Si i solli dashuria për muzikën techno e tautazhet 15 persona nga Gjermania në Kosovë? - NACIONALE

Si i solli dashuria për muzikën techno e tautazhet 15 persona nga Gjermania në Kosovë?

1 vit më parë

nga Anita Nikaj

Më një kërkim të vogël jo fort të lodhshëm në "google’’, mund të rastisësh në goxha shumë artikuj për skenën e technos në Kosovë. Natyrisht, shumëllojshmëria në përmbajtje është kryefjala e artikujve. Disa flasin për lirinë në qendër të technos, të tjerë artikuj përmendin kokainën e korrupsionin, ndërsa shumë përmendin gjithëpranueshmërinë e këtij zhanri viteve të fundit.

"Shumë liri, korrupsion dhe kokainë" - është një artikull nga një gazete gjermane, ku në detaje përshkruan një natë në disa nga lokacionet ku luhet muzika techno.

Përtej asocimit të muzikës techno me përdorimin e drogës, kryesisht ka artikuj që vejnë në spikamë lulëzimin që ky zhanër i muzikës ka bëre viteve të fundit.

Mos të gabohemi, nuk po e vë në dyshim pranimin apo ekzistencën e mëhershme të technos, por duhet theksuar se ky zhanër ka lulëzuar pas pandemisë së virusit korona.

E gjitha filloi me një thirrje muaj më parë me një DJ shqiptar, i cili tërë jetën e tij e ka kaluar në Gjermani, vendim e mijëra emigrantëve shqiptarë nga Kosova.

"Muajin tjetër do të jem në Prishtinë, por kësaj radhë do të vij me më shumë njerëz’’, tha Liridoni.

Duke pasur një lloje gjysmë "paragjykimi", togfjalëshi "më shumë njerëz" disi më la një përshtypje që bëhet fjalë për 4-5 njerëz, e jo për 15 të tillë.

Muzikanti kosovar nga Gjermania më kërkoi miqësisht t'i aranzhoja taksi nga aeroporti, si dhe disa gjëra të cilat do t'iu duheshin gjatë qëndrimit 3-ditorë në Prishtinë. E pëlqeva idenë të gjendesha në mesin e 14 personave, të cilët nuk i kishe takuar asnjëherë më parë në jetën time. Por natyrisht një ndjesi sfideje ishte prezentë diku thellë në qenien time.

Për Liridonin vizita me shoqërisë e në Kosovë ishte e përcjellë me një entuziazëm, i cili vërehej edhe gjatë bisedës, teksa sytë e tij tregonin për dashurinë që ka për vendin e të parëve të tij.

Liridoni, si shumë emigrantë kosovarë të cilët kishin "shtegtuar" drejt Gjermanisë në vitet e 90-ta, natyrshëm më kalimin e kohës kishte filluar një lloj zbehjeje në dëshirën për vizitë të vendlindjes. E kishte lenë Skenderajn, si gjashtë vjeçar për t'u rikthyer gjatë luftës, ku kaloi disa muaj si refugjat në Mitrovicë, e pastaj për të u rikthyer në Gjermani në mënyre ilegale në fund të 90’.

Problemi më dokumentacion i kishte vështirësuar tutje lidhjen e tij më vendlindjen, por edhe mospranueshmëria e asaj se çfarë portretizonte.

"Unë asnjëherë nuk e kam ditur për skenën e muzikës techno në Kosovë. Kur jam kthyer si 20-vjeçar në Skenderaj, nuk kam arritur që të rilidhem më vendin tim. Tash më duket çdo gjë është ndryshe. Nuk e kam njohur askënd në Prishtinë më parë, tash njoh shumë njerëz." - tha Liridoni.

Unë i pohova deklaratat e tij, pasi që kur jemi takuar pothuajse dy vite më parë, ishte goxha e vështirë të kuptoheshim, ngase unë nuk kuptoja gjermanisht, e njëkohësisht edhe Liridoni çalonte në shqipen e tij prej emigranti.

Pas dy viteve, ai tash flet më rrjedhshëm gjuhën shqipe, duke e bërë më të lehtë bisedën, e cila më nuk përcillet me pauza të gjatë mes fjalive.

"Nuk e kamë pasur shumë shoqëri shqiptare duke u rritur, tërë kohën isha në punë, në shkollë, pastaj në kohën e lirë dukë u marrë më muzikë. Nuk kamë pasur shumë kontakt me gjuhen shqipe’’, tha ai.

Fytyra i buzëqesh kur kujton kohën kur vështirë fliste rrjedhshëm shqip, e cila kohë në fakt nuk është fort e largët.

"A e ke vërejt, jam mësu me fol ma mirë tash, edhe po shkruaj ma mirë, nuk po kam nevojë ma më dergu voice memos, edhe qytetin e kam mësuar shumë më mirë, nuk po e kam nevojën të shikoj në Google maps’’ - thekson krenarisht Liridoni.

Brenda dy viteve, Liridoni ka vizituar Kosovën më shumë se gjashtë herë.

Kosova si tërësi nuk të jep shumë mundësi zgjedhjeje. Gjatë verës i kemi disa festivale të organizuara nga shtetasit e Kosovës anembanë Shqipërisë si "UNUM", "The Element", "Ion", të cilat janë të njohura ndërkombëtarisht. Por brenda territorit 10 mijë kilometërsh katror të Kosovës, të rinjtë ende presim për disa festivale filmi që të organizojnë ndonjë natë të muzikës techno. Natyrisht, personat e "specializuar" në organizimin e "ndejave" janë grupi i dytë që herë pas here elektrizon shpirtrat e kosovarëve me techno.

Vite me parë, ajo çfarë e bënte Prishtinën që të njihej për natë fantastike të technos ishin "Boiler rooms", "Hapësira", e cila mbahej në territorin e ish-shtypshkronjës "Rilindja", ku ravers (fansa të muzikës techno) nga i gjithë Ballkani dhe më gjërë mblidheshin çdo 24 dhjetor.

Por si shumë gjerave të mira edhe ‘’hapësirës’’, i erdhi fundi. Kuptohet, fundi i hidhur, që duket të jetë specialiteti i preferuar i kosovarëve për "zhdukjen" e kulturës.

Vendet si Ensomnia dhe Servis Fantasia janë të vetmet për momentin që lëshojnë muzikë elektronike, techno në Prishtinë, pa përjashtuar edhe Euphorian, e cila një gjë të tillë e bënë 2-3 herë në vit, mirëpo sigurohen që këto 2-3 herë t'i mbash mend gjatë tërë vitit, pasi që sjellin në Kosovë emra të mëdhenj të skenës së technos.

Kjo absolutisht është e pamjaftueshme. Dëshira për të pasur një eksperiencë më ndryshe, pra diçka të re, i shtynë shumë "rejvera" t'i drejtohen vendeve fqinje si Shkupit e Tiranës për ca orë kënaqësie shpirtërore me techno.

Mirëpo, dy viteve të fundit e gjithë skena techno ka ndryshuar. E kjo ka ardhur pikërisht nga kërkesat e shumta për të parë diçka më ndryshe.

"Nëse nuk mund të shkojmë në Berlin, pse mos me e pru Berlinin në Prishtinë", tha njëri nga të pranishmit në një "nej" këtë vikend.

Arsye pse ai e tha keto fjalë qëndron në faktin se në një nga lokalet e Prishtinës po përformonin katër DJ nga Gjermania.

Protagonisti kryesor i "historisë" se si 15 persona përfunduan në Kosovë është Liridoni, një kosovar i cili ka lenë Kosovën në moshën gjashtë vjeçare, e tani është në të tridhjetat.

Si një person i rritur jashtë, lidhja e tij më Kosovën ishte e vogël, kryesisht për shkak të punës që ai bën si DJ. Mirëpo eksplorimi i hapësirës së technos në Kosovë dy vite më parë i kishte ndërruar mendimin për atë se si të rinjtë e Kosovës janë duke eksperimentuar më rryma të ndryshme të technos.

Hapësira e vogël, tymi i madh nga cigaret ishin goxha ngulfatese në brendësi të lokalit. Ishte ora 1 e mëngjesit, një numër diku rreth 60 persona ishin brenda, duke e shijuar muzikën e lehtë që po vinte nga Ikob dhe Liridoni, i pari malazez, ndërsa i dyti shqiptar.

Ishin në të njëjtën frekuencë, pasi nga njeri tek tjetri pothuajse nuk arrije të shquaje ndonjë dallim, vetëm nëse ishe shume afër dhe koncetroheshe gjatë në lëvizjet e duarve që po krijon art, i cili po i lëvizte trupat e njerëzve.

Hapësira filloj të elektrizohej pas disa birrave (dhe natyrsht disa spllifave), secili ishte në element të tij, të fokusuar në muzikën e bukur e me disa lëvizje fantastike që i kisha lakmi.

Në fund të hapësirës ishin vendosur i gjithë grupi "Youth Life", që kishin ardhur për t'i shoqëruar katër DJ-të e grupit të tyre. Pra po flasim për rreth 10 njerëz të tjerë, të cilët nuk kishin qëndruar asnjëherë në Kosovë e që kishin dëgjuar shumë pak për të, më shumë duke lexuar artikuj të ndryshëm nga magazina kulturore.

Një artist i tatuazheve, një piktor, një artist i grafiteve rrugore, një sociolog, një ndërtimtar, pak a shumë një miks i profesioneve.

"Pse jam këtu.... e për të përcjelle shokët e mi të cilët janë duke bëre muzike, njihemi për shumë kohë por kryesisht për shkak të Liridonit, pasi që ai vjen nga këtu’’, tha Dave, një artist i tatuazheve.

Chris (Borrowed identity), Liridoni, Ikob (Bojan) dhe Adrian, një miks interesant shtetesh, që përfshinte Rumaninë, Kosovën, Malin e Zi dhe Gjermaninë, në një podrum tek Lesna, duke luajtur techno. Mirësevini në Kosovën gati tërësisht të paeksploruar, e që rrallëherë zë vendin e merituar në gazetat vendore e ndërkombëtare.

Për Chrisin dhe Bojanin, Prishtina nuk duket shumë ndryshe nga Rumania dhe Mali i Zi, pasi të dy vini gjeografikisht nga Gadishulli Ballkanik. Mirëpo për pjesën tjetër të grupit çdo gjë ishte interesante, duke tentuar të përjetonin deri në qelizën e fundit adrenalinën që ta sjellë një e re e panjohur.

"Më pëlqen kaosi i cili mbretëron këtu, çdo gjë është duke u ndërtuar shumë më ndryshe nga ajo që jam mësuar të shoh në Evrope." - tha Dave, i cili ka përfunduar në një lokal në Prishtinë, duke bërë tatuazhe për njerëzit që kish interes, përfshirë autoren e tekstit.

Stili që ndante me njerëzit ishte më ndryshe nga ajo se çfarë jemi mësuar të shohim nga artistët e tatuazheve në Kosovë.

"Nuk dua të gënjej, kamë dëgjuar për Kosovën kur kam qenë fëmije nga lajmet për luftën. Sikur të mos ishte Liridoni, nuk e di nëse do kisha ardhur vet, pasi kam lexuar se nuk është vendi ideal për të vizituar për shkak të shumë problemeve me luftë dhe korrupsion. Asnjëherë nuk kisha menduar që njerëzit do të me pranonin kaq lehtë." - tha Dave, duke menduar se çfarë është duke i pëlqyer më shumë për Prishtinën: rrugët, arti, ushqimi apo njerëzit.

Dave ka bëre tatuazhe, në bodrumin e një kafiterie në qendër të qytetit ‘’Bubble Pub’’, bodrum i cili mirëpret shumë artiste të rijnë vendorë e ndërkombëtare për të paformuar artin e tatuazheve. Një hapësire e mirë rregulluar, me ndriçim të mjaftueshëm ka tërhequr shumë artistë për një periudhe të shkurtër.

Deri sa mendonte për përgjigjen, filluam një bisedë më Alexin, ishte goxha i interesuar për të treguar se çka po i pëlqente më shumë për Kosovën. Por më ngurrueshëm fliste për atë se çfarë nuk po i pëlqente në Kosovë.

‘’Më pëlqen çdo gjë këtu.... Ne si grup kemi ardhur për të luajtur muzike techno, ky ka qenë qëllimi ynë, kam dëgjuar për skenën e muzikës techno, ndoshta 10 vite më parë në një shkrim të revistës "Vice", por nuk kam menduar se do të jetë fantastike në jetën reale’’, tha Alex.

Ai nuk ka përgjigje të qartë nëse do ta vizitonte Kosovën sikur të mos ishte Liridoni e muzika techno.

"Ndoshta nuk e di nuk mund të them asgjë, pasi që ka rendësi ndikimi i Liridonit që unë të jemi këtu. Më pëlqen çdo gjë, ushqimi fantastik, njerëzit, qyteti edhe pse ishte më shi këto ditë, ndërtesat" - tha Alex.

Mirëpo ajo se çfarë e kishte mrekulluar më së shumti Alexin, ishin pikturat e artistit Jeton Gucia, të vendosura në Galerinë Kombëtare të arteve.

"Jam shume i mahnitur me punën e një artisti, shikuam disa nga pikturat e tij, shpresoj se do të mund të blej ndonjërën nga to kur të arrij të jem në kontakt më të’’, tha ai.

Biseda vazhdoj me pjesën tjetër të grupit, ku secili ishte me i mahnitur se tjetri. Madje njëri nga ta kishte edhe një dëshirë interesante, të cilën ma rrëfeu me shumë entuziazëm. Artisti i vetëm i grafitit i grupit e kishte vendosur të shkonte në stacionin e trenit në Fushë Kosovë për t'i bërë disa grafite, pasi trenët që gjendeshin aty ishin prodhim gjerman.

Ndërsa njëra nga pyetjet me të shpeshta ishte se kur po planifikoja që të vizitoja unë Gjermaninë.

"Ndoshta kur të liberalizohen vizat." - është përgjigja ime, që tashmë është bërë klishe e mundimshme.

Lajme të ngjashme