Si më la pa gjumë Arianit Koci me udhëpërshkrimet e Meksikës? - NACIONALE

Si më la pa gjumë Arianit Koci me udhëpërshkrimet e Meksikës?

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Përjetimi interpersonal e jo-ortodoks i aventurës së Arianit Kocit në Meksikë.

Nuk më zuri gjumi mbrëmë për disa orë më radhë. Më kapi një ankth paksa i çuditshëm, një ankth e një frikë që kushedi ku e ka fillin ama që më la me shumë moskuptime për veten, e edhe botën. Kisha frikë mos i ndodhte gjë Arianit Kocit, avokatit tonë që ndodhej në Meksikë e të cilin as që e njoh personalisht por përmes të cilit kisha filluar të jetoja interpersonalisht.

Në udhëpërshkrimet e aventurave të tij në Meksikë, avokati e ka përmendur shumë e shumë herë rrezikun e plaçkitjes. Tregonte se si mbante kartëmonedha të vogla në mënyrë që t’i jepte kur hajdutët t’i prenin rrugën. Mendja ime, si duket derisa e lexonte atë status të Kocit në Facebook, e ndërtoi përshpejtazi gjithë skenën e plaçkitjes aq mirë sa e përbrendësoi ankthin dhe dramën prej saj.

“Lagja Colonia Del Valle konsiderohet si më e rrezikshmja në këtë qytet prej mbi 21 milion banorë. Mos me provoku situata të pakëndshme, Merita nuk e ka me vete asnjë stoli të artit. Madje as vathët. Une po mbaj të holla vetëm aq sa na duhet për mbrëmje, plus ai duqi emergjent i parave të imëta, të letrës (1 dhe 10 dollarë)… 🙂” – rrëfente Koci në një prej statuseve që t’i fusnin dridhmat në bark.

Po mendoja se çka do t’i thoshte Koci, hajdutëve meksikanë. Po mendoja edhe për një status të shkruar para nja tre muajve, në mars, kur Koci tregonte sa i motivuar ishte që ta luftonte Serbinë. Çka nëse do t’i tekej të hynte në luftë edhe me hajdutët e Meksikës? Kjo mund të ishte vetëvrasje, por potencialisht edhe një heroizëm i pashembullt.

Tash e shumë ditë, avokati po na informon detajisht në lidhje me gjithçka që i ndodh e s’i ndodh në Meksikë. Për fat të mirë, asgjë e keqe deri tash. Unë – e ndoshta edhe të tjerë si unë – po i lexojmë me kujdes nga dy-tri herë fjalët e tij, dhe vetëvetiu po na çelen imazhe të reja që i kishim të panjohura. Ai është – thënë në një mënyrë – Kristofor Kolombi i kombit kosovar. Një eksplorator modest, jo për krejt dynjanë, por për kombin më të ri e më të izoluar në Evropë të cilit i përkasim. Meksikë, hej! Pra, s’po flasim për ndonjë vend më të afërt që edhe ashtu na duket shumë i largët, por për një vend përnjëmend të largët.

O zoti i madh, mbaj mend se si u pata ndjerë në kohën kur Koci do të publikonte statusin në Facebook duke treguar motivin e lartë për luftë kundër Serbisë. Vinte përnjëmend era luftë. Glauk Konjufca e përmendte luftën. Putini e nisi luftën në Ukrainë. U themelua nga Qeveria një Fond i Sigurisë, për ushtrinë por të cilit i vinte era fukarallëk Dhe meqë ishim të gjithë të demoralizuar e të dekurajuar, Koci tregoi se në të vërtetë ishte i motivuar për të kapur pushkën, ashtu si ukrainasit në Mariupol, Izyum, Sivierodonetsk, etj.

Energjia e z. Koci më pati frymëzuar. Natën e mbrëmshme të ankthit po e imagjinoja derisa pasi kapte pushkën në Kosovë, pas tre muajsh, ia mësynte ndonjë vendi si Meksika në pushime në pikë të luftës. Ishte pa dyshim, shumë çliruese!

Përvoja ime e lidhjes interpersonale me aventurën e Kocit në Meksikë është ndoshta jo më shumë se një vragë tjetër që po na shkakton regjimi i vizave. Ndoshta, më shumë!

Sidoqoftë!

Nëse fjala ime e preferuar gjatë kësaj periudhe pune në Nacionale ishte jo-ortodokse, atëherë gjithsesi personi më jo-ortodoks mes nesh është avokati i lartpërmendur!

Lajme të ngjashme