Qysh i përzë kosovarët filmi "Zgjoi"? - NACIONALE

Qysh i përzë kosovarët filmi "Zgjoi"?

2 vjet më parë

nga Jetlir Buja

KUJDES: Ky shkrim përmban ‘spoiler’-a dhe nuk mund të ç’lexohet pasi të lexohet!

Edhe në mungesë represioni shtetëror, janë dy gjëra që shoqërisë tonë ia mbyllin gojën me njëfarë diktati të habitshëm: vdekja dhe ndërkombëtarët. Sa herë që një kosovar vdes, shoqëria jonë nuk kursen lavdet për të, edhe nëse e ka menduar të kundërtën e plotë derisa ai merrte frymë. E njëjta ndodh edhe kur vepra e filan kosovarit merr vlerësim ndërkombëtar. Prandaj, duke qenë rezistentë ndaj ndërkombëtarit dhe duke njohur natyrën e shtypur të reagimeve pozitive prej tribuje nga shoqëria, nuk kishim lejuar kurrfarë paragjykimi pozitiv brenda nesh për filmin “Zgjoi”.

Në anën tjetër, kërshëria e përmasave gati epike për filmin (që kishte dalë prej 31 janarit të vitit të kaluar), por edhe tematizimi që i bëhej një rrëfimi për Kosovën në të cilin bënim pjesë vetë, nuk kanë lejuar formësimin e asnjë paragjykimi negativ. Ishim thjesht kuriozë e mendjehapur.

Dhe... e pamë!

Fahrija

Filmi ofron një tjetër përjetim mbi pasojat e luftës në Kosovë, por duke e shmangur mjeshtërisht pushtetin e vuajtjes, mbiglorifikimin e klisheizuar të saj, dhe duke i theksuar çastet e përditshmërisë dhe rëndomësisë bajate të protagonistes, përmes një qasjeje realiste. Por, derisa kjo ndodh, na shfaqen aspekte teknike që zbulojnë vrima të thella dhe që e shthurin krejt realizmin e tij.

Protagonistja e këtij filmi, Fahrija, në jetën reale është një grua frymëzuese të cilën e njihnim nga shumë e shumë kronika televizive në të cilat ishte shfaqur. Ajo është një grua e fortë që përkundër dhimbjes për zhdukjen e dhunshme të burrit gjatë luftës, kishte arritur të hapte organizatë joqeveritare, biznes të suksesshëm, të merrte pjesë për nja katër vjet në politikë, etj. Para se të shfaqej për 84 minuta te “Zgjoi”, ajo ishte shfaqur për më shumë se 840 minuta para publikut kosovar. Është një grua që nuk ngurron ta shprehë atë që e mendon e nuk ngurron ta kërkojë atë që i përket.

Sidoqoftë, te filmi “Zgjoi” nuk e pamë të njëjtën grua. Bile, u munduam ta gjenim duke e shikuar dy herë. Por, ja që s’ishte aty. Filmi që i dedikohej një gruaje fatkeqe me burrin e zhdukur në luftë, edhe vetë ishte zhdukur. Regjisorja Blerta Basholli kishte zgjedhur të përqendrohej në aspektin trupor të afrimit të aktores me Fahrijen duke harruar krejtësisht tablonë e madhe. Edhe pse flokët e gjatë ishin pjesa qendrore e pamjes së Yllka Gashit, filmi mundohej ta paraqiste Fahrijen sidomos në duart e saj, te pulitja e kapakëve të syve, te mbledhja e buzëve, te pamjet e shpeshta në profil dhe te këqyrja mendueshëm jashtë dritares. Karakteri mungonte!

Edhe nëse harrojmë për një moment Fahrijen, personazhi në vetvete është po ashtu mungues. Nuk është ndërtuar hiç, ndoshta meqë regjisorja u mbështet fort në epigrafin “Bazuar në ngjarje të vërtetë”. Ky kryepersonazh na shfaqet si një grua e butë në raportet familjare, gati krejt pësore në raport me rrethanat, e druajtur në raport me shoqet e saj dhe përgjithësisht e nënshtruar ndaj shtypjes patriarkale. Nuk ka asnjë element karakteri që çon drejt angazhimit të saj në OJQ apo biznes. Të vetmet çaste tamam bindëse janë ato kur ajo ndodhet e vetme: e ndreq një rubinet që po rridhte, kridhet në mendime ose gatuan për familjen.

Fahrija reale ndërkohë, jo që nuk ishte pësore në raport me rrethanat, por tregonte hapur se ambicie për biznes kishte pasur edhe në kohën kur burrin nuk e kishte të zhdukur. Filmi jep përshtypjen sikur kjo ambicie është produkt i kësaj fatkeqësie dhe gjendjes së përkeqësuar financiare.

“Edhe para luftës, kom pasë dëshirë t’mirrna me biznes... jo veç me punët e përditshme.” – thoshte Fahrije Hoti, për ABC News Albania.

Rroftë shtypja… përfshirë shtypjen patriarkale (me kushtin që të mos shihet)

Nga një skenë në tjetrën kërcehet tepër arbitrarisht. Kjo është një teknikë regjisoriale e përdorur edhe në shumë filma të tjerë, por në të cilët nuk mungojnë elementet që bëjnë lidhjen e kujdesshme mes njërës dhe tjetrës, edhe nëse jo detyrimisht në formë kronologjike. Këtu shpesh nuk ka asnjë element lidhës.

Cili është momenti themeltar i gjithë tregimit, pra i nisjes së idesë për biznes?

Pa asnjë rrethanë paraprijëse shohim se si Fahrija ndodhet në një zyrë ku një grua tjetër e quajtur Zamira bisedon me një menaxher/pronar të një qendre tregtare, dhe ku bash ky i fundit e shtyn përpara idenë për shitjen e ajvarit shtëpiak. Zamira nuk shfaqet kundërshtuese në takim. Fahrija rri gjithë kohën e heshtur. Dhe pastaj, kur dy gratë dalin nga takimi, shohim që Zamira është kundërshtuese, ndërsa Fahrija mbështetëse e idesë në fjalë. Kaq. U krye. Domethënë, ky ishte themeli. Kjo jo veç që nuk ka lidhje me realitetin, por e prish edhe koherencën e trillit.

Një tjetër kërcim i çuditshëm na shfaqet edhe në një moment tjetër që mund të ishte themeltar. Si shikues që e kanë njohur Fahrijen si udhëheqëse protestash për të zhdukurit dhunshëm në luftë, është e vështirë të kuptohet përbuzja që ajo ndien për fjalimin që po mbahej në protestën nga e cila duket se më pas largohet heshturazi. Një shkrim të plotë do ta meritonte veç anatomia e skenës në fjalë që dëfton mungesën e çfarëdo subjekti në të cilin do të magnetizohej i gjithë rrëfimi. Pse largimi nga protesta? Dhe pse, ta zëmë, Fahrija nuk e merr me vete në kerr edhe vjehrrin e saj që po ashtu shfaqet aty? Ose të paktën, pse nuk sheh me sy drejt tij për t’i lënë të kuptonte se po largohej? Ose, pse nuk ka një konflikt me vjehrrin për atë largim më vonë? Nëse regjisorja ka dashur të ndërtojë idenë se Fahrija ishte lodhur nga fjalët, dhe se kërkonte të mos shihej thjesht dhe vetëm si viktimë – e që do ta bënte skenën themel të asaj që ndodh më vonë – ka dështuar. Për ‘fat të keq’, realiteti vazhdon të ekzistojë dhe koherenca e tij është kusht i pakapërcyeshëm edhe për tregimet me fantazinë më të shfrenuar!

Përveç kësaj, çka po bënte flamuri i Kosovës në supermarketin e biznesmenit në një skenë që presupozohej të kishte ndodhur para Pavarësisë? Nuk e besoj që regjisorja po provon të na thotë që përveç shtytjes së idesë së ajvarit, biznesmeni në fjalë ishte edhe ideatori sekret i flamurit të shtetit tonë. Por, ajo që definitivisht nuk shohim te anastomozat e skenarit është hapja e ndonjë deriçke sado të vogël për të na kujtuar varfërinë e shoqërisë që rrethon Fahrijen dhe pasojave të paevitueshme të saj. Gratë tjera nisin e punojnë në shtëpitë e tyre për biznesin me Fahrijen edhe pse ju duhet të hyjnë në konflikt me vjehrrit e kunetërit e tyre jo sikur të kishin ndonjë nevojë të madhe ekonomike, por sikur ky të ishte ndonjë aktivitet kulturor a sportiv. Përkundër denoncimit të drejtë të patriarkalizmit, nuk ka askund denoncim të sistemit ekonomiko-politik. Përkundrazi! Ky sistem na shfaqet i dhembshur e i mirë, qoftë në figurën e biznesmenit/menaxherit me flamur të Kosovës para shpalljes së Pavarësisë, qoftë në figurat e dy punëtorëve të institucioneve që punojnë në gjetjen e burrit të saj të zhdukur. Rroftë sistemi, pra! Rroftë shtypja!

A është e nevojshme të thuhet që përgjegjësit kryesorë edhe për shtypjen patriarkale janë burrat me pushtet - të tillët si personazhi i mësipërm që ideon ajvarin shtëpiak dhe flamurin e Kosovës - ose të paktën janë larg më përgjegjës se do burra në ndonjë çajtore katundi? I këtillë siç bëhet, denoncimi i patriarkalitetit duket më shumë një shfryrje klasore e provinciale mendjengushtë sesa bash denoncim.

Përveç biznesmenit që paraqitet si një joshtypës por shtytës grash, të gjithë burrat tjerë (përfshirë vjehrrin e Fahrijes) paraqiten si burra shtypës e të paedukatë. Pajtohemi që shumica dërrmuese e burrave janë shtypës e të dhunshëm (nuk pajtohemi që biznesmenët janë përjashtim) mirëpo logjikshëm në këtë pikë shtrohet pyetja: pse gjithë ajo vuajtje e madhe për burrat e zhdukur nga Krusha nëse burrat që nuk ishin zhdukur – baballarë, vëllezër, kushëri e shokë të të zhdukurve – ishin aq shtypës? A s’çon kjo logjikshëm në një ndjenjë lirie nëse i kundërvihemi patriarkalitetit përnjëmend? Pra, a s’do të duhej që Fahrija të përjetonte edhe një ndjenjë lirie, e me këtë edhe dilemën morale se po e përjetonte atë, nëse përnjëmend burrat e Krushës janë aq shtypës? Dhe sidomos, meqë Fahrija siç e thotë vetë në jetën reale, ka pasur dëshirë të hapte biznes edhe para se t’i zhdukej burri? Dhe edhe më sidomos: pse nuk ka asgjë për burrin e saj të zhdukur, përveç që ishte i urtë dhe merrej me bletë?

Rol, rol, dhe vetëm rol

Pjesa më e pëlqyer e filmit është kur Fahrija e indinjuar me dëmtimin e punës së bërë me ajvar, shkon dhe e gjuan me gurë çajtoren ku të pandehurit për fajtorë (do burra të tmerrshëm mizogjinistë) rrinin. Shumë bukur! Sidoqoftë, kur pronari i asaj çajtoreje del jashtë dhe i bërtet Fahrijes, kemi rikthimin e kryepersonazhit pësor e të pafjalë që nuk përfshihet në konfrontim. Duke e njohur Fahrijen reale ku shfaqet ashiqare karakteri konfrontues, është përsëri e zorshme të besohet skena. Por, edhe nëse lëmë Fahrijen reale anash, një konfrontim i mëpastajmë verbal do të ndodhte edhe nga protagonistja. Ose të paktën, ajo do ta bënte një kërkesë sqarimi apo një shpjegim nga frika me zë të lartë.

“Kur t’vij këtu, n’boftë mrezha ni euro, këta njo e gjysë ma shesin.” – thotë Fahrija reale e qeshur duke ngucur tregtarët që ndodheshin aty.

“Pse?” – e pyet po duke qeshur gazetarja.

“Se e dinë që mirrna me biznis... ja po boj hajgare po, m’njohin se m’njeh krejt Kosova.” – përgjigjet.

Por, pse e kemi këtë mungesë fjalësh mu në kohën kur ato duken të domosdoshme për t’i dhënë kuptim filmit? Me shumë gjasë regjisorja ka vuajtur sa herë që Yllka Gashi ka folur në këtë film, për shkak të mënyrës krejtësisht të ndryshme se si flet Fahrije Hoti. Ka të ngjarë që skena me dialogë të rëndësishme të jenë shkurtuar apo prerë krejt për shkak të panatyrshmërisë. Nuk e kemi fjalën thjesht për heshtjen te çajtorja, por për një varg heshtjesh që mund të jenë të dobishme për ‘ekonomizimin’ e filmit por që e gjymtojnë kuptimin e tij.

Veçanërisht problematike në këtë film ishin edhe karakteret dytësore. Në familjen e saj katëranëtarëshe, të katër anëtarët flasin me katër të folme të ndryshme të Kosovës. Nëna, çika, djali e vjehrri, që do të duhej ta jepnin ndjesinë që janë nga e njëjta shtëpi, dështuan skajshmërisht në këtë përpjekje (nëse ka pasur përpjekje për diçka të tillë). Çun Lajqi, nuk ta çonte mallin e një plaku të Krushës. Shikuesi gjatë gjithë kohës e dëgjon Çunin me theksin e rugovasit, dhe jo vjehrrin e Fahrijes nga Krusha e Madhe. Sepse, edhe këtu si çdokund tjetër ai luan Çun Lajçin dhe jo rolin që merr përsipër.

“Përpara se të vendoste për fëmijën, de Sica nuk i bëri asnjë provë aktrimi, por vetëm ecjeje. Ai donte çapitjen e fëmijës përbri ecjes prej ujku të burrit, sepse harmonia e kësaj mospërputhjeje ishte për të e një rëndësie kapitale për inteligjencën e tërë inskenimit.” - Andre Bazin për filmin “Hajduti i Biçikletës” (Ladri di Biciclette, 1948).

Në anën tjetër, dialogjet edhe pse të thjeshta e të pakta, janë tepër të ngathëta. Një ngathtësi që përpos përtacisë regjisoriale duket se shfaq edhe paragjykime provinciale për banorët e Krushës. Fjalët dalin me një ngurrim krejtësisht të patakt dhe shprehin elokuencë e heshtje poetike të pavendtë. Pse të mos ekzistonte çlirshmëria e gjallëria në të folur, sintaksa e çalë me mprehtësinë e fjalëve që ishte karakteristikë e dallueshme për Fahrijen dhe gratë tjera të Krushës? Përtej të folmeve të ndryshme brenda një shtëpie, te familja e Fahrijes nuk ka absolutisht kurrfarë intimiteti. Nuk ka asnjë marrëdhënie që të lë mbresë, qoftë nënë-bir, nënë-bijë, nuse-vjehërr. Në një çast që na ofrohet si “dramatik”, çika e saj i thotë “kurvë” Fahrijes, por dramatikja nuk na përshkon për shkak të panatyrshmërisë së gjithë skenës.

Në bazë të gjithë këtyre që u thanë më lart, ajo që është e kuptueshme është se filmi nuk na dedikohet neve, shikuesve kosovarë, por ajo që nuk ka asnjë kuptim është pse na përzë kaq brutalisht?! Duke mos njohur kontekstin lokal, pra duke mos rrokur të metat e disa prej ngjarjeve të lartpërmendura, shikuesit jokosovarë do ta shijojnë më shumë filmin se të gjithë ne që jemi pjesë e rrëfimit të tij.

Nuk dihen arsyet pse kinematografia kosovare i reziston kinemasë pa aktorë. Juve që e keni parë ndoshta ju kujtohet filmi maqedonas “Honeyland (që po ashtu korri suksese të shumta ndërkombëtare) dhe protagonistja e tij, Hatixhja? Guy Lodge nga “Variety” në një recension shkruante për të se “çdo gjë, prej mjaltës e tutje ishte organike”. Te “Zgjoi” nuk ka gati asgjë ‘organike’, madje as vetë emri me bletët e mjaltën, që duken si subjekte të vëna me një arbitraritet të frikshëm. Pse ‘Zgjoi’? Veç pse ka tingull të mirë? Apo veç hajt...

Në këtë film nëse jo të gjitha rolet, atëherë shumica prej tyre do të mund t’u jepeshin njerëzve të rëndomtë në mënyrë që të hiqej qafe ideja tepër e fortë e rolit që prishte iluzionin e realitetit.

Lajme të ngjashme