“Më hidhet me ia kapë të pasmet një burri”: Seksologu e qet ‘cullak’ popullin me përgjigje drithëruese - NACIONALE

“Më hidhet me ia kapë të pasmet një burri”: Seksologu e qet ‘cullak’ popullin me përgjigje drithëruese

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Kosova e ka veç një seksolog dhe isha i lumtur që m'u kujtua të shkoja e të bisedoja më shumë me të rreth të bëmave seksuale të një populli që preferon të mos i flasë shumë aktet prapa dyerve të hapura.

Zyra e seksologut të parë dhe të vetëm kosovar, Hajrulla Fejza, gjendej në 'Dragodan' në një ndërtesë gati në fund të rrugës 'Eduard Lir nr 113'.

Ishte ambient i qetë, relaksues i përbërë nga dy dhoma. Në njërën gjendej një kompjuter personal, ndërsa në tjetrën - ku edhe u rekomanduam të futemi - ishte hapësirë e ngjashme me dhomë ndeje, me ngjyrën e verdhë që mbizotëronte, e që më vonë e kuptova se kjo ngjyrë ndikonte në trajtimin psikoterapeutik të pacientëve që shkonin për bashkëbisedim.

Seksologu është një profesion mjekësor, psikologjik, që trajton probleme të ndryshme të seksualitetit, duke filluar prej moshës rinore e deri në pleqëri. Gjithçka që ka të bëjë me seksin, është pjesë e lëmisë së një seksologu.

Fejza përmend një thënie të një shkencëtari të cilit ai nuk ia përmend emrin, si diçka që i shërbeu si motiv të bëhej njeriu i parë kosovar që studion seksologjinë.

"Mos provo me shku gjithmonë rrugës që kanë shku të tjerët, por provo me gjetë një rrugë tjetër që është unike e jotja."

Ai ka doktoruar në Orlando të SHBA-së, derisa më njoftonte se nga fillimviti i ri universitar, ai do të japë mësim në lëndën e seksologjisë për herë të parë në Kosovë, në universitetin e UBT-së.

Të zgjedhurit e një profesioni të tillë në një vend jo fort liberal ndaj ideve që mund të sjellin paragjykime, mund të jetë sfidë në vete, dhe Fejza thotë se kjo pjesë e barrës i ka shkuar më shumë gruas së tij, po ashtu punonjëse shëndetësore, sesa atij.

"Shoqëria dhe familja ime e kanë pranuar profesionin tim", thotë ai.

"Bashkëshortja në punë dhe në jetën e përditshme, shpeshherë i ndodh me i thonë koleget 'pse, qysh s'ka turp burri jot me folë për këso gjana publikisht, qysh e ke lonë me shku në seksologji', e këso gjërash, por në përgjithësi ka më shumë dashamirës sesa negativë."

Sa herë në ditë është e rekomandueshme/shëndetshme me bo seks?

Ishte kjo një ndër pyetjet e para që i bëra Fejzës në zyrën e tij, apo më mirë ta quajmë dhomën e bashkëbisedimit që përngjante me ato ambientet e bashkëbisedimeve psikoterapeutike, mes një profesionisti dhe një personi që ka ankthe, strese e komplikime të tjera psikologjike për të zgjidhur.

Por, shpresat se do të merrja një përgjigje të prerë sa i përket asaj se sa herë në ditë duhet bërë seks, pësuan goditje të menjëhershme.

"Përfundimisht nuk ka asnjë term, asnjë institucion, asnjë organizatë që mundet me dhonë një përkufizim se sa është e mjaftueshme ose sa është e nevojshme [të bëhet seks në ditë]", tha Fejza.

Ai po më thoshte se "për dikë është e mjaftueshme me bo seks 4-5 herë në ditë, ndërsa ka që mjaftohen me një herë në vit".

Andaj, nëse keni stres psikologjik nga ajo se nuk po performoni sa duhet dhe aq shpesh sa mund të kërkohet akte seksuale, rrini të qetë, është krejt e natyrshme t'ju mungojë stimulimi, i cili varion varësisht nga gjendja psikologjike e personit, siç po më thoshte seksologu.

Fejza e konsideroi si "shqetësues" faktin se shumica e problemeve në çifte aktualisht vijnë nga jeta e tyre seksuale.

"Mund të ndodhë që një partner të jetë i motivuar të bëjë seks dy-tri herë në ditë, ndërsa partneri tjetër mjaftohet me veç një herë seks brenda javës. Pastaj krijohet konflikt, i cili nëse nuk trajtohet me këshillim, mund të shërbejë si arsye për divorc", thotë ai.

A është normale mos me qenë i stimuluar të bësh seks shpesh me partnerin/en?

Në një kulturë gati patriarkale si kjo e jona, gjëja e fundit që mund t'i shkojë në mendje një vdektari është të kërkojë ndihmë profesionale kur i mungon stimuli për të bërë seks shpesh, apo vëren një ulje të interesimit të theksuar për akte seksuale te vetja.

Andaj, është krejt e natyrshme që, në mungesë të stimulit për të bërë seks, të shfaqen pasiguri të llojllojshme tek insanët se mos diçka nuk është në rregull me ta.

"Është normale (mos me të ardhë me bo seks shpesh)", potencon seksologu.

"Nuk domethënë që ke problem të caktuar mjekësor pse nuk mund të bësh seks shpesh. Dëshira seksuale është dëshirë individuale dhe varet prej shumë faktorëve. Dikush mundet me pasë stres në punë, dikush stres nga rritja e fëmijëve, dikush probleme në familje - krejt këto ndikojnë në dëshirën për seks."

Çfarë probleme seksuale kanë më së shpeshti kosovarët?

Si seksologu i parë dhe i vetëm në Kosovë, Fejza sigurisht se ka një sy e një vesh më afër se të tjerët për një temë gati të pafolshme në kulturën tonë, rreth problemeve më të shpeshta seksuale të popullit.

"Problemet varen varësisht nga moshat. Moshat e reja kanë probleme për mënyrën si e fillojnë jetën seksuale. Në qoftëse ata një marrëdhënie seksuale e nisin me stres, pa njohuri paraprake, rrjedhimisht me kohë e shohin që nuk po shkon diçka", thotë Fejza.

Ai tutje po më tregonte si ka shumë pak interesim për të marrë ndihmë profesionale sa u përket problemeve seksologjike të popullit, derisa potencoi se "nuk është vetëm në mesin e popullatës. Seksologjia është tabu edhe në komunitetin mjekësor.”

"Ka shumë mjekë që e dinë se në Kosovë ekziston një seksolog dhe hezitojnë me i thonë pacientit 'nuk je për mu, shko konsultohu me seksolog'."

Fejza tutje po më tregonte për një kundërshtim befasues të punonjësve shëndetësorë kundër idesë së të pasurit një seksolog në Kosovë, duke thënë se "shkojnë aq larg sa i japin të drejt vetes me thonë 'pse duhet me pasë seksolog në Kosovë'."

Interesimi për konsultim me seksolog te kosovarët është "shumë i ulët", sipas të njëjtit, derisa seancat madje ai i bën edhe pa pagesë.

Problemi seksual më i rëndomtë te gratë kosovare

Tutje, Fejza po tregonte për raste specifike "shumë të rënda që kanë mbetë pa u trajtu" te gratë e komunitetit kosovar është problemi apo gjendja që quhet "vaginizëm".

"Vaginizmi është një gjendje kur vajzat apo gratë nuk lejojnë futjen e penisit në vaginë, gishtit apo gjësendeve tjera. Ky është problem psikologjik, pikë së pari kjo ndodh për shkak të mungesës së edukimit gjithëpërfshirës mbi seksualitetin", thotë Fejza.

"Ka pasë çifte që kanë qenë deri në tetë vite të martuar dhe nuk kanë mujtë me bo seks asnjëherë me penetrim, për shkak të kësaj dukurie të 'vaginizmit'."

Duke shprehur zhgënjimin e tij me mungesë të edukimit profesional dhe këshillues edhe të mjekëve, ai tha se "duke mos pasur njohuri rreth 'vagnizmit', njerëzit shpesh shkojnë nëpër hoxhallarë, shehë, priftërinj, gjinekologë e urologë për të gjetur zgjidhje. Vagnizimi është problem psikologjik, që trajtohet vetëm me terapi psiko/sociale".

A është normale me ndi nevojën me bo seks me dikë tjetër, pavarësisht se jeni në lidhje dhe i/e dashuruar?

Meqë kisha përpara 'institucionin' përgjegjës që vinte në formën e Fejzës, për të folur për gjëra të tilla, pyetjet që po mundohesha t'i bëja ishin të larmishme dhe që rrokin kënde e interesa të ndryshme të popullatës e cila, edhe nëse heziton të shkojë te seksologu, të paktën deri-diku mund të informohet me shkrime të tilla sa i përket problemve seksuale që mund t'i kenë.

Në fakt, ditë më parë një subjekt po e shihte të më tregonte një 'hall' seksual të tijin, i cili vinte në formën e "e du femnën (të dashurën), por s'po du me konë ajo femna e vetme me t'cilën boj seks".

I njëjti kishte stres për mënyrën si do të reagonte e dashura e tij pasi ta njoftonte për këtë dëshirë që i ishte krijuar ndër vite dhe, i njoftuar me këtë problem, tash po i bëja një pyetje të tillë seksologut.

"Nevoja për me bë seks me tjetërkënd, derisa je në lidhje, shpjegohet si 'manifestim imagjinate'," po më thoshte Fejza.

"Edhe imagjinata, edhe fantazia, janë të pranueshme në seksologji. Ka partnerë brenda çifteve që nuk mundet me u eksitu mjaftueshëm, pa e fantazu marrëdhënien me dikë tjetër. Është e lejuar kjo në mënyrë që të rritet stimulimi për seks me partnerin."

Çifte që lejojnë njëri-tjetrin të bëjnë seks me të tjerë, sa është e përhapur kjo dukuri në Kosovë?

Disa ditë para se të takohesha me seksologun, po lexoja një artikull në The Guardian, si 'marrëdhëniet e hapura' (kur çiftet bëjnë seks me persona të tjerë me dijeninë e partniert/es) janë dukuri në rritje në Britani.

Duke u nisur nga disa fjalë të seksologut që m'i kishte thënë diku gjatë bisedës, "çka ka nëpër botë, ka edhe këtu", ishte koha ta pyesja për gjendjen në Kosovë sa i përket kësaj dukurie.

"Marrëdhëniet e hapura ekzistojnë edhe te ne. Ka pak, mos me thonë hiç, dy-tre çifte që kanë ardhë (për konsultë) me këso pikëpamje ndaj tolerimit me bo marrëdhënie me një person tjetër."

Unë tash po e pyesja për ato "dy-tri çifte" që i kishin shkuar për konsultë seksologut, si ishte raporti apo marrëdhënia e tyre - a kishte ndikuar për mënyrën si ndihen për njëri-tjetrin fakti që tash bëjnë seks edhe me të tjerë?

"Ata partnerë që futen në marrëdhënie të hapur, duhet të jenë shumë të sigurtë në vete", thotë ai.

"Duhet të ketë besim të madh edhe mes partnerëve. Nëse njëra mungon, nëse s'ka siguri në vete ndonjëri partner, ajo marrëdhënie mund të helmohet. Ose, mundet me pasë luhatje të besimit. Kushti themelor është që ato marrëdhënie të hapura, mos me ndiku në marrëdhëniet ekzistuese."

Raste biseksualiteti te burrat

Një dukuri tjetër për të cilën po më tregonte doktori ishte shfaqja e tërheqjes nga seksi i njëjtë te burrat e martuar.

"Ka ndodh; që m'ka thonë pacienti burrë që 'kur po jom në kafe me të dashurën i ulur, kur po çohet naj mashkull, po m'vjen me ia kapë të pasmet'", elaboronte Fejza.

Shfaqja e tërheqjes nga seksi i njëjtë, sipas seksologut, është i natyrshëm dhe normal.

Ai potencoi se seksualiteti është fluid dhe që lëvizë nga njëra anë në tjetrën.

Me shumëçka të mësuar e diskutuar u largova nga zyra apo hapësira diskutuese e seksologut të vetëm në Kosovë, i cili po ndërvepronte në një popull jo fort krahëhapur ndaj profesionit të tij.

Lajme të ngjashme