DASh publikon raportin me plotë vërejtje: Korrupsion serioz qeveritar dhe kufizim i lirisë së shprehjes
Raporti i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut ka publikuar raportin vjetor mbi praktikat e të drejtave të njeriut në Kosovë për vitin 2023. Ndër sfidat kryesore të nëvizuara në raport janë problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit, kufizimet e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, korrupsionin serioz qeveritar, dhunën me bazë gjinore dhe diskriminimet ndaj pakicave etnike.
Një nga pikat kryesore të raportit është çështja e korrupsionit brenda qeverisë, ndërsa nënvizon raportimet e shumta për korrupsion. Raporti thekson se zyrtarët e nivelit të lartë shpesh i shpëtojnë ndëshkimit dhe rastet e korrupsionit përballen me vonesa dhe mbikëqyrje të pamjaftueshme gjyqësore.
"Ligji ofron dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive. Pati raportime të shumta për korrupsion në qeveri. Zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kontribuan në këtë problem. Rastet e korrupsionit i nënshtroheshin rregullisht apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte skadimin e parashkrimit", thekson raporti.
Liria e Shprehjes dhe e Mediave
Shqetësimet për lirinë e shprehjes, duke vënë në dukje raste të frikësimit dhe dhunës ndaj gazetarëve nga zyrtarë publikë, politikanë, biznese, theksohen në raport.
"Megjithëse kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë lirinë e shprehjes, përfshirë të punonjësve të shtypit dhe mediave të tjera, pati raportime të besueshme se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe elementë të botës së krimit dhe madje edhe grupet fetare u përpoqën të frikësojnë përfaqësuesit e mediave dhe përdorën dhunën apo kërcënimet ndaj gazetarëve. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) raportoi se u bë vetë objektiv sulmesh kur ka dalë në mbrojtje të gazetarëve dhe të mediave. Shoqata raportoi se zyrtarët e qeverisë, përfshirë kryeministrin dhe drejtuesit e partisë në pushtet, u angazhuan në fushata për të dëmtuar besimin e publikut tek mediat. Me gati 60 raste sulmesh të raportuara gjatë vitit, gazetarët u shprehën se për shkak të trysnisë nga politikanët dhe grupe kriminale, kaluan shpesh në vetëcensurim të raportimit të tyre.
Raporti përmend gjithashtu sulmet ndaj gazetarëve në veri të vendit.
Sulmet ndaj gazetarëve gjatë tensioneve në veri të Kosovës në muajt maj dhe qershor dëmtuan pajisjet, dogjën automjete dhe lënduan fizikisht punonjësit e grupeve të mediave në terren. Gazetarët thanë se disa prej këtyre sulmeve ishin të drejtuara dhe të miratuara nga udhëheqësit politikë në veri të vendit, megjithëse ata kanë mohuar ndonjë përfshirje të mundshme", thuhet në raport.
Dhuna mbi baza gjinore dhe të drejtat e grave
Raporti nënvizon se zbatimi i ligjit mbetet i mangët, me viktimat që shpesh përballen me stigmatizime dhe mungesë të mbështetjes nga qeveria
"Dhuna me bazë gjinore njihet në legjislacion si formë diskriminimi, por mungon një përkufizim i saj për t’u përdorur në proceset penale dhe civile. Përdhunimi dhe dhuna në familje njihen si vepra penale, por qeveria nuk e zbatoi ligjin me efektshmëri. EULEX-i vuri në dukje se gjykatat shpesh japin ndëshkime më të lehta se minimumi i parashikuar dhe agjencitë e zbatimit të ligjit rrallë morën masa për të mbrojtur të mbijetuarit dhe dëshmitarët.
Vazhdojnë të jenë të pakta gratë në funksione drejtuese në biznese, në polici, apo në qeverinë e Kosovës dhe në përgjithësi vetëm një në pesë gra gjendet në tregun e punës.
Rastet e dhunës me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën seksuale dhe përdhunimin, u raportuan rrallë nga të mbijetuarit, shpesh për shkak të stigmës sociale ose mungesës së besimit te autoritetet."
Diskriminimi ndaj pakicave etnike
Sa i përket diskriminimit në bazë racore apo etnike, raporti theksoi raportimet "për dhunë dhe diskriminim ndaj grupeve të pakicave etnike".
Diskriminimi në punësim ndaj serbëve të Kosovës dhe grupeve të tjera të pakicave etnike gjithashtu është nënvizuar në raport.
"Diskriminimi me bazë racore apo etnike ndalohet nga kushtetuta e Kosovës, por vazhduan raportimet për dhunë dhe diskriminim ndaj grupeve të pakicave etnike. Sipas Avokatit të Popullit pati probleme në zbatimin e plotë dhe të efektshëm të ligjeve, si dhe mangësi në kapacitetet institucionale. Dhuna shoqërore, në veçanti diskriminimi në punësim, vazhdoi ndaj serbëve të Kosovës dhe grupeve të tjera të pakicave etnike. Grupet e pakicave u përballën me diskriminim të niveleve të ndryshme në arsim, shërbime sociale, përdorimin e gjuhës, lirinë e lëvizjes dhe të drejta të tjera të garantuara me ligj."