Pse një artist ndërtoi një shtëpi ilegale mbi ish-objektin e Gërmisë? - NACIONALE

Pse një artist ndërtoi një shtëpi ilegale mbi ish-objektin e Gërmisë?

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Pse një artist ndërtoi një shtëpi ilegale mbi ish-objektin e Gërmisë që do të bëhet shtëpi operistike dhe sallë koncertale?

Mbindërtimi i një dhome në formë shtëpie mbi një objekt tjetër egzistues, është një pamjet e zakonshme në Prishtinë. Por pse një mbindërtim tjetër, mbi një objekt midis sheshit “Ibrahim Rugova” është një mbindërtim që dallon prej tjerëve. Arsyeja fillimisht është tek qëllimi. Shtëpia e ndërtuar mbi ish-objektn e shtëpisë së mallrave “Gërmia” nuk i hynë në punë askujt për banim. Në fakt nuk mund të hysh në të. E as ta lëshosh me qera. Funksioni i kësaj shtëpie, mbi ndërtim, është nisja e një debati ose reflektimi mbi ndërtimet në Prishtinë. Ose më mirë me thënë: mbindërtimet.

Artisti që ka bërë intervenim artistik duke vendosur këtë shtëpi që duket sikur një objekt mbindërtimi pa leje, është Alban Muja. Intervenimi i tij artistik është pjesë e programit të Bienales së Artit “Manifesta” që do të mbahet në Prishtinë për 100 ditë që nga 22 korriku.

Alban Mujën e takova tek një kafe, përballë objektit, mbi të cilin e ka vendosur shtëpinë. Edhe 48 orë, mysafirë dhe vizitorë të Manifestës do të fillojnë të vijnë në Prishtinë për të shikuar intervenimet artistike të Bienales nomade.

Për shtëpinë mbindërtim, Muja është kujdesur deri në detaje të fundit. Edhe ngjyrën e “shtëpisë” është kujdesur ta ketë pak të njejtë me ngjyrën e vjetëruar të objektit të ish-Gërmisë, që do të bëhet sallë koncertale dhe operistike.

Këto detaje janë një rikujtim i një forme të përdorur shumë nga mbindërtuesit, të cilët duke u munduar që mbindërtimet e tyre të egra dhe pa leje të mos duken të tillla, janë munduar që ta lyejnë në atë formë që të mos dallojë nga objekti, mbi të cilin janë ndërtuar”, thotë Muja në një bisedë për Nacionalen, teksa përballë kemi “shtëpinë ilegale të tijen”.

Për shumë vite, artisti nga Mitrovica që tashmë jeton në Berlin, ka qenë pjesë e shumë ekspozitave të mëdha ndërkombëtare dhe është bërë i njohur falë vrojtimit të tij të rafinuar të mënyrës sesi njerëzit vendosin ti qasen publikes së tyre. Që prej punëve të tija që kanë ardhur pas vrojtimit nga aeroplani e deri tek vrojtimet e fundit të mbindërtimeve në tokë.

“Kjo shtëpi është në fakt edhe pjesë e një inspirimi të disa punëve të mëhershme që kam pasur, në pikturë dhe vizatim, me mbindërtimet”, thotë Muja, teksa mi tregon disa fotografi të këtyre punëve që ishin ekspozuar në Galerinë e Arteve të Kosovës, para një viti.

Në këto vizatime, Muja luan me formën e pikturës duke vënë në pah mbindërtimet teksa objektet mbi të cilat janë bërë ato “shtëpia” a “dhoma” janë jo të rëndësishme. Por kur kuratorja e Manifesta-s, Catherine Nichols, e kishte vizituar Mujën në studion e tij në Berlin, vizatimet u shndërruan në një intervenim klasik.

“Kur i thash që dua ta bëjë një mbindërtim, ajo më tha: edhe një mbindërtim në gjithë këto mbindërtime?. U shikuam dhe vendosëm që të ishte kjo puna ime në Manifesta”, kujton Muja.

Por pse është e rëndësishme kjo formë e intervenimit? Muja shpreson që kalimtarët nëpër shesh dhe vizitorët e Manifestës ta shfrytëzojnë këtë intervenim artistik, si pikënisje për të menduar një zgjidhje për mbindërtimet aktuale dhe një vendim që të ndalohen ato.

Por për Mujën, ky intervenim nuk është asesi “glorifikimi” i mbinërtimeve.

Por një zgjidhje duhet gjetur. Nuk mund të qëndrojnë ato shtëpi përgjithmonë ilegale. Duhet gjetur një zgjidhje. Pro edhe duhet ndalur një herë e mirë kjo formë e ndërtimit”, thotë Muja.

Sesa do të ndikoj vepra e tij në këtë debat mbetet të shihet.

Lajme të ngjashme