Pse nuk bën t’i thoni askujt “budallë” apo debil”? - NACIONALE

Pse nuk bën t’i thoni askujt “budallë” apo debil”?

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

"Budallë", "idiot", "debil" e shprehje të ngjashme mund të jenë shumë fyese për një kategori shoqërore që ka paaftësi intelektuale. Por, ato përdoren e stërpërdoren shpesh në debatin publik në mënyrë që t’i minohet argumenti i caktuar filanit duke e sulmuar personalisht filanin. Por, pse jemi kaq të pandjeshëm?

Edhe fjalori i gjuhës shqipe si definicion të parë për “budallain” e ka përshkrimin si vijon: “Ai që është i metë nga mendja, që nuk e ka gjykimin dhe arsyen e një njeriu të zakonshëm; ai që është i trashë nga mendja...”

Ky ofendim – edhe pse i drejtohet personit konkret në një fjali konkrete – në fakt sulmon në mënyrë indirekte një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve të Kosovës.

Së fundi, një fyerje e bërë virale në politikën e Kosovës është “Një shpi budallë”, që Ramush Haradinaj i AAK-së e tha për Kurtin dhe Vetëvendosjen. Por, jo vetëm Kurti dhe Vetëvendosje duhet të jenë ndjerë të ofenduar.

Një klikim i thjesht në YouTube "o budallë", të shfaq llojlloj përmbajtje, natyrisht, jodenoncuese e edukuese rreth stigmës e denigrimit real që fshihet prapa kësaj shprehjeje.

Në fakt, një këngë me më shumë se 170 mijë klikime si "oh, sa budallë" nga Gili është një prej atyre që renditet lart sipas algoritmave të platformës.

"Qysh e lype e ke gjetë, dashurinë e zgjidhe vet, vet je vra, vet je vra, budalla," - thotë ajo në refren.

E drejtë të themi se shumë pak bëhet për të studiuar etimologjinë e fjalëve në praktikën e të folurit mes kosovarëve.

Në fakt, termet si "idiot" dhe "debill" në të kaluarën kanë gjetur përdorim zyrtar në psikologji, por janë larguar më vonë për shkak të elementeve fyese që ngërthejnë në vete.

"Këto (termet 'idiot' dhe 'debill') janë përdorur si kategori të inteligjencës së ulët, e që sot më nuk përdoren. Aktualisht, gjejnë përdorim shprehjet si 'niveli i lehtë, mesatar dhe i rëndë' i zhvillimit të inteligjencës," - më tha në një bashkëbisedim psikologu kosovar Imri Zabeli.

Ai po më tregonte se "idioti" dhe "debilli" ishin larguar nga përdorimi në literaturat psikologjike sepse terme "janë stigmatizuese".

Tutje ai më tregoi se "termet e tilla si 'budalla' janë denigruese dhe nuk kanë si të konsiderohen ndryshe veç si ofendues ndaj “integritetit të individit".

"Në një shoqëri të konsoliduar me institucione në shërbim të individit, personat me paaftësi intelektuale do të duhej të integroheshin për të qenë më të dobishëm për veten dhe të ardhmen e tyre", po më thoshte tutje Zabeli.

Një pjesë e barrës për të përmirësuar situatën e përdorimit apo mos përdorimit të termeve fyese ndaj grupeve të caktuara, i takon edhe medieve, te të cilat rrallë ose pak gjejmë përmbajtje me tema të tilla.

Në fakt, edukimi etimologjik rreth shprehjeve nuk është barra e vetme e medieve në edukimin e masës rreth grupacioneve të tilla shoqërore, sipas Zabelit.

"Si medie, duhet të promovoni potencialet dhe mundësitë që kanë këta persona dhe nevojën për t'i integruar në shoqëri, siç bëhet në shtetet perëndimore," thotë ai.

Sipas regjistrimit të popullësisë të vitit 2011 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në Kosovë janë 2966 persona me paaftësi intelektuale, por që ky numër besohet të jetë shumë më i lartë.

Lajme të ngjashme