24 vite burgim dhe 500 euro gjobë ndaj të akuzuarit për vrasjen e gruas në Llaushë të Skenderajt - NACIONALE

24 vite burgim dhe 500 euro gjobë ndaj të akuzuarit për vrasjen e gruas në Llaushë të Skenderajt

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Skender Qerimajt, duke e dënuar me dënim unik prej 24 vitesh burgim dhe 500 euro gjobë, për vrasje të bashkëshortes dhe tre vepra tjera penale.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Qerimaj u shpall të hënën, nga kryetari i trupit gjykues Veljko Vuqetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Qerimaj për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim, për “Dhunë në familje” u dënua me 1 vit burgim dhe 500 euro gjobë, për “Vrasje të rëndë”, u dënua me 22 vite burgim, kurse për armëmbajtje pa leje”, një vit burgim.

Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik me 24 vite burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 5 janari 2022 dhe dënim me gjobë në lartësi prej 500 euro, të cilën detyrohet ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Në rast se i njëjti nuk e paguan dënimin me gjobë, i njëjti do t’i zëvendësohet në dënim me burgim, ku për 20 euro do t’i llogaritet një ditë burgim.

Gjykatësi Vuqetiq bëri të ditur se të akuzuarit do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Po ashtu, të akuzuarit i konfiskohet pistoleta “Zoraki” dhe tre fishekë të saj.

I akuzuari obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe paushallit gjyqësor në vlerë prej 100 euro dhe në emër të fondit të kompensimit të viktimave të krimit 50 euro, dhe kjo në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

I dëmtuari Shaban Sahiti dhe trashëgimtarët e tjerë të viktimës, kërkesën pasurore-juridike u udhëzuan ta bëjnë në kontest të rregullt civil.

Lajme të ngjashme