitetin feudal: kryetari nuk është hajdut, është "i shkathët". Dhe të shkathëtit nuk u preket pasuria. U jepet një dënim moral që tingëllon bukur në lajme: "U dënua me 2 vite burg". Por në xhep nuk i preket asgjë.
Rexhep Luci pagoi me jetë për 0 euro.
Shpend Ahmeti po paguan me 0 ditë burg për 172,600 euro
Unë nuk jam i zemëruar me Shpendin. Jam i zhgënjyer me ne, me mua!
Me ne që krijuam një idhull nga një njeri, në vend që të krijonim një sistem që funksionon edhe kur idhulli dështon. Menduam se mjafton një njeri i mirë, i shkolluar, për ta shpëtuar një qytet që ka vrarë njeriun e fundit që guxoi ta shpëtojë me të vërtetë.
Urbanizmi nuk shpëtohet me diploma nga Harvardi. Shpëtohet me guximin e Rexhep Lucit për të vdekur për planin.
Sot, kur e shoh Prishtinën nga dritarja - me pak trotuare, me pak çerdhe, pa parqe, me pallate të larta pa plan, - nuk e shoh më as Rexhën, as Shpendin.
Shoh vetëm 172,600 arsye pse e vramë vetë shpresën që e krijuam.