Stutz, terapisti ndryshe: Çka na thotë dokumentari për të cilin po flasin të gjithë? - NACIONALE

Stutz, terapisti ndryshe: Çka na thotë dokumentari për të cilin po flasin të gjithë?

3 vjet më parë

nga Jetlir Buja

Çka na thotë dokumentari për të cilin po flasin të gjithë?

“Ti s’mund ta lexosh deri në fund këtë artikull,” – mund të jetë duke llomotitur Pjesa Iks brenda teje nëse ke telashe me leximin e artikujve më të gjatë se 500 fjalë. “Ti s’mund ta lexosh asnjë artikull të gjatë, lëre më ndonjë libër...” – mund të vazhdojë ajo. Dokumentari i Xhona Hillit flet bash për këtë Pjesë që ndodhet brenda secilit prej nesh, që na dërrmon përditë, derisa na e paraqet psikanalistin e tij, Fill Stucin.

Dorën në zemër, s’do të harxhoja kohë që të shkruaja për këtë dokumentar po të mos më kujtohej komenti i një psikologu kosovar që i bënte jehonë e i jepte legjitimitet fushatës linçuese ndaj një gruaje në Kosovë. Kjo grua ishte Zana Avdiu, dhe ajo ishte shprehur kritike ndaj një gjesti të futbollistit Granit Xhaka. Komentet seksiste e linçimet i vinin nga të gjitha anët. E në atë tufë idiotësh u bashkua edhe psikologu Naim Telaku duke bërë ‘diagnozë publike’.

Telaku s’ishte kurrkushi. S’ishte veç një psikolog. Ai ishte drejtor i Asociacionit të Psikologëve të Kosovës dhe anëtar i Bordit të licencuesve të psikologëve klinikë. Pra, Telaku është një prej psikologëve kryesorë në Kosovë, në mos qoftë kryesori. Tash, veç mund ta merrni me mend se si qëndron puna me psikologët e tjerë të vendit tonë. Prandaj dhe vetëm prandaj, besoj është e rëndësishme që në Nacionale të kemi sa më shumë artikuj për shëndetin mendor. Populli është keq. Po vuan. Po lëngon. Etj.

T’i rikthehemi sërish Stucit.

Ky është një dokumentar personal në të cilin Xhona Hilli – një aktor i famshëm amerikan – e kallëzon terapistin e tij, Fill Stucin. Hilli thotë se është ndihmuar prej Stucit, dhe meqë është ndihmuar, kërkon që ta shpërndajë ndihmën edhe te ne të tjerët.

Stuci s’është terapist i zakontë. Ai thotë se në vend se të marrë qëndrim pësor si terapistët tjerë është i angazhuar menjëherë me pacientin e tij. Ai i kërkon ndryshim të stilit të jetës për shkak të shëndetit mendor.

“Kur isha fëmijë, ushtrimet dhe dieta mu dhanë në formën “ka diçka që s’shkon me mënyrën qysh dukesh” (prandaj të duhen ushtrimet e dieta). Por kurrë ushtrimet e dieta nuk mu propozuan për shëndetin mendor. Do të doja që të më paraqiteshin më ndryshe. Sepse mua, ajo më shkaktoi shumë telashe.” – shpjegon në dokumentar Hilli.

Pra, Stuci nuk është prej atyre terapistëve që rrinë e këqyrin seri e mbajnë shënime e mendojnë derisa kërkojnë prej pacientit të shprehet e të shprehet pafund. Ai provon të ndërhyjë, menjëherë, në mënyrë që ndikimi të jetë i menjëhershëm.

Pjesa Iks është një prej koncepteve më interesante të sistemit të tij. Nëse ende jeni duke e lexuar këtë artikull, do të thotë se nuk jeni mposhtur ende prej Pjesës Iks brenda jush. Nëse jeni mposhtur, shpresojmë se do ta mposhtni herën tjetër. Pjesa Iks s’mund të mposhtet asnjëherë përfundimisht. Ai është armiku i brendshëm që provon të na sabotojë në çdo hap që ndërmarrim. Ta zëmë, mua tash po më thotë se ‘ky artikull s’ka asnjë kuptim’, e se ‘jam i vetëm me lexuesit që janë dorëzuar në rreshtat e parë’.

Stuci në këtë dokumentar ofron aletet e tij për ta mposhtur këtë armik të brendshëm.

Dhe, mu ky armik i brendshëm na del edhe te dokumentari si një aktor që ka dorën e tij jo vetëm në narracion por edhe në teknikat regjisoriale të përdorura. Pjesa Iks e Xhona Hillit. Ky i fundit shpreh lëndueshmërinë e vet. Hedh dyshime nëse dokumentari do të ketë sukses. Hedh dyshime nëse ka kuptim të bëhet ajo që po bëhet. E të tjera. Dhe ne... e shohim të gjallë dëmin e frikshëm që mund të prodhohet prej saj.

Filmi ka marrë një notë tepër të lartë në IMDb prej 7.9, dhe kritika mjaft pozitive si kjo e shkruar nga Liza Kenedi (Lisa Kennedy) në the New York Times.

Mund të jetë ndihmuese për secilin prej jush që thjesht të mendoni për Pjesën Iks brenda jush. T’i hiqni legjitimitetin mendimeve që prodhohen prej saj. Mund të jenë ndihmuese edhe aletet e Stucit. Mirëpo, definitivisht do të jetë frymëzues dokumentari në vetëvete. Jo detyrimisht që të luftoni depresionin e ankthin. Por, thjesht për të shijuar diçka të bukur këtë të diele.

Ndërkohë, a mos duhet të mendojmë për ekzistencën e mundshme të Pjesës Iks brenda debatit publik në Kosovë? Marrë parasysh gjithë gjuhën e urrejtjes, përqeshjet e pafundme, bullizimet e ngacmimet, unë mendoj se po.

Lajme të ngjashme