Prishtina e shëmtuar dhe depresive? Pasi fola me arkitektë, më ndryshoi mendimi
Përgjatë historisë, arkitektura ka shërbyer si përfaqësim social, që reflekton vlera, suksese dhe rënie eventuale qytetërimesh madje.
Është e pamundur të evitosh frustrimin kur viziton qytete të ndryshme evropiane dhe e kupton se stresi dhe ankthi juaj në doza të larta ndikohet edhe nga vizualiteti urbanistik depresiv me të cilin trajtoheni në vendlindje.
I pyeta tre arkitektë të ndryshëm nëse do të ishte konstatim i pranueshëm t’i quaja “të shëmtuara” ndërtimet në Prishtinë.
Të tre më thanë se një konstatim i tillë ishte gabim, për zhgënjimin tim, pasi kisha filluar të krijoja një bindje të tillë nga soditjet e vëmendshme që u bëja ndërtesave në Prishtinë tash e disa javë.
“Të shëmtuara jo, por pa plan të mirëfilltë arkitektonik ose urban”, më tha arkitekti Meriton Rukolli.
Në një bisedë tjetër, arkitektja Flaka Përgjegjaj veçoi disa objekte të Prishtinës si ndërtime dinjitoze arkitektonike, duke nënvizuar arsyet pse dikujt si mua mund t’i duket i shëmtuar qyteti i rrethuar me plot katunde.
“Objektet e vjetra janë shumë të bukura”, thotë ajo. “Shembull Instituti Albanologjik, Pallati i Rinisë, etj."
“Ndërtimet e reja janë të papërshtatshme në lokacion dhe shumica të shëmtuara, e tash ky kombinim po e bën qytetin më të shëmtuar”.
Përgjegjaj po më tregonte se si përgjegjësit e ndërtimeve nuk u kushtojnë fare rëndësi aspekteve tjera, përveç ndërtimeve vetanake, andaj kemi edhe barnatore ngjitur me një mishtore të cilën e ndan një mur me një lokal “Gjithçka 1 euro”.
Prishtina, në krahasim me shumicën e kryeqyteteve tjera të Kontinetit të Vjetër, duket më shumë si një qytet i ndërtuar prej zori dhe sa për të futur dikush kokën nën ndonjë çati. Kujt i plas për estetikë e stil, me rëndësi "shpija mbi kulm". Me një anë arsyet pse mund të ketë ndodhur kjo - kësaj radhe po flasim vetëm për arkitekturën, pa përfshirë elemente tjera socio/politike.
Derisa koncepti i strehimores është gjë e thjesht, stili i ndërtesave urbane reflekton në klimën dhe disponimin gjeneral në një shoqëri. Lokacioni dhe lloji i materialeve të ndërtimit që ishin të disponueshme në atë kohë janë ca detaje të tjera mbi të cilat mund të flasin më shumë profesionistët.
E kur jemi te profesionistët, unë kontaktova me arkitektin kosovar, Ideal Vejsa për të mësuar më shumë rreth stilit arkitekturor në Kosovë.
"Kopja e arkitekturës kliaske nuk përdoret kurrkund përveç në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Kazakistan", thotë ai.
E nëse është kopje e aritekturës klasike - e cila Vejsa thotë se "ka gjetë përdorim (nga qytetërime të ndryshme) me tregu sa të mëdhenj jemi, sa dimë dhe sa glamur kemi" - atëherë duhet të jetë kopja më e keqe që mund të ketë qenë e disponueshme. Nëse ekziston një që përfaqëson të kundërtën e glamurit, atëherë duhet të jenë ndërtimet në Prishtinë, dhe jo vetëm. Shpesh po i referohem vetëm kryeqytetit, pasi, duke qenë i tillë (kryeqytet), logjikshëm dhe arsyeshëm përfaqëson zonën më të zhvilluar urbane të një vendi. Gjërat shkojnë duke u bërë më keq në qytete si, ta zëmë, Ferizaj, Mitrovicë e Gjilan.
Ditët e nxehta në Prishtinë janë gjysma e të keqes, horrori i vërtetë përjetohet në ditë skllote. Kur bie shi, ose borë me shi. Në ditë të tilla, gjëja më e mençur që mund të bëjmë është të mbyllimi brenda dhe të lëshojmë roletat, përndryshe pamjet me të cilat do të shërbeheni në qytet janë të niveleve gati çernobileske.
Ndërtesa të stilit jugosllav nëpër pjesë të ndryshme të qytetit, të përcjellura aty-këtu me ndonjë ndërtim streheje paksa më modern, janë kontraste të hasshme kudo e të pranueshme tashmë.
Ato pak ndërtime paksa më moderne ndoshta mund të jenë konstruksione banesore apo qendra tregtare. Përndryshe, do ta gjeje veten në hall të madh si turist në kërkim të diçkaje interesante për t'i 'kullotur' sytë, përveç ndoshta disave, përfshirë Biblotekën Kombëtare, për të cilën ka mendime mikse në mesin e turistëve – disa e vlerësojnë për veçantinë, disa e konsiderojnë madje “ndërtesa më e shëmtuar në botë”, si këta Youtuberët më poshtë.
Sidoqoftë, kur e pyeta arkitekt Vejsën nëse Prishtina mund të quhet qytet i shëmtuar arkitekturalisht, tha "jo, mundesh me qujtë përzierje stilesh".
Vejsa, tutje tregoi se Prishtina karakterizohet me gërshetim stilesh sa i përket arkitekturës.
"I ke të gjitha [stilet, në Prishtinë]. E ki kohën e brutalizmit (arkitektura moderne). E ki një pjesë kic që është ndërtuar kohëve të fundit... dhe arkitekturë të mirëfilltë bashkëkohore", thotë ai.
Një mori studimesh kanë konkluduar se mjediset mirë të dizajnuara - shtëpi, shkolla, institucione, spitale, kafene (këtu ne qëndrojmë paksa më mirë), ose hapësira publike - kanë impakt masiv në lumturinë, shëndetin dhe mirëqenien tonë.
Andaj, janë benefite të cilat thjesht ne nuk e kemi luksin t'ia ndalojmë ose mohojmë vetes. Dizajnet e mira arkitekturale nuk kanë të bëjnë vetëm me estetikën, por gjithashtu ndërlidhen direkt edhe me kualitetin e jetës.
Tash imagjinoni një vend ku papunësia, nepotizmi, varfëria, mungesa e lëvizjes së lirë janë prej temave kryesore sociale. Tash këtë vend imagjinoni me ndërtesa e rrugë të shëmtuara. Mos imagjinoni më, hapni sytë dhe e gjeni veten në një të tillë. Fjalia e fundit për ju lexues nga Kosova. Ju të tjerët jashtë, shijojeni sa të mundeni dhe mos i merrni si të mirëqena benefitet vizuale që ju sjellin vendet potencialisht të zhvilluara evropiane nga të cilat mund të vini.
Oh Zot, do të isha njeriu më i lumtur më botë po t'ia dilja të jetoja përtej të 70-ave në Prishtinë.
Fotografi i Nacionales, Visar Kadrolli ka krijuar një set fotografik nga ndërtesa të ndryshme në Prishtinë, të cilat arkitekti Rukolli i ka komentuar si më poshtë.


KOMENT:
Ndërtimet më lart shprehin një nga ndërtimet e sotme “moderne”, me sistemet skeletore, të projektuara dhe të përcjellura me shumë kate dhe të destinuara për shumë funksione por primar banimin. Stili i veçantë i tyre shprehet me llojin e fasadave të cilave ju jepet pas përfundimit të tyre.


KOMENT:
Këtu kemi të bëjmë me një lloj arkitekture të stilit më të vjetër, që është ruajtur deri në një masë edhe fasada (dukja e jashtme). Shihet qartë që i përket kohës më të vjetër, siç evidentohet edhe tek terasat (ballkonet), të cilat nuk janë të paraqitura si konzola por të tërhequra ne brendësi te ndërtesës.


KOMENT:
Te ky ndërtim vërejmë një stil të ndërtimit po ashtu të kohës më të hershme, me disa konzola, të cilat sado pak e bëjnë me tërheqëse si ndërtesë. Po ashtu shohim një lloj mbindërtimi në njërën pjesë te saj që nuk lidhet me pjesën arkitektonike tjetër te ndërtesës.


KOMENT:
Këtu kemi të bëjmë me dy lloje të stileve arkitektonike - asaj të kohës së sotme që paraqet një stil modern me fasadë dhe forma të dizajnuara dhe asaj të kohës më të vjetër por që ruan qëndrueshmërinë, funksionin dhe një formë arkitektonike mjaft të mirë me fasadë e cila është kryesisht beton dhe që shpreh stil klasik.


KOMENT:
Ndërtimi përfaqëson një nga shumë ndërtimet e ditëve të sotme, me një stil modern.


KOMENT:
Ky ndërtim i përket ndërtimit modern, që shpreh një stil të detajuar si në formë ashtu edhe në dizajnin e jashtëm, derisa janë prdorur materiale të cilat i japin një shije arkitektonike dhe funksionale.


KOMENT:
Ndërtesat i përkasin ndërtimeve brutaliste në të cilat kanë bërë edhe ndërhyrje, por që prapë e shprehin atë stilin klasik dhe brutal.


KOMENT:
Stil klasik, forma të thjeshta arkitektonike por me një qëndrueshmëri që edhe sot mund të themi që është funksionale.

KOMENT:
Ndërtime të larta, qytet i ngulfatur nga to si dhe pa ndonjë plan arkitektonik dhe urban.





KOMENT:
Ndërtesa të stilit klasik, pa ndonjë plan arkitektonik, të përcjellura me mbindërtime të cilat e bëjnë edhe më të vrazhdë këtë pjesë.

KOMENT:
Stil mjaft i veçantë, një kontinuitet arkitektonik i cili përcillet me forma të ndryshme nga fillimi deri në fund dhe që jep një pamje mjaft karakteristike në këtë pjesë.

