“2 milionë euro për bileta”, Bajrami: Kurrë në historinë e Kosovës s’ka ndodhur keqpërdorim më i madh i buxhetit, turp
Kandidatja për deputete e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër pasi Qeveria në detyrë e Albin Kurtit dje ka ndarë 2 milionë euro për linjat ajrore përmes të cilave udhëtojnë mërgimtarët.
Ajo ka bërë me dije se kurrë në histori të Kosovës nuk ka ndodhur keqpërdorim më i madh i buxhetit të Kosovës.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se kjo është e papranueshme dhe e turpshme.
“E turpshme. E papranueshme. Keqpërdorim klasik i buxhetit në kohë zgjedhjesh. Para një jave ndau rreth 100 milionë euro. Sot edhe 2 milionë të tjera për bileta. 100-she, 500-she, subvencione e bileta – krejt këto jo pse Kurti brengoset për ju, po sepse ju votoni me 7 qershor. Mos harroni: këto janë paratë e rrugëve që nuk u kryen, shkollave e çerdheve që nuk u ndërtuan, digjitalizimit të arsimit që nuk nisi asnjëherë, barnave që mungojnë në spitale dhe naftës që e keni paguar më shtrenjtë. Mbi të gjitha janë paratë tuaja e tonat me të cilat po tentohet të blihet vota juaj me 7 qershor e me të edhe heshtja juaj për 4 vjet. Kurrë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhë keqpërdorim kaq i madh i buxhetit në prag të zgjedhjeve. Turp.”, ka shkruar ajo.