Sa e lehtë është të shkosh viral në TikTok? E provova dhe mora miliona shikime pa u munduar shumë - NACIONALE

Sa e lehtë është të shkosh viral në TikTok? E provova dhe mora miliona shikime pa u munduar shumë

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Algoritmat e TikTokut janë nivel tjetër. Sinqerisht, mora miliona klikime në disa video të rëndomta që i publikova në këtë platformë sociale, nga ambientet e zyres.

Në fakt, krejt çka u duhet është një telefon i mençur dhe një grumbull kolegësh/shokësh. Nuk mund të jetë kaq e thjesht, apo jo?

Epo, në fakt është. TikTok duket se u jep stimulim dhe vëmendje të veçantë videove të xhiruara vet dhe me kualitet më të lart (edhe pse unë i xhirova shumicën me një Iphone 8).

Pyetjet mund të jenë nga më të ndryshmet. Shembull në videon e mëposhtme, e cila zgjat vetëm tetë sekonda, pyes kolegët në Redaksinë e Nacionales, Trinën, Ditean dhe Mirlindin "sa e ki rrogën?", derisa ata janë në hapësirën punuese, me përgjigjet e tyre që vijnë më së shumti në formë reagimesh se sa fjalësh.

Shembull, Trina dhe Ditea nuk flasin fare, por japin nga një reagim të veçantë, ndërsa Mirlindi krejt çka thotë - pasi fillimisht hutohet siç bën gjithmonë kur i afrohem me kujdes dhe i flas ngadalë - është "shumë... t'madhe".

@gjithcka1video

A jom i vetmi që i intereson rroga e kolegëve? 🤔

♬ original sound - gjithcka1video

Videoja në fjalë ka marrë plot 650 mijë shikime deri tash.

Një gjë që nuk duhet të bëni kur postoni në TikTok është të publikoni materiale apo pamje të karakterit politik. Po flasim vetëm për Kosovë pasi, sipas ekspertëve të fushës në Redaksinë e Nacionales, nuk është se kjo platformë ka politika kundër përmbajtjeve politike e sociale.

Në fakt, temat sociale. me theks të veçantë, shpërndahen më shumë se të tjerat, gjithnjë në bazë të asaj që m'u tha në diskutim me personat e thirrur për këtë punë në Nacionale.

Sidoqoftë, në Kosovë, për shkak të karaktereve si Dardi e Rasim Avdyli, "budallakinat dhezin më shumë".

Nacionale ka realizuar një intervistë me Rrahman Jasharajn, e cila ka shkuar viral në Facebook duke marrë plot 224 mijë shikime, mbi 4 mijë pëlqime e 2 mijë komente, ku kryetari i SBASHK-ut shpërthen në lot teksa elaboron në presionin politik e publik që po i bëhet për shkak të grevës në arsim.

Sidoqoftë, në TikTok, pasi këputëm 10 sekondat më të mirë të intervistës dhe e publikuam, dështoi të përmbushte standardet e vendosura nga i njëjti material i publikuar në platformën simotër.

Për tre ditë, videoja në TikTok ka marrë vetëm 27 mijë shikime, e që për standardet e këtij rrjeti social del të jetë pak.

@gjithcka1video Video që po përlot internetin #nacionale #rrahmanjasharaj #sbashk ♬ original sound - gjithcka1video

Me pak fjalë, TikTok-u funksionon krejtësisht ndryshe nga Facebook-u.

Videon që kishte shkuar viral në TikTok ku unë i pyes kolegët "sa e ki rrogën?", e publikuam në Facebook për të parë si do të performonte. Vetëm 8700 klikime i grumbulloi në total.

Andaj, materialet që ndezin në TikTok jo domosdoshmërisht - në fakt, më shumë jo se po - funksionojnë edhe për Facebook dhe anasjelltas.

Sipas Armend Xanit, menaxher rrjetesh sociale, videot 15-sekondëshe marrin shikime më shpejt dhe më shumë.

Ndryshe nga YouTube, TikTok u jep përparësi videove më të shkurta.

Videoja që ka marrë më së shumti shikime në kanalin e Nacionales në TiKTok, të cilën e kemi hapur me emrin "gjithcka1video" (na bëni follow), është ajo kur unë pyes avokatin Bledar Gashi në zyren e Redaksisë "çka duhet me bo kur t'arreston policia?". Avokati jep tri këshilla, të cilat, dolën të jenë material viraliteti.

@gjithcka1video

Avokati, Bledar Gashi i tregon tri senet që duhet me i pasë parasysh kur të arreston policia…

♬ original sound - gjithcka1video

Pamjet kanë marrë më shumë se 700 mijë shikime dhe, bashkë me videon "sa e ki rrogën?", rrëmbejnë pozitat e para si videot më të klikuara.

Një video tjetër e cila, për befasinë tonë, po ashtu mori qindra mijëra klikime është kjo më poshtë, me titullin "i gjujta 100 euro fallc n'korridor t'zyres. Wait for it..."

@gjithcka1video Veç Vullneti i veren edhe i merr n’fund #fyp #nacionale ♬ original sound - gjithcka1video

Krejt çka bëj është të hedh një kartmonedhë të printuar prej 100 eurove në korridorin e zyres, për të parë reagimet e kolegëve. Videoja nuk është e bërë me kujdesin më të madh pasi, në shumicën e rasteve, kolegët më vënë re mua duke xhiruar nga pjesë të ndryshme, por kjo nuk e ka penguar atë të shkojë viral me 318 mijë klikime.

Pra, nuk është se përmbajtja duhet të jetë medoemos e krijuar në mënyrë perfekte.

Në një video tjetër zë kolegët nëpër zona ku pihet duhani dhe i pyes "sa cigare i pi n'ditë?", e që doli të jetë po ashtu e suksesshme me 358 mijë shikime.

@gjithcka1video A po i bjen që çikat pinë ma shumë cigare se djemtë? #fyp #nacionale ♬ original sound - gjithcka1video

Te tjetra i pyes "cili është filmi jot i preferum?", e që ka marrë 297 mijë shikime.

Me pak fjalë, videot me pyetje janë ato që funksionojnë - sigurisht funksionojnë edhe pamje me përmbajtje tjera, por po bazohem vetëm në eksperiencë individuale.

Nga 37 video sa kemi postuar në kanalin e TikTok-ut, kemi marrë mbi 4.8 milionë klikime, derisa shtatë prej videove ku përfshihen pyetjet për kolegë në zyrë secila ka marrë më shumë se 100 mijë klikime.

Monetizimi

Nuk është se kemi bërë shumë në drejtimin e monetizimit të kanalit por, nga bisedat që kam pasur me menaxherë të rrjeteve sociale në Reaksinë e Nacionales, kam mësuar se TikTok-u mund të monetizohet në Kosovë, por platforma nuk bën direkt transfer në një bankë kosovare, është e domosdoshme të keni xhirollogari të hapur në një bankë nga një vend tjetër evropian.

Oh, edhe një gjë që duhet ta keni parasysh kur sulmoni TiKTok-un me materiale është se është jashtëzakonisht toksik, sa i përket komenteve që do merrni. Pa marrë parasysh nëse kontenti juaj është edukativ apo banal, komentet negative në numër të madh janë gati të garantuara.

Lajme të ngjashme