Rrëfimi drithërues i autores ukrainase, tregon horroret traumatike që po shkakton lufta në Ukrainë - NACIONALE

Rrëfimi drithërues i autores ukrainase, tregon horroret traumatike që po shkakton lufta në Ukrainë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Çfarë ndjesie është të largoheni me forcë nga vendlindja nga bombardimet? Autorja e 'Bad Roads' shkruan për largimin dëshpërues nga Kievi, pas pushtimit rus.

Shkrimtarja dhe skenaristja, Natalya Vorozhbit ka shpalosur detaje nga shpërngulja në një kolumnë për 'The Guardian'.

Çka është dashur të merrja, por nuk e mora? Mora para dhe kartën e identifikimit. Mora dy unaza (njerëzit në libra gjithmonë marrin ari). Por lashë kryqin në mur, një trashëgimi familjare, dhe pikturën e një trëndafili guelder. Vendosa të lija gjithçka tjetër prapa në shtëpi dhe në qytetin tim, Kievin. Nuk mora asnjë fotografi, ose portrete të shkrimtarëve ukrainas, Shevchenkon dhe Gogolin. Ujita të gjitha bimët, por sa do të qëndrojnë ato pa u vyshkur, nëse nuk rikthehem kurrë? Kush do të shkrijë ngrirësin tim? E lashë pas zemrën time. Fotografia e gjyshes, ende në raft. Një tharëse flokësh të re lashë në banjo. Atë as që e kam përdorur kurrë. Ndalo së menduari për hidratuesin, o grua budallaqe, dhe shiko rrugën.

Fokusohem në rrugë. Çka tjetër lashë prapa? Lashë gjithçka prapa. Mora vetëm gjërat e rëndësishme: nënën, bijën dhe Dyusha, macen tonë me pedigre, e cila bërtiti gjatë tërë rrugës. Do të bëhen 30 orë me timon në dorë së shpejti. Po iki nga Kievi sepse po bombardohet nga rusët. Dëshpërimisht kam nevojë për gjumë, por macja sapo e bëri në makinë dhe era e keqe më mban zgjuar. Çka shpresova të merrja por nuk arrita? Burrin tim dhe babain e bijës (dy burra të ndryshëm). Babai i bijës time është shkrimtar - të shihja atë duke mbajtur revole ishte e çuditshme. Lashë miqtë e mi, filmin tonë gjysmë të kryer, rrugët e qytetit. Gështenjat së shpejti do të lulëzojnë po unë nuk do të jem atje t'i shoh.

"Çka duhet të paketojë me vete dikush, për të filluar jetë të re diku? Çfarë të drejte kishin ata të më merrnin jetën, që tashmë e kisha ndërtuar?"

A ke menduar ndonjëherë çka do të merrje me vete nëse do ta dinit se nuk do të ktheheshit më kurrë në shtëpi? Kam menduar për këtë në tetë vitet e fundit, dhe më shumë në muajt e fundit, por asnjëherë nuk arrita ta ndaj mendjen. Vdekja është më e definuar, thjesht e dini se është fundi i gjithçkaje. Por lufta është fundi i gjithçkaje që është mirë dhe fillimi i gjithçkaje që është keq, për të gjithë. Si mund të përgatitet dikush për këtë? Çka të paketojmë që të bëjmë... çka? Të fillojmë jetë të re diku? Por çfarë të drejte patën të më merrnin jetën që tashmë kisha ndërtuar këtu? Jo, nuk merituam asgjë nga kjo. Por dëgjoni, askush nuk meriton të bombardohet, të ikë ose të vdesë, thjesht sepse diktatori i një vendi tjetër ka dëshira të çmendura për rrënimin tuaj.

Për dikë atje, kjo ishte hera e fundit që kanë mundur të mbesin shtatzënë. Dikush tjetër po e përfundonte dekorimin e apartamentit të ri (tash një strehimore për refugjatët, mirësevini!). Dikush sapo kishte përfunduar pagesën e një borxhi, një tjetër person i shtrirë duke vdekur në shtrat (i rrethuar nga më të dashurit, të cilët tash do të vdesin në rrugë, ose do të bombardohen). Një fëmijë po diplomonte nga shkolla (por ti, fëmija im, ti kurrë nuk do të diplomosh).

Ne ishim gati të hapnim teatrin tonë, teatri 'Playwrights', më 12 mars. E kishim planifikuar për kaq gjatë: një teatër me hapësirë për t'u thënë të gjitha fjalët e rëndësishme. Ukraina kurrë nuk ka pasur teatër të tillë. Ne e futëm shpirtin tonë në këtë. Paratë, gjithashtu. Të gjitha kanë shkuar, janë larguar. Shiko rrugën. Mos qaj. Ne nuk arritëm kurrë ta hapim, kështu që asnjëherë nuk ekzistoi. Por Mariupoli ka një teatër. Ose e pati. Mund t'i shohësh fotot, para dhe pas bombardimeve. Vetëm se nuk mund ta dallosh nga fotoja se nën rrënoja, ishte një strehimore bombardimesh, me qindra e qindra njerëz ordinerë që po fshiheshin në të. Deri tash kanë nxjerrë 300 trupa. Kurrë nuk lodhem t'ua kujtoj njerëzve se këto janë bomba ruse që bien mbi ne. Cila është poenta e kulturës kombëtare nëse nuk ka ndikim në popullin e këtij kombi? Çka është kultura që e mendojmë si madhështore? A iu ngazëllen ende kjo kulturë ruse?

Mjaft u stresove. Shiko rrugën. Shiko rrugën në vend se të mërzitesh, ia kujtoj vetes. Por kam qenë duke e shikuar rrugën dhe asgjë tjetër për tetë vitet e fundit. Tetë vite jemi përfshirë në temën e luftës. Tetë vite jemi munduar t'i bërtasim botës, t'i paralajmërojmë për kërcënimin ushtarak të Rusisë. Dhe vetëm pas 24 shkurtit ata më në fund na dëgjuan. Ky është aspekti i vetëm pozitiv që mund të shoh.

Më 1 prill, Oborri Mbretëror po pret lexime të dramave të dramaturgëve ukrainas rreth përvojës së tyre të luftës. Jemi të sëmurë dhe të lodhur nga kjo përvojë, ëndërrojmë të shkruajmë, të bëjmë filma, të flasim për gjëra që nuk janë luftë. Por pas 24 shkurtit, këto gjëra të tjera u mbyllën për ne dhe do të mbeten të tilla për pjesën tjetër të jetës sonë krijuese. Ne jemi dënuar të fokusohemi në rajonet e dhimbjes, dëshpërimit, padrejtësisë, vdekjes. Por edhe mbi fuqinë e shpirtit njerëzor, mbi patriotizmin dhe dashurinë. Ne jemi gati. Por së pari ne duam të fitojmë, dhe të kthehemi në shtëpi dhe të ujitim bimët tona. Ne kemi nevojë për ndihmën tuaj.

Lajme të ngjashme