Rrëfim ‘seks shopi’: “Vëllezërit vijnë e blejnë dildo për motra pa burra” - NACIONALE

Rrëfim ‘seks shopi’: “Vëllezërit vijnë e blejnë dildo për motra pa burra”

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Shumica e kosovarëve e kanë problem të flasin për seksin. Vetëm në një shkollë flitet për seksin. Kësisoj, kjo është një temë tabu. Ka rrëfime të ndryshme se si edhe në barnatore shumë njerëzve u vjen siklet të blejnë kondoma. Por çka ndodh brenda një dyqani për lodra seksi? Nacionale ishte në dyqanin e parë të këtij lloji.

Pasi të kalosh pjesën ku po ndërtohet xhamia e re në kryeqytet dhe kalon objektin e Postës e Telekomit, lëshohesh në rrugën “28 Nëntori” dhe në katin e dytë të një objekti, në një reklamë, është e shkruar: SEX SHOP. Afër ka sallone ondulimi dhe të tjera dyqane të estetikës. Klientela është e përzier dhe është zor të dallosh se kush është për “lodra seksi” e kush për “ndreqje thonjsh”. Megjithatë, dyqani i seksit e ka rëndësinë e tij në një qytet në të cilin flitet pak për seks. Ose kur flitet, flitet me marre, me norma morali.

Këto janë edhe disa nga “problemet” që hasin punëtorët e dyqanit të parë të lodrave të seksit në Prishtinë, dhe ndoshta në krejt Kosovën.

Prishtina e ka një seks shop ku mund të shërbeheni me gjëra që stimulojnë seksin dhe ndihmojnë që të kënaqeni e të kënaqni më shumë kur bëni gjëra që bëhen vetëm prapa dyerve të mbyllura.

Prishtinasi Agron Gashi thotë se ideja për hapjen e këtij seks shopi ka ardhë "prej qejfit personal”.

“Ma shumë edhe prej eksperiencave të jetës sime seksuale”, thotë ai për Nacionalen.

Gashi thotë se, pavarësisht interesimit dinjitoz, pritshmëritë e tij nuk janë përmbushur, derisa intuita fillestare e tij ishte se do të kishte më shumë myshterinj.

Por kjo nuk ka ndodhur. Ndoshta edhe e kuptueshme, kur e mendon se jetojmë me një shoqëri ku seksi, edukata seksuale është ende një tabu.

Kur e pyta "cili është produkti që shitet më së shumti", ai nuk më dha një përgjigje definitive.

“S’e di çka të përmendi. Nuk kam ndonjë produkt në mendje. S’mund të përcaktohem. Krejt senet shiten nga pak, nga pak”, thotë ai.

Dyqani i tij është i vogël dhe nuk është i ngarkuar.

E 'senet' që ishin të ekspozuara ishin të ndryshme. Në forma të ndryshme: dildo (penis artificial gome) me përmasa të vogla, dinjitoze dhe të tillë që më dukeshin të pamundur të përdoreshin nga ndokush për shkak të gjatësisë ajfellike (kulla e ajfellit).

Vibratorët ishin produkt goxha i shitshëm, sipas një punonjëse të seks shopit, me të cilën po flisja para se të vinte pronari.

Elementet në fjalë më shpesh se rrallë blihen si dhurata për ditëlindje për partner/e, sipas Gashit, ndërsa çmimet si 49.99 ishin të shpeshta, e pothuajse në shumicën e produkteve që më interesonin.

Kishte edhe kostum infermieresh, për ata që 'fetish' (formë seksuale e lidhur me nivele abnormale imagjinare) i kanë punonjëset shëndetësore të QKUK-së, qendrave të mjekësisë familjare, apo edhe të institucioneve tjera shëndetësore. Për 15 euro (çmimi i kostumit) mund ta shndërroje të dashurën në infermiere seksi, me uniformë në të cilën vështirë se do ta shihni ndonjë në jetën reale nëpër vende ku shëndoshen të sëmurët.

Gashi po më fliste edhe për ca prezervativë, të cilët e kishin një efekt të veçantë të stimulimit të kënaqësisë personale dhe të partnerit. I njëjti tha se janë "më të hollë se të tjerët" dhe kushtonin 1.99€.

Produktet janë prej Gjermanisë, kështu që, gjasat për ndonjë keqfunksionim mekanik e katastrofë humanitare/seksuale, janë minimale. Siç thotë populli, "me mall t'gjermanit s'ka".

Vaki kosovare në seks shop

Gjatë bashkëbisedimit me Gashin, ai po reflektonte mbi ndodhitë dhe ndërveprimet interesante me kosovarët, pasi hapi diçka që ishte e paparë më herët në një shoqëri relativisht konservative.

“Kur e kena hapë n'fillim, jon konë dy kategori të njerëzve që interesoheshin. Do thirrshin me pytë 'a jeni masazh'”, thotë ai qartazi duke kërkuar lloj tjetër masazhi prej ngjeshjeve.

“Kategoria tjetër ka pasë reagim shumë të mirë. Më thojshin 'shumë mirë që e keni çelë se na u ka dashtë me porositë jashtë'.”

Ndër tjerash, ai po rrëfente për raste kur familjarët blejnë vagina artificiale për të afërmit me nevoja të veçanta që janë në karrocë, apo të palëvizshëm.

“I kemi disa vagina artificale, me silikon medicinal janë. Këto i blejnë shpesh për njerëzit që janë të paralizuar, për me ua përmirësu pak jetën seksuale”, po më thoshte Gashi.

Tjetër, ai tregoi diçka që më befasoi për të mirë, e që është, blerjet e dildove që vëllezërit i bëjnë për motrat që "u ka vdekë burri".

“E kemi rastin me dildo që vëllezërit apo familjarët ua kanë ble motrave të veta që u ka vdekë burri. I kanë ble për me ua plotësu atyre nevojat seksuale. Ni rast i tillë ka qenë me një klient nga Prishtina, një nga Vitia, nëse s'gaboj.”

Edhe familjarë që blejnë vagina artificale për të afërmit e tyre të burgosur nuk ishin të rralla, sipas asaj që po dëgjoja nga personi përgjegjës.

Pas një mori pyetjesh e një grumbulli përgjigjesh në praninë e lodrave për të rritur, u përshëndeta me seks shopin e parë në Kosovë, tash edhe me informacione shtesë të cilat i ndava i ngazëllyer me kolegët me të ardhur në punë. Reagimi i tyre ishte miks, disa turpëroheshin, sikur për të nënvizuar tabunë sociale rreth seksit, e disa po vinin më vonë për të më pyetur për informacione ekstra rreth rrëfimeve.

Lajme të ngjashme