“Me u dehë me pak pare?” - Epiteti që s'i takon më rrugës tek “kafet e rakisë” - NACIONALE

“Me u dehë me pak pare?” - Epiteti që s'i takon më rrugës tek “kafet e rakisë”

4 javë më parë

nga Vullnet Krasniqi

Vetëm qentë nuk kanë ndryshuar në atë rrugë. Gjithçka tjetër ka ndryshuar. Lokalet dhe klientela. Qentë në atë rrugë nuk e kanë ndryshuar as çmimin e dashurisë që dhurojnë. Për dallim nga çmimet në kafehanet që kanë qenë pika më e fortë e rrugës “2 korriku”.

Po flasim për rrugën që në fakt pak kush e njeh si “2 korriku”. Rruga njihet si te “Kafet e Rakisë”. Ky epitet që lokalet në këtë rrugë e morën në dekadën e parë të viteve 2000, në dekadën e dytë nuk është se e meriton më. Rakia është vetëm një nga pijet bazike që tashmë konsumohen aty. Por gjithashtu, nuk ka ndonjë emër tjetër, që do t’i rrinte për shtati.

Lokalet e hapura në dekadën e dytë të këtij mijëvjeçari kanë një meny të pasur me produkte, dhe me çmime për të pasurit, që s'e duan edhe aq shumë luksin dhe privatësinë. Ky është një rrëfim për rrugën që dikur ishte e artistëve dhe nihilistëve pa para por me ideologji dhe me plane për të ardhmen. Sigurisht me ndihmën e rakisë.

E martë, 1 nëntor 2022

Ora 11:30, nja 20 minuta para se turma e atyre që shfrytëzojnë pauzën në punë të zbrazet nëpër kafehane për t’u ushqyer ose pirë një kafe. Rruga është e mbushur me karrike dhe tavolina, shumica të bëra gati dhe rruga është e zbrazur me njerëz por e mbushur me karrige dhe tavolina të bëra gati me shenjën “e rezervuar”. Kjo tregon mjaftueshëm për imazhin e ri që kjo rrugë, e ka tashmë e disa vite.

“Shumë prej tyne i kam të rezervume për pauzë, sa s'kanë ardhë”, më thotë një kamarier i barit “Tirona” që është në hyrje të rrugës te “Kafet e Rakisë” nëse hyn nga sheshi.

Vazhdoj rrugës deri tek lokali në fund të rrugës, “Te Martini”. Si gjithmonë, pronari dhe ikona e kësaj rruge, Martin Hajdari, është aty.

Këtu jam prej vitit 2000”, thotë ai duke qeshur. Meqënse ishte gati “pauza” koha e artë e punës gjatë ditës, Martini po merrej me disa detaje, ndërsa unë e shfrytëzoj rastin që të ha diçka, para se turma e pauzës të zaptojë krejt rrugën. Porosis suxhuk që Martini e përgadisin në mënyrë specifike. Një copë kushton 1 euro. Kostoja e një pjate 4 euro.

Deri vonë ishte një rrugë në të cilën të rinj e të vjetër deheshin me pak para. Përpos rakisë dhe mishit, kafehanet e kësaj rrugice kanë qenë dëshmitare të një historie urbane të Prishtinës. Por lokalet e reja që po mbinë viteve të fundit, po e vënë në pikëpyetje këtë epitet të rrugës dhe kafehaneve aty.

Na ishte një herë një rrugë me raki të lirë që prodhonte rebelim

Ishte e shtunë pasdite, një ditë para se të mbylllej Bienalja e Artit “Manifesta” dhe në oborrin e Biblotekës së renovuar “Hivzi Sylejmani” po mbahej një diskutim me temën “Të luash me sistemin”. Një bashkëbisedim mes artistëve Alban Muja, Dren Maliqi dhe artistit bullgar Ivan Moudov bashkë me kuratoren e “Manifesta” Catherin Nicols. Aty, Dreni dhe Albani po flisnin për kohën kur ata ishin në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Por po e përmendnin si shpesh, rrugën me “kafet e rakisë”.

Në vend të okupimit të hapësirës së Fakultetit ose ndonjë hapësirë tjetër, studentët e artit nisën të rrinin tek ‘Kafet e rakisë’”, tha Alban Muja, ish-student i artit në UP, tash një artist i njohur ndërkombëtarisht.

Muja së bashku me Maliqin i përkasin një grupi të studentëve të Fakultetit të Arteve që para një dekade e më shumë i ishin rebeleluar kastës së atëhershme të profesorëve dhe kurrikulës së vjetëruar.

Dren Maliqi që sot është një producent arti, ishte një artist që kishte bërë bujë për shkak të natyrës së tij provokuese, dhe teksa fliste për atë sesi artistët “ja luajn sistemit” foli për “Kafet e Rakisë” si një vendtakim në të cilin student të Arteve takoheshin për të diskutuar për artin dhe paknaqësitë e tyre.

Shumica e llafit që bëhej aty ishte edhe pak me alkool, sepse ishte shumë lirë, që tash më nuk është”, tha Dreni, duke më nxitur që të ri-shikoj edhe njëherë se çka ka mbetur nga ajo rrugë.

E premte 4 nëntor 2022

Tek taverna “Tirona” e shoh prap, Alban Mujën. Ai është me dikë tjetër në takim pune. Nuk dua ta pengoj. Duket se Albanit ende i ka mbetur “rutina e të dalmes te kafet e rakisë”.

Martin Hajdari thotë se klientela e tij nuk ka ndryshuar shumë në këto dy dekada.

Normalisht që ka pasur klientelë të re, por ajo që e kam pasur qysh në fillim të viteve 2000 vazhdon ende të vijë”, thotë ai.

Në këtë podcast mund ta dëgjoni historinë dhe arsyetimet e Martinit, pse egziston një bindje që rruga e “kafeve të rakisë” ka ndryshuar me të madhe. Martini flet edhe për përgjegjësinë që e ka komuna e Prishtinës për të ruajtur origjinalitetin e kësaj rruge.

Posht lokalit të Martinit gjendet “Pijetorja”. Një hapësirë e vogël në të cilën ende jeton “fryma bohemiane” për shumë të rinj. Aty piva kafen, e cila kushton sikurse në të gjitha vendet e tjera. 1 euro kafeja, 1 euro rakia. Zgjedhja është e jotja.



Linda Azemi një nga pronaret e “Pijetore-s”, thotë se rruga e kafeve të rakisë, do të rrezikohet të humbasë traditën nëse Komuna e Prishtinës nuk ndërmerr ndonjë opsion. Duke qenë se kafehana e saj njihet edhe si vend takim për “majtistët” e qytetit, më të biseda në podcast bazohet edhe në diskutimin: mbi lokalet kapitaliste. Një i tillë po ndërtohet tashmë rishtazi përballë “Martinit” dhe “Pijetores”.

Edhe Martini edhe Linda flasin fjalë të mira për pronarët e ri të lokalit. Asnjëri nga ta nuk besoj se hapja e lokaleve më luksoze në këtë rrugë do të ndryshojë “vibe-n” e “kafeve të rakisë”. Por ka njerëz që dyshojnë në këtë gjë. Edhe unë e kam këtë bindje.

Lajme të ngjashme